8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Çfarë janë njerëzit, ashtu janë edhe udhëheqësit!

Më të lexuarat

Një pjesëtar i havarixhëve (tekfirxhi) kishte dalë para hz. Aliut për të sjellë prova kundër tij, kështu që, ndër të tjera, i thotë:

“Pse Ebu Bekri dhe Omeri ishin të suksesshëm dhe fitues, kurse ti nuk je i tillë?”

Hazreti Aliu i ishte përgjigjur:
“Sepse Ebu Bekri dhe Omeri ishin sundimtarë të njerëzve si unë, kurse unë jam sundimtar i njerëzve si ti.”

Me një rast halifi emevit Abdulmelik ibn Mervani e kishte mbajtur një hutbe, në të cilën kishte thënë: “O njerëz, bëhuni objektivë dhe të drejtë! Ju po kërkoni nga ne që të jemi sundimtarë si Ebu Bekri dhe Omeri, kurse ju nuk jeni si ata për të cilët ishin sundimtarë Ebu Bekri dhe Omeri.”

Është e vërtetë se njerëzit janë në fenë e sundimtarëve të tyre. Kur thesari i Kisrasë Persian u soll para halifit Omer, ai tha: “Njerëzit këtë thesar ia dorëzojnë të besueshmëve.”

Me atë rast hz. Aliu tha: “O udhëheqësi i besimtarëve, ti je përmbajtur, (për të mos marrë diçka nga ky thesar për veten tënde) andaj edhe ata po përmbahen, por nëse ti do të ishe dhënë pas luksit, edhe ata do ta bënin të njëjtën gjë.”

Gjithashtu, është e vërtetë, se njerëzit shpesh i fajësojnë sundimtarët për korrupsionin dhe imoralitetin e tyre.
Nëse sundimtarët janë ata që importojnë alkool – natyrisht, kjo në vetvete është mëkat – ne jemi ata që e pimë atë, dhe kurrë nuk kam dëgjuar se një sundues ka dhënë urdhër se duhet patjetër të blihet alkool.
Nëse sundimtarët i mbyllin sytë para shtëpive publike dhe bordeleve – që gjithashtu është mëkat i madh – vartësit janë klientë dhe ata i vizitojnë ato vende, dhe unë kurrë nuk kam dëgjuar që një sundimtar ka dhënë urdhër me të cilin i fton njerëzit që t’i mbështesin pa kushte shtëpitë publike dhe bordellot.
Nëse në xhami nuk mbushet as safi i parë në namazin e sabahut, kjo nuk është sepse sundimtari ka ndaluar të shkohet në xhami. Nëse bizneset tona të përbashkëta dhe transaksionet nuk realizohen pa ryshfet, kjo do të thotë se disa prej nesh janë në rolin e ofruesit, kurse disa në rolin e marrësit të ryshfetit.

 

Nëse lloje të ndryshme të opiumit nuk do t’i kishin klientët e tyre, nuk do të ishin as ata që i trafikojnë dhe shesin ato, nëse nuk do të ishin ata që e pinë, alkooli nuk do të importohej.
Nëse prostitutat nuk do të kishin klientë që i vizitojnë, ato do të qëndronin në shtëpitë e tyre.

Me këtë dua të them se, nëse ne hapur dhe sinqerisht do ta shikonim veten në sy, do të shihnim se ne, në fakt, jemi një version në miniaturë i qeverive tona dhe sundimtarëve tanë të cilët i kritikojmë. Ne kërkojmë lirinë e mendimit, kurse në secilin prej nesh nënvizohet sundimtari (tirani) i cili e sheh vetëm veten e tij dhe e dëgjon vetëm zërin e tij.

Problemi ynë është se ne jemi edukuar që t’i kërkojmë të drejtat tona, por nuk e kuptojmë se përballë çdo të drejte qëndron një detyrë.

Problemi ynë, të dashurit e mi, është që ne ngjasojmë me qeveritë dhe sundimtarët tanë, sepse çfarë janë njerëzit, ashtu janë edhe udhëheqësit!

Edhem Sherkavi; http://saff.ba//

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit