6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Çështja e emrit të Maqedonisë shkon në parlament, NATO: Dyert tona mbeten të hapura

Më të lexuarat

Kryeministri i Maqedonisë deklaroi mbrëmjen e të dielës se do të çojë në parlament çështjen e emrit të ri të vendit, ndonëse koalicioni i tij pranoi se referendumi dështoi të sigurojë një pjesëmarrje prej 50 për qind të votuesve që të quhej i suksesshëm.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në referendum morën pjesë 36.79 për qind e votuesve dhe prej tyre, sipas rezultateve paraprake kur janë numëruar 97 për qind e votave, 91.37 për qind kanë votuar në favor të ndryshimit të emrit.

Kryeministri Zaev tani synon që çështja e emrit të kalojë në parlament përmes ndryshimeve kushtetuese, por për këtë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

Nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë Kryeministri maqedonas, tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, në fund të muajit nëntor.

Ai tha se “marrëveshje më të mirë me Greqinë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë. Të mos lajmë me ardhmërinë dhe Maqedoninë tonë”.

Pas mbylljes së kutive të votimit, u tha gazetarëve në Shkup se qytetarët realizuan një proces të qetë dhe demokratik të referendumit; se Maqedonia dhe qytetarët e saj dëshmuan se janë pjesë e familjes së shteteve dhe popujve evropianë.

Zaev: Ata votuan me dinjitet dhe të lirë. Secili qytetar që sot doli për të votuar solli vendimin e vetë sipas bindjes personale. Referendumi është mjeti më i lartë demokratik në të cilin dalin ata që votojnë. Vota e tyre është përfundimtare ndërsa vullneti i qytetarëve është i paluhatshëm dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Në demokraci vendimet merren me anë të votimit. I uroj të gjithë qytetarët! Sot patën sukses për demokracinë dhe sukses për Maqedoninë evropiane”, tha zoti Zaev për të shtuar se “suksesi është i përbashkët i vendit tonë dhe i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh bojkotin e organizuar nga udhëheqësit e VMRO-DPMNE-së, natyrisht me përjashtime të shpeshta.

Ky është referendumi i dytë që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, duke përjashtuar një referendum të shqiptarëve në vitet e hershme të nëntëdhjetave për kantonizimin e vendit që nuk qe njohur nga autoritetet dhe as qenë shpallur ndonjëherë rezultatet.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dyert e Aleancës Veri-atlantike mbeten të hapura për Maqedoninë.

Në një një postim në rrjetin twitter ai mirëpriti votën PRO, në referendumin në Maqedoni.

Stoltenberg:”U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve dhe partive që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi për të kapur këtë moment historik. Dera e NATO-s është e hapur, por të gjitha procedurat duhet të përmbushen”.

/Ora News.tv/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit