8 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

ÇANAKKALE – ATY KU FJALA “SHEHID” MBETI KRYEFJALË…

Më të lexuarat

Imam Muhamed SYTARI (Myfti i zonës Shkodër)

 

Çanakkale - Hasani nga ShkodraEmocionet që përjetohen kur nisesh për të vizituar historinë e 59408 shehidëve të Çanakkalesë, në mesin e të cilëve edhe shumë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, janë krejt legjitime. Janë emocione që përjetohen duke lexuar e parë nga afër historinë e besimtarëve që i dhanë fund, me fundin e jetës së tyre, historisë së kolonizimit kundër lirisë dhe besimit të popujve. Është historia e mposhtjes së përpjekjeve kryqtare për të minosur kalifatin shumëshekullor, rrënjët e të cilit ujiten te Resulull-llahu (a.s)…

“I plagosur rëndë Hasan efendiu, një burrë i moshuar, në shtratin e betejës tetë mujore, i kërkoi disa prej atyre që e asistonin, ta ngrinin në këmbë. Të habitur nga insistimi i tij, ata e ndihmuan të realizonte kërkesën e tij. “Zahmet ja Resulall-llah”- thërret i moshuari. “Do vija unë tek ti me shpirtin tim!”… dhe Çanakkalesë i shtohet edhe një shehid që largohet ëmbëlsisht nga kjo botë, në shoqërinë e Resulull-llahut (a.s)…”. Kjo histori e të shumta të ngjashme me të, në gojën e ciceronit të grupit tonë, më bënë ta dua edhe më shumë shpirtin e Çanakkalesë dhe sinqeritetin e rreth 60 mijë shehidëve të rënë në mbrojtje të besimit, nderit, fesë, tokës, dinjitetit njerëzor…

Historia e Çanakkalesë[1] (1915) është kompetencë e historianëve të aftë, të cilët analizojnë stacionet e ndryshme të saj dhe japin mesazhet e duhura që mbart në vetëvete historia tetëmujore e përballjes së gjallë në mes forcës së besimit dhe arrogancës së paganizmit, dritës së qytetërimit dhe errësirës së injorancës. Megjithatë, në këto rreshta do të ndalem në disa stacione që hasen krejt natyrshëm gjatë vizitës së gjallë në historinë e trupëzuar të këtij vendi.

1. Objekti i parë me të cilin u prezantuam që në hapat e parë të vizitës tonë në Çanakkalenë e famshme, ishte një përmendore me masa të konsiderueshme (aq sa për t’u quajtur rëndomtë, e madhe) në zemër të së cilës ishte gdhendur një kryq i madh. I përkiste të rënëve anglezë në këtë vend!

Në të vërtetë, personalisht, nuk e kisha menduar përballjen me këtë objekt (aq më tepër me kryqin e gdhendur në zemër të tij), jo për vetë objektin sesa për mendimin e thjeshtë se na ishte thënë që do vizitonim shehidët e ymmetit, dëshmorët e teuhidit! Por, ja që në këtë “fushë-betejë” historike dikush kishte toleruar që edhe pushtuesve agresorë t’u ngrihej një përmendore, në mënyrë që njerëzit e tyre (në Evropë e jashtë saj) të dinin se edhe për ta ka një cak, i cili quhet Çanakkale! Caku i një agresori në prehërin e madh të një populli e një ymmeti me besim të madh e kulturë hyjnore, me qytetërim të lashtë e tolerancë unikale në botë!

Një obelisk i ngjashëm me atë të anglezëve, por shumëfish më i lartë e më madhështor (pa objekte fetare të gdhendura), në majë të një kodre, qëndronte ai i pushtuesve të rënë nga Zelanda. Tutje, edhe francezët e kishin një të tillë… Subhanall-llah, kaderi hyjnor i kishte bashkuar këta njerëz, në këtë vend, në dy pozita krejtësisht të kundërta, njëkohësisht dëshmitarë të gjallë, por të heshtur, të dy realiteteve të ndryshme besimore, qytetëruese e kulturore, pjesë e historisë njerëzore…

2. Përballë pllakës së kristaltë, mbi të cilën ishin shënuar emrat e qyteteve dhe shteteve prej ku kishin ardhur ushtarët-shehidë muslimanë, si dhe numri përkatës i të rënëve nga secila kombësi, qëndrova i heshtur, por i mahnitur. Lexoja: Adana, Ankara, Bengazi (Libi), Dibra[2] (Arnavutluk[3]), Dijarbekir, Drama[4] (Junanistan[5]), Elbasan[6] (Arnavutluk), Bulgaristan[7], Gaza (Palestinë), Kejlan (Iran), Girit[8] (Junanistan), Haleb[9] (Siri), Halilurrahman[10] (Palestinë), Hama[11] (Siri), Hixhaz[12] (Arabi Saudite), Hurean[13] (Siri), Istanbul[14], Iskodra[15] (Arnavutluk), Izmir[16], Kalkandelen[17] (Maqedoni), Kerbela[18] (Irak), Kerkuk[19] (Irak), Kirim[20] (Ukrainë), Konja[21], Kosova[22], Kostence[23] (Rumani), Kudus[24] (Palestinë), Lazikije (Siri), Manastir[25] (Meqedoni), Mitrovicë[26] (Kosova), Prizren[27] (Kosova), Sakiz[28] (Junanistan), Samsun[29], Sana[30] (Jemen), Tebriz[31] (Iran), Trablus[32] (Libia), Trablus[33] (Lubnan[34]), Uskup[35] (Maqedoni), Varna[36] (Bulgaristan), Vidin[37] (Bulgaristan), Vuçiternë[38] (Kosova), Jafa[39] (Israil), Gjakova[40] (Kosova), Janja[41] (Arnavutluk), etj. Shënoheshin pjesëmarrës nga 141 vende, ose 59408shehidë![42]

E në atë mori të madhe emrash e numrash, sytë e mi u përqendruan edhe te shënimi: Iskodra (Arnavutluk) dhe numri i shehidëve të rënë: 17 djem të rinj (kryesisht)!

Emocion i veçantë, i papërjetuar më parë! Mendo, 17 të rinj muslimanë nga qyteti im që kishin dhënë jetën e tyre të shtrenjtë për mbrojtjen e besimit dhe nderit të një ymeti të tërë! 17 djem të rinj nga vilajeti i Shkodrës që ishin shuar, atje larg, në Çanakkale për të mbrojtur lirinë e popujve kundër mizorisë së kolonizatorëve, kundër shkelësve të lirisë së besimit, kundër një ozurpatori shumë të fuqishëm materialisht, por shumë mjeran e meskin nga ana shpirtërore e qytetëruese! E shpirti i madh i besimit të muslimanëve të rinj shkodranë, por jo vetëm, thuri lavdinë e një populli, lavdinë e një ymeti, lavdinë e një historie plot lavdi!

Rahmete e lutje të sinqerta për këta mbrojtës të denjë të lirisë, besimit, nderit e tokës!

3. Pavarësisht sipërfaqes së madhe të zonës që po vizitonim, ku ishin përzier gjurmët origjinale të tuneleve të llojllojshme e llogoreve të shumta, me obelisqet, përmendoret, pllakat përkujtimore e memorialet, numri i vizitorëve të shumtë në çdo cep të saj, nuk kishte se si të mos të tërhiqte vëmendjen!

Gjithandej grupe të rinjsh, më të rritur, të moshuar. Ciceronët nuk pushonin. Aparatet e ndryshme që fotografonin të zotët e tyre, kishin kohë që nuk ndalonin. Pak më tutje, shitësit e shumtë pas kjoskave të mirësistemuara ishin në aktivitet të pandërprerë. Me pak fjalë, në Çanakkale, edhe pse kishte dekada që beteja tetëmujore e vitit 1915 kishte mbaruar, vendi akoma gumëzhinte dhe gjallëronte. Vizitorët ishin të panumërt! Ishin turqë, anglezë, ishte grupi ynë[43] me rreth 25 vetë, grupe të panumërta…

Mendova, me tërë këtë vapë (temperatura i kalonte 35 gradë, ndërkohë që dielli e kishte kaluar zenitin), megjithë largësinë dhe rrugën e gjatë nga Stambolli (por edhe përtej tij), të gjithë kishin një dëshirë të lexueshme në sjelljen e tyre, për ta vizituar këtë vend! Ta preknin, ta fotografonin, të fotografoheshin në vendet e shumta historike të tij!

Të gjithë kishin dëshirë që nesër, pasi të ishin kthyer në vendet e tyre, pranë të dashurve e dashamirëve, të thonin: “Edhe unë e kam vizituar Çanakkalenë! Edhe unë isha atje…!”

 

Para përmendores së të riut shkodran Hasan Haxhia…

 

“Shkodran, shkodran..!”, thirri njëri prej anëtarëve të grupit tonë. Kaq ishte e mjaftueshme që emocionet të ndizeshin edhe më shumë, në atë vend, ku vetëm emocionet nuk mungojnë. Janë prezente më shumë se asnjëherë tjetër, më fuqishëm, më pranë zemrës e ndërgjegjes!

“Iskodra- Hacioğlu Hasan- Doğum: 1895- 20 yaşında”! Ky është shënimi i gdhendur në përmendoren e shehidit 20 vjeçar nga Shkodra, Hasan Haxhia, i lindur në vitin 1895!

Në mesin e pllakave të panumërta prej mermeri, përmendore të disa prej të rënëve në Çanakkale, ndodhej edhe i riu Hasan nga Shkodra.

Nuk mund ta fshija dot emocionin që m’u krijua kur e lexova emrin e shehidit dhe prejardhjen e tij.., ishte qyteti im, qyteti ynë (i Hasan Haxhisë dhe imi), një lidhëse e fortë shtesë që më bënte të ndjeja për të respekt, nderim, pse jo dhe krenari për të dhe për vete! Ndjeja krenari për të, sepse i ishte paracaktuar të ishte prej shehidëve të këtij ymeti, një dëshmi e madhe që nuk e arrin kushdo e kurdo në jetë! Krenari për vete, pasi ndodhesha para përmendores së një shehidi, me të cilin, përveç lidhjes kryesore besimit e fesë, më lidhte edhe një element shtesë, vendlindja!

Për pak minuta, të bëhet se ai është aty përballë teje, të buzëqesh me nurin e shehidit dhe të tregon për atë moment fatlum të marrjes së dëshmisë së dëshmorit në rrugën e mbrojtjes së besimit, fesë, nderit, tokës, ymetit… Të bëhet se Hasan Haxhia, me shpirtin e tij të pastër, është aty para syve të tu duke të rrëfyer episodet kryesore të betejës, së cilës i dhuroi edhe më të shtrenjtën gjë në jetë, shpirtin! Të bëhet se Hasan Haxhia, me përkujtimin e tij të shtrenjtë e madhështor, qëndron burrëror (edhe pse është i ri, me martirizimin e tij ia ka kaluar burrave!), e shikon përtej horizonteve, nga Shkodra e tij e dashur, të cilën e braktisi në emër të besimit, e së cilës iu kthye shehid… Ndonëse, vitet që pasuan martirizimin e tij, ishin të errëta, të hirta, të zizuara nga hijet e femohimit (ku doemos mohohej çdo vlerë e lidhur me besimin) për Shkodrën e krejt Shqipërinë, sot, emri i Hasan Haxhisë mori dimensione që e tejkalojnë periudhën e heshtjes dhe të harresës së emrit të tij… Hasan Haxhia, me shpirtin dhe kujtimin e tij, iu rikthye Shkodrës burrë, trim, besimtar, shehid…

E lumja Shkodër për shehidin e saj! E lumja Shkodër për shehidët e saj!

Mëshira e All-llahut qoftë mbi Hasan Haxhinë dhe vëllezërit e tij të rënë në Çanakkale, si mbrojtës të denjë të besimit e dinjitetit njerëzor! Mëshira dhe begatia e All-llahut qoftë mbi heronjtë e besimit islam, në mesin e të cilëve edhe shehidi shkodran Hasan Haxhia…

(Pjesë nga shënimet e mia në dorëshkrim, me titull: “Sevelim, sevilelim…”, nga udhëtimi në Turqi, 16-22 qershor 2008, me një grup imamësh dhe myftilerësh të KMSh. Ky material botohet për herë të parë, pa ndryshime).

 

Burimi: http://zaninalte.al/2014/03/canakkale-aty-ku-fjala-shehid-mbeti-kryefjale/

__________________________________

[1] Çanakkaleja është qytet i shkullit të XV, i themeluar në kohën e Sulltan Fatih Mehmetit. Sipas statistikave të vitit 1991 drejtuar nga D.I.B. (Komuniteti Musliman Turk), në Çanakkale ndodhen gjithsej 742 xhami.

Sulmi i parë i Ngushticës i njohur në literaturën perëndimore si “Luftërat e Galipolit”, filloi më 3 nëntor të vitit 1914. Dy anije luftarake angleze bombarduan qendrat Ertuğrul dhe Seddülbahir, ndërsa dy anijet luftarake franceze bombarduan qendrat Kumkale dhe Orhanije. Ky ishte edhe shkaku i fillimit të luftës, e cila edhe pse nuk ishte shpallur zyrtarisht, ky veprim aludonte se qëllimi i sulmeve detare do të ishte Ngushtica. Më 5 nëtor 1914 Franca dhe Anglia do t’i shpallin zyrtarisht luftë Perandorisë Osmane.

Kjo luftë e cila përfundoi me disfatën e Fuqive të Bashkuara (Francë dhe Angli) do të ndryshonte vazhdimësinë e Luftës së Parë Botërore, ashtu sikurse do të përgatiste rënien e Rusisë cariste dhe ndryshimet në shtetin anglez.

Në luftën e Çanakkalesë e cila la gjurmë në historinë botërore dhe zgjati për më shumë se një vit (3 Nëntor 1914 – 9 Janar 1916)  morën pjesë 410.000 ushtarë anglezë dhe 79.000 ushtarë francezë. Vetëm në radhët e ushtrisë angleze, numri i të vrarëve ishte 213.980. Ndërsa në kampin tjetër morën pjesë reth 700.000 ushtarë të forcave turke ndër të cilët 213.882 ishin të rënët.

Zekeriya Kurşun,Türkiye Diyanet Vakfı Islam Ansiklopedisi, botimi i parë, Istanbul 1993, vëll. i VIII, fq. 205-208. (përktheu nga turqishtja dhe përshtati në shqip, Elona Sytari).

[2] Një shehid.

[3] Shqipëri.

[4] Dy shehidë.

[5] Greqi.

[6] Një shehid.

[7] Bullgari.

[8] Gjashtëmbëdhjetë shehidë.

[9] Pesëqind e katërdhjetë e tre shehidë.

[10] Gjashtë shehidë.

[11] Njëzet shehidë.

[12] Tetë shehidë.

[13] Horan. Dhjetë shehidë.

[14] Një mijë e nëntëqind e katërdhjetë e dy shehidë.

[15] Shtatëmbëdhjetë shehidë nga Shkodra.

[16] Një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë shehidë.

[17] Shtatë shehidë.

[18] Një shehid.

[19] Katër shehidë.

[20] Dy shehidë.

[21] Dy mijë e tetëqind e nëntëdhjetë shehidë.

[22] Gjashtëdhjetë e tre shehidë.

[23] Dy shehidë.

[24] Pesëdhjetë e tre shehidë.

[25] Tridhjetë e shtatë shehidë.

[26] Një shehid.

[27] Gjashtë shehidë.

[28] Njëzet e dy shehidë.

[29] Pesëdhjetë e katër shehidë.

[30] Dy shehidë.

[31] Një shehid.

[32] Pesëmbëdhjetë shehidë.

[33] Tetëmbëdhjetë shehidë.

[34] Liban.

[35] Njëzet e shtatë shehidë.

[36] Një shehid.

[37] Dy shehidë.

[38] Një shehid.

[39] Dhjetë shehidë.

[40] Një shehid.

[41] Trembëdhjetë shehidë.

[42] Ciceroni i grupit (njëkohësisht edhe imam xhamie në një zonë të afërt më Exhabatin) tregonte se numri i vërtetë i shehidëve të Çanakkalesë ishte i panjohur, edhe për faktin se shumë prej të rënëve nuk ishin identifikuar asnjëherë. Kjo do të thotë se 59408 është numri i shehidëve të identifikuar, por jo numri përfundimtar i të rënëve në këtë betejë të gjatë!

[43] Në këtë vizitë, grupin tonë e drejtonte dr. Durak Pusmaz, pedagog i tefsirit në Qendrën e Studimeve Pasuniversitare Haseki, në Pendik të Stambollit. Ai ishte një burrë fjalëpak, i zbardhur nga vitet dhe nga studimet. Mustaqet e bardha ia shtonin edhe më shumë prezencën prej një studiuesi serioz, i karakterizuar edhe nga durimi e dashamirësia ndaj tjetrit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit