Buzhala i krahason gazetarët me “lopë të shenjta”

0
39

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Buzhala, duke folur për Kodin Penal të Kosovës, respektivisht vendimin e Presidentes së Kosovës, për kthimin në rishqyrtim të neneve 37 dhe 38, ka thënë se gazetarët edhe në SHBA edhe në BE janë në burg për shkak se nuk kanë treguar burimin. Sipas tij, gazetarët kosovarë nuk mund të sillen si “lopë të shenjta” dhe të shkruajnë çfarë të duan. Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti Buzhala ka thënë se deputetët nuk duhet nënshtruar para presioneve mediale.

”Është e vërtetë që e kam votuar në formën si ka qenë, por ajo që nuk është e ndershme që po ndodhë nga Kuvendi dhe Qeveria është një servilitet trashanik që mediat të vetërregullohen”, ka deklaruar Buzhala, transmeton Kosovapress.

Madje, ai ka shkuar edhe më larg duke marr shembuj gazetarët që dënohen edhe në shtetet më të zhvilluar kur nuk tregojnë burimin, andaj nga këto praktika, sipas tij, s’ka pse përjashtohen as gazetarët e Kosovës.

“Për shpifje në kodin penal flasin gjysma e shteteve të BE-së, po ashtu në SHBA. Dhe kemi në burg gazetarë që nuk kanë treguar burimin. Gazetarët nuk duhet të sillen si ‘lopë të shenjta’”, ka thënë ai.

Buzhala ka shtuar se mirë është që është hequr neni 37 dhe 38, por, sipas tij, nuk duhet hequr dorë nga kornizimi.

Ndërsa deputetët e opozitës, seancën e sotme të Kuvendit e kanë filluar me kritika ndaj kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi dhe deklaratave të tij se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovës është respektuar Kushtetuta e Kosovës. /Telegrafi/kohaislame