21.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Çfarë mendojnë kosovarët: A duhet pranuar refugjatë nga Siria?

Më të lexuarat

Qytetarët e Republikës së Kosovës, janë duke përcjell ngjarjet e fundit që po ndodhin nëpër botë e sidomos atë se çfarë po ndodh në Siri, për të cilat thonë se po ua kujtojnë tmerrin që e ka përjetuar populli jonë gjatë luftës së fundit.
Pamjet të cilat po qarkullojnë ditëve të fundit nëpër medie, të fëmijës tre vjeçar, Aylan Kurdi, i cili u gjend i vdekur në brigjet e Bodrumit të Turqisë, gjatë kohës kur familja e tij po tentonin të largoheshin nga Siria për të shpëtuar nga mizorië që po ndodhin atje, po i tmerrojnë dhe i ka prekur thellë ata dhe kjo po bënë që shumica nga ta të thonë se Kosova duhet të pranojë refugjatë nga Siria dhe t’iu ndihmojë atyre.

Në anën tjetër ka edhe të atillë, që thonë se shteti ynë nuk duhet t’i pranoj këta refugjatë, pasi që mund ta rrezikojnë sigurinë tonë në vend.

Flamur Neziri, thotë se vendi ynë edhe pse gjendet në krizë ekonomike duhet t’i pranojë dhe jo vetëm sepse janë mysliman, por sepse edhe populli i Kosvës ka qenë në të njëjtën situatë.

“Sigurisht që duhet, nuk duhet ta harrojmë vitin ’99. Jemi në të njëjtën gjendje pa marr parasysh, le më kur i takojmë të njëjtit besim fetar dhe pa marr parasysh edhe nëse nuk janë myslimanë, është humane. Jemi shumë bujar pa marr parasysh sa jemi në kriza politike ose ekonomike, shqiptarët kanë qenë gjithmonë popull bujar”, tha Neziri.

Zana Aqifi, thotë se askush më mirë se ne nuk mund ta kuptoj atë çfarë ata po përjetojnë, prandaj, sipas saj, edhe pse nuk janë kushtet e mira, për ta do të jetë e mjaftueshme vetëm një zgjatje e dorës për ndihmë.

“Po mendoj që gjithqysh duhet t’i pranojmë, pasi që ne më së miri e dimë se e kemi përjetuar, kemi qenë në pozitën e tyre dhe domosdoshmërish po bëj thirrje si qytetare e thjeshtë që duhet t’i pranojmë dhe t’i ofrojmë ndihmë në qet moment krize në krejt botën”, tha Aqifi.

E ish-boksieri i njohur kosovar, Aziz Salihu, thotë se është mirë që t’iu ndihmohet por, që në anën tjetër duhet të kihet kujdes dhe të dihet se çfarë po pranojnë.

“Kur ka qenë Siria si Siri ashtu tamam, e ka dashur Kosovën, unë edhe kam boksuar atje në atë kohë, prandaj unë kisha pasur dëshirë që të shkojë në mënyrë që Kosova t’iu ndihmojë krejt shteteve sepse me të vërtetë na kanë ndihmuar krejt Evropa dhe bota, dhe edhe ne të kemi aso burrërie. Por, duhet të dimë se kush, çka po vjen. Me të vërtetë ka huliganë dhe njerëz familjarë dhe duhet t’i zgjedhim dhe t’i ndihmojmë”, tha Salihu.

Në anën tjetër, Idriz Ejupi, thotë se kurrsesi nuk bënë që Kosova t’i pranojë ata, pasi që mund të rrezikojnë sigurinë në vend.

“Kjo është pyetje shumë delikate, të jem pak human, mirëpo ata nuk duhet Qeveria t’i pranoj fare asnjë. Kemi qenë refugjatë edhe vet e tërë Kosova, mirëpo ata nuk e kanë sikur e kemi pasur ne. Ata i kanë sektet ndër vete për atë po prehen ndër vete e mos po na vijnë ata neve këtu, për ndonjë të keqe Zoti na ruajt, për rininë tuaj dhe për të ardhmen tuaj”, u shpreh Ejupi.

KosovaPress ka kontaktuar përmes telefonit edhe me Kryqin e Kuq në Prishtinë, të cilët u shprehën se janë të gatshëm që menjëherë të pranojnë refugjatët nga Siria.

Sekretari i Kryqit të Kuq, Agron Humolli ka thënë se ata kanë kapacitet të mjaftueshëm dhe se gjithmonë janë në gjendje gatishmërie për t’iu ndihmuar njerëzve që kanë nevojë për raste të tilla.

Përveç tyre, edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ditë më parë kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar refugjatët sirianë, duke i bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës që t’iu ndihmojë atyre me aq sa ka mundësi vendi. /KP

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit