10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Çështja Rohingya mund të zgjidhet përmes një koalicioni më të gjerë global

Më të lexuarat

Bangladeshi do të duhet të krijojë një aleancë më të gjerë ndërkombëtare në mënyrë që të zgjidhet çështja e rreth një milion refugjatëve Rohingya të cilët ndodhen në atë vend, thotë aktivisti për të drejtat e njeriut, njëherësh disident politik nga Mianmari, Muang Zarni.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) me rastin e Ditës Globale të Gjenocidit, Zarni thotë se katër fuqi rajonale, plus Izraeli, mbështesin ose mbrojnë gjenocidin e Mianmarit kundër pakicës muslimane Rohingya në shtetin perëndimor të Arakanit.

“Asnjëherë gjenocidi nuk është kryer nga një shtet i vetëm. Çdoherë kur kemi një gjenocid, atëherë kemi një koalicion të miqve të cilët ose e mbështesin regjimin kriminal ose e mbrojnë të njëjtin” tha ai.

Zarni thotë se Rusia, Kina, India, Japonia dhe Izraeli kanë interesat e tyre ekonomike dhe ushtarake në Mianmar, dhe nga këtu, kjo i jep mbështetje të heshtur Mianmarit në forumet ndërkombëtare.

Gjenocidi në Mianmar është kryer “në bashkëpunim, pjesëmarrje dhe mbështetje” të këtyre shteteve, thotë Zarni për të shtuar se “një aleancë kundër” këtyre shteteve, është vendimtare për të zgjidhur çështjen përfshirë riatdhesimin e sigurt të tyre.

Rohingyat, të cilët OKB i përshkruan si njerëzit më të përndjekur në botë, përballen me frikën e vazhdueshme të sulmeve.

Sipas Amnesty International (AI), mbi 750.000 refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra braktisën Mianmarin për të gjetur strehim në Bangladesh, duke ikur nga forcat e Mianmarit të cilët nisën një fushatë spastrimi të komunitetit pakicë musliman.

“Për të zgjidhur çështjen Rohingya, ekziston nevoja për një formë të ndërhyrjes. Unë nuk do të thoja ndërhyrje ushtarake. Ka lloje të ndryshme ndërhyrjesh”, thotë Zarni.

Ai kërkon që qeveria e Bangladeshit të mobilizojë komunitetin ndërkombëtar, përmes organizimit të një konference ndërkombëtare në Daka, ku do të përcaktohej e ardhmja e muslimanëve të Arakanit.

Zarni thotë më tej se Bangladeshi do të duhet të formojë një “aleancë alternative” me shtetet latine dhe të Amerikës së Veriut, si dhe me organizatat siç janë BE-ja, Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe vende tjera që kanë ngritur zërin në OKB kundër gjenocidit.

  • Riatdhesimi nuk paraqet më një zgjidhje

Zarni, i cili është edhe anëtar jo-rezident i Qendrës së Dokumentimit të Gjenocidit në Kamboxhia, tha se bisedimet me udhëheqësen de fakto të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, për të zgjidhur krizën e Rohingya “janë plotësisht të padobishme”.

“Suu Kyi ose nuk është e gatshme ose mbështet ushtrinë dhe nuk pranon votimin e OKB-së, se ky është një krim të cilin po e kryen ushtria e saj”, thotë ai, për të shtuar se zbutja e disa rregullave, nuk do të zgjidhte çështjen në një shtet në të cilin Rohingyat nuk pranohet më si pjesë e Burmës (ish-emri i Mianmarit)”.

Duke vënë në dukje se me pranimin e refugjatëve Bangladeshi ka mbi supet e veta një barrë të madhe, Zarni thotë se Daka nuk e ka për detyrim t’i ushqej ata.

“Në mënyrë që Bangladeshi të mund të mbajë një milion Rohingya në tokën e tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të përmbushë detyrimin humanitar, përmes ofrimit të 100 për qind mjeteve financiare për t’i ushqyer, furnizuar me medikamente, teknologji, arsim, dhe të gjitha nevojat tjera”, thotë Zarni, sipas të cilit Bangladeshi po vuan nga presioni i resurseve të kufizuara.

“Janë përmbushur vetëm 40 për qind e nevojave të refugjatëve në Bangladesh”, thotë Zarni, i cili ka jetuar në mërgim për më shumë se 30 vjet.

Ai bëri një paralele duke thënë se riatdhesimi i Rohingyave në Mianmar është sikur të dërgosh të mbijetuarit e Holokaustit në dhomat e gazit në Auschwitz. “Është një vetëvrasje sepse autorët janë ende në pushtet”, thotë ai.

Bangladeshi dhe Mianmari nënshkruan një marrëveshje riatdhesimi vitin e kaluar sipas të cilës riatdhesimi duhet të jetë vullnetar, i sigurt, dinjitoz dhe i qëndrueshëm. Megjithatë procesi ishte shtyrë disa herë për shkak të protestave nga refugjatët.

“Sepse se çfarë ndodhi me nënat, baballarët dhe fëmijët e tyre, shumë prej tyre i mbijetuan përdhunimit, dhe panë që fëmijët e tyre vriteshin derisa po përdhunoheshin, pra nuk mund t’u thuash këtyre njerëzve të kthehen”, thotë ai.

  • Burg masiv

Zarni citon raportet e kohëve të fundit mbi gjendjen e Rohingyave, për të shtuar se përndjekja nga Mianmari akoma po vazhdon.

“Fshatrat e tyre nuk janë më fshatra, janë bërë zona ushtrie për çka një banor duhet të kalojë katër pika kontrolluese për të shkuar në fshatin tjetër”, thotë ai, për të shtuar se muslimanët e Arakanit nuk lejohen të lëvizin nga një fshat në tjetrin, nuk lejohen të shkojnë tek mjeku, nënat nuk kanë kontroll për çka raporti doktor-pacient është 1 në 186.000 për Rohingyat, ndërsa mesatarja kombëtare është 1.000 ose 2.000 pacientë për një mjek. “

“Është si një burg masiv me një përqendrim më të lartë të rojeve”, thotë ai duke krahasuar zonën ku jetojnë Rohingyat në Mianmar me Gazën në Palestinë.

Ai thekson se muslimanët e Arakanit dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre në Mianmar dhe të jetojnë një jetë paqësore dhe dinjitoze.

“Jepuni atyre tokat, pyjet dhe lumenjtë e tyre, ata do të dinë si të jetojnë. Të varfërit, megjithatë nuk kanë nevojë të mbështeten tek askush, ata kurrë nuk u mbështetën tek askush”, përfundoi Zarni.

Nën pretekstin e luftës kundër sulmeve militante ndaj pikave policore, ushtria e Mianmarit dhe militantët budistë nisën sulme brutale ndaj muslimanëve Rohingya, duke vrarë më shumë se 24.000 anëtarë të këtij komuniteti.

Sulmet u shndërruan në një formë klasike të spastrimit etnik, ndërsa ushtria e Mianmarit dogji qindra fshatra muslimane. Rreth 750.000 muslimanë ikën në Bangladesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit