13.6 C
Pristina
Wednesday, April 17, 2024

Çfarë do të mësojnë shqiptarët nga karantina

Më të lexuarat

Thonë që një zakon të zërë vend, duhet bërë për 21 ditë të njëpasnjëshme. Gjatë këtyre javëve të kaluara në izolim, distancim social dhe madje karantinë, kemi bërë disa gjëra për më shumë se 21 ditë. Por a do të zënë vend? Shpresojmë.

 Do të mësojnë rëndësinë e besimit në Zot dhe rëndësinë e xhamisë si vend adhurim

Të gjithë myslimanët shqiptarë që këto ditë janë sprovuar me virusin duke u mbyllur në shtëpitë e tyre dhe mbylljen e xhamive, e kanë kuptuar se sa e nevojshme është besimi në Allahun për të tejkaluar sprovën dhe e dyta se çfarë ndjenje e vështirë është të mos shkosh të falësh ndonjë namaz në xhami e as ditën e xhuma.

Besojë se secili e ka kuptuar se në jetën e tij asgjë nuk ka më të rëndësishme se besimi në Allahun, e pastaj falja e namazit rregullisht. Nëse sot ne kemi mbyllur dyqanin tonë për shkak të një urdhëri qeveritar, a do e mbyllim dyqanin tonë kur Allahu i Madh na thërret për namaz?

Do të mësojmë rëndësinë e diturisë dhe njerëzve të dijes

Sa e rëndësishme është dija e kuptojmë tani, kur është më së e nevojshme që përmes diturisë së mirëfilltë të mbrohemi nga virusi dhe sëmundje të ndryshme që paraqiten. Po ashtu nevoja për njerëz të dijes që japin udhëzime të rëndësishme për jetën dhe botëkuptime të shëndosha, që jeta jonë të zhvillohet në konture të shëndosha.

Sot e kuptojmë se gjithë ai mirazh i krijuar prej ndjekjes së këngëtarëve e futbollistëve, e shohim se nuk na hy në punë pasi ato nuk japin zgjidhje dhe as lehtësojnë përballjen me virusin, por janë mjekët, doktorrët dhe njerëzit e dijes që japin zgjidhje dhe japin udhëzime për të kaluar sa më lehtë këtë sprovë.

Do mësojnë si të qëndrojnë në radhë

Ndoshta po tregohemi tejet optimistë, por shqiptarët pas karantinës do të kenë mësuar të qëndrojnë në radhë. Kujtoni pak radhën në postë – që pa dyshim është radha më e tmerrshme dhe e paorganizuar në vend – si ngjiten njerëzit pas banakut, si marrin frymën që nxjerr tjetri, si fjala rresht u fshi nga fjalori.

Për të ruajtur veten dhe të tjerët, mësuam shumë shpejt të qëndrojmë në radhë dhe larg njëri-tjetrit. Sigurisht, ndihmuan edhe shenjat e ngjitura në tokë. Ne nxëmë, po me vështirësi.

Do mësojnë vlerën e internetit

Së dyti, mësuam që në fillimet e kësaj situate të jashtëzakonshme rëndësinë e teknologjisë dhe internetit. Tani që po dalim nga izolimi, nuk e kemi harruar aspak vlerën e tyre. Prindërit do t’i shohin më pozitivisht telefonat mbi të cilët kërrusen fëmijët sepse ata telefona ishin mësuesit e tyre për dy muaj. Dhe vetë studentët do të kuptojnë se ka jetë edhe përtej Snapchat dhe TikTok. Ngjan klishe, por vërtet kanë botën në duar dhe mund të mësojnë gjithçka.

Do mësojnë rregullat e higjienës

Tashmë, të gjithë e dimë rëndësinë e larjes së duarve dhe kollitjes në bërryl. Por ky ndërgjegjësim i paparashikuar ndaj higjienës nuk duhet të zhduket. Shumica e shkollave dhe fakulteteve në vend nuk u ofrojnë studenteve facilitetet e nevojshme për të ruajtur higjienën. Gjimnazet që kanë sapunë në banja janë të rrallë, fakultetet ndoshta më pak. Tualetet funksionale duhet të kthehen në normë kudo ku ka grumbullime njerëzish.

Do mësojnë vlerën e aktivitetit fizik

Po të mendoheni për pak sekonda, do ju vijnë ndërmend të paktën tre njerëz që janë betuar të fillojnë palestrën kur të marrë fund kjo situatë. Izolimi dhe pasivitieti na bëri të kuptojmë rëndësinë e ecjes për në punë, biçikletës, palestrës, shëtitjeve e gjithë aktiviteteve të tjera fizike. Ky mund të jetë fillimi i një ndërgjegjësimi masiv mbi rëndësinë e fitnesit.

Do mësojnë vlerën ose antivlerën e blerjeve

Në këtë pikë ndaheni në dy grupe: Ose keni blerë sa jeni lodhur nga dyqanet online dhe keni zbuluar fiksimin tuaj të ri; ose nuk keni blerë asgjë sepse keni kuptuar se s’ju nevojitet asgjë. Konsumerizmi do të ndryshojë pas pandemisë, pa dyshim. Së fundi, njerëzit kthyen sytë nga dyqanet që shesin online apo nga shërbimi taxi sepse s’kishin zgjidhje tjetër. Kur të kthehemi në normalitet, do të vijojnë t’i përdorin këto shërbime sikur të mos kishin jetuar dot pa to duke i dhënë shtysë një industrie të re, relativisht të pazhvilluar në Shqipëri. Ndërsa të tjerë do tërhiqen nga blerjet. Periudha e kaluar në shtëpi, me dyqanet mbyllur, i bëri të kuptojnë se janë mirë me aq sa kanë. Gjithë të tjerat janë lukse të panevojshme.

Izolimi ndikoi çdokënd prej nesh, por në mënyra të ndryshme. Ndoshta dikë e bëri t’i rikthehej librave, dikë e bëri të kalojë 18 orë në Instagram dhe dikë tjetër të mësojë të gatuajë. Ç’përmendëm më lart janë më gjithëpërfshirëse dhe vlejnë për masat. Por pa dyshim që secili prej nesh do dalë njeri tjetër nga shtëpia.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit