12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Burhan Fili – Jeta e panjohur e muhaxhirit shqiptar, që u shndërrua në kandil ndriçues

Më të lexuarat

Një nga aktivistët dhe misionarët shqiptarë më të mëdhenj dhe të spikatur të fesë islame në mërgim, Burhan Fili, tani në moshën 68-vjeçare vjen me një rrëfim nostalgjik dhe mbresëlënës për bashkëpunëtorin e revistës Drita Islame, gazetarin Qani Sulku, duke u rikthyer pas në kohë për të kujtuar e për të ndarë me ne, arsyet që e shtynë të arratisej nga Atdheu, peripecitë nëpër kampe derisa mbërriti në tokën e shumëdëshiruar SHBA, vështirësitë për t’u integruar në Amerikë, fati i takimit me kolosë të fesë islame si Imam Vehbi Ismaili, etj., të cilët i ndryshuan rrjedhën dhe kahun e jetës, arsimimi dhe puna në Kajro të Egjiptit, kontributi i tij në krijimin e urave lidhëse në spektrin fetar dhe politik midis vendeve arabe dhe Shqipërisë, si dhe mbi aktivizimin e tij prej dekadash në përhapjen e mesazhit islam anembanë botës.

U lind dhe u rrit në Koplik të Malësisë së Madhe, në një familje ku u ushqye që nga vogëlia me besimin tek Allahu dhe dashurinë ndaj Tij, ndaj profetit Muhamed a.s, si dhe ndaj shoqërisë njerëzore. Në kujtesën e tij nga fëmijëria ruan si një xhevahir, një incident që i ndodhi me njërin prej mësuesve të tij, i cili tentoi edhe me forcë që t’ia ndërpresë agjërimin, por që nuk ia arriti. Burhani ishte vetëm 21 vjeç kur babai i tij u largua nga kjo botë. Bëri përpjekje për të vazhduar shkollën e lartë, por duke qenë familje e deklasuar, nuk arriti ta realizonte këtë dëshirë. Jeta në sytë e tij sapo vinte dhe po vështirësohej çdo ditë e më tepër. Në anën tjetër mungonte gjëja më e shtrenjtë, liria, për të cilën njeriu jep edhe jetën, prandaj dhe ai synonte të largohej nga Shqipëria e asaj kohe, që t’i mbushej kraharori me frymën e lirisë. Situata kishte arritur deri aty saqë vetë ai e përshkruan duke thënë: “Allahu m’i mbylli të gjitha shtigjet për të më lënë të kuptoj se arratisja ishte i vetmi shteg për mua”.

Së bashku me dy shokë të tjerë, natën e 30 korrikut të 1976-ës, pa dijeninë edhe të familjarëve të tyre, arratisen nëpërmjet Liqenit të Shkodrës drejt Malit të Zi, e më pas drejt Italisë, ku u strehuan në disa kampe refugjatësh, dhe pas një periudhe disamujore iu dha mundësia të zgjidhnin një prej vendeve ku donin të emigronin dhe ata që të tre zgjodhën Amerikën me mendimin se, nëse do t’iu binte ajo, e gjithë bota do t’iu binte dhe vërtetë ashtu ndodhi. Në shkurt të 1977 lanë Italinë për t’u zhvendosur përfundimisht drejt SHBA, ku nga udhëtimi i tij ndan edhe një kujtim sa komik aq edhe të sikletshëm, i cili nxjerr në pah se sa të padalë dhe të paditur ishin shqiptarët e atyre kohëve. Përgjatë gjithë udhëtimit, ata nuk e lidhën rripin e sigurimit, ngase nuk e dinin se si lidhej. Me të mbërritur atje u vendosën në Miçigan, ku gjetën edhe shqiptarë të tjerë, kryesisht nga jugu i Shqipërisë. Aty u njoh me Imam Vehbi Ismailin, me të cilin, me kalimin e kohës zuri miqësi të ngushtë, saqë e konsideronte si mentorin (udhëheqësin) e tij. Aty ra në kontakt për herë të parë edhe me librat, aq më tepër të atyre autorëve, librat e të cilëve ishin të ndaluar në tokën mëmë në Shqipëri. Integrimi në jetën e atjeshme nuk qe i lehtë, pasi nuk e njihte gjuhën angleze, si dhe nuk kishte ndonjë formim profesional të mirëfilltë. Prandaj u detyrua që në fillimet e veta në Amerikë, të bënte punë të rënda, kështu që u punësua në një fabrikë, ku punonte 10 orë në ditë. Gjithashtu iu vu mësimit të gjuhës angleze, kursit të drejtimit të makinës, etj. Tashmë kur i rikujton vështirësitë e shumta të përjetuara, arrin në konkluzionin se ato mashkullin e bëjnë burrë ose e lënë mashkull për gjithë jetën.

Burhan Fili, edhe para se të shkëputej fizikisht nga vendlindja e tij, deshi të studionte për fe; donte të ndiqte medresenë, mirëpo ajo u mbyll, kështu që kjo ëndërr ishte shkruar për t’u realizuar diku tjetër. Në Amerikë ai vijoi studimet për gjuhën arabe për dy vjet e më pas Imami i nderuar Vehbi Ismaili i sugjeroi dhe propozoi që të vijonte studimet për shkenca islame në Egjipt, atje ku vetë ai kishte studiuar e qëndruar për 11 vjet. Dashuria për kulturën islame dhe gjuhën arabe, ishte ajo që djalin e Koplikut e çoi drejt Egjiptit. Sapo u pajis me nënshtetësinë amerikane në vitin 1982, së bashku me udhëheqësin e tij shpirtëror, u nisën drejt qendrës më të njohur të dijes islame të asaj kohe, universitetit të Az’harit, ku u armatos me të gjitha armët për t’i bërë ballë shtigjeve të jetës, si dhe me ushqimin shpirtëror që do ta shoqëronte dhe do t’i bënte dobi në të dyja botët. Ndërkohë që ishte vetë student, duke qenë se e njihte anglishten në majë të gishtave, filloi të jepte mësim për studentët e tjerë. Pas përfundimit të studimeve ai nuk u rikthye menjëherë drejt Miçiganit, por qëndroi dhe u aktivizua në Radio Kajro – seksioni i gjuhës shqipe, që kur u hap në 1987, ku përcillte materiale rreth fesë islame.

Me ardhjen e demokracisë në vendin tonë, Burhanit filluan t’i shtoheshin angazhimet. Që nga 1990, ai filloi të merrte pjesë në konferencat islame që zhvilloheshin në vende të ndryshme të botës arabe, si vëzhgues e përfaqësues i Shqipërisë. Kujton Konferencën Islamike të 1991, zhvilluar në Kajro, ku u ftua që të merrte pjesë edhe një klerik shqiptar, i cili ishte Kadiu i Dibrës Sali Ferhati, por që qeveria e Ramiz Alisë dërgoi Haxhi Hafiz Sabri Koçin, për shkak se kishte vuajtur për 20 vjet në burgjet shqiptare, për të krijuar një imazh të ndryshëm për vendin tonë, nga ai që kishin krijuar të huajt. Kujton gjithashtu se si Hafiz Sabriu e kishte ruajtur gjuhën arabe edhe pas shumë vitesh në burg, saqë u bë ylli i konferencës. Për rikthimin për herë të parë pas shumë vitesh në atdhe, Burhani deklaron: “Ata që më detyruan që të arratisem, ishin po ata që pas shumë vitesh më pritën me tapet të kuq” dhe kjo ndodhi në vitin 1991 kur ai inicioi vizitën e parë të delegacioneve arabe në Shqipëri për të kryer takime me përfaqësues të spektrit politik dhe fetar të vendit tonë, duke krijuar kështu ura lidhëse dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Lindjes së Mesme. Kur analizon tani luftën e madhe të sistemit monist ndaj fesë, shprehet: “Ata mendonin se do ta zhduknin Islamin, por ai nuk ka datë skadence, pasi nuk është produkt njerëzor, por drita e Allahut, e cila nuk ka për t’u fikur kurrë”.

Koha që iu desh Burhanit për t’ia filluar nga e para, për t’u integruar në SHBA, arsimimi në Kajro dhe puna më pas, ndikuan që ai të krijonte familje në një moshë jo shumë të hershme. Ai u martua në moshën 39 vjeçare me një vajzë egjiptiane, ku Zoti i bekoi me katër fëmijë, për të cilët ai ndihet krenar, pasi që të gjithë janë të arsimuar dhe me kontribut të vyeshëm në fusha të ndryshme. Vajza e madhe Aishja, është hafize e Kur’anit dhe jep lëndën e gjuhës arabe dhe të Kur’anit në një shkollë islame në SHBA; e dyta është e diplomuar për ekonomi, ndërsa e treta vijon studimet. Djali është më i vogli dhe studion në Stamboll. “Shqipërinë e kam lënë fizikisht dhe jo shpirtërisht” shprehet Burhani, ndërsa edhe pse ka jetuar për 40 vjet në Amerikë, e ka ruajtur me shumë fanatizëm gjuhën shqipe dhe këtë e ka bërë duke lexuar shumë libra shqip, si dhe duke shkruar. Madje atë ia ka trashëguar edhe familjes së tij, ku gruaja edhe pse nuk është shqiptare e flet shqipen, por edhe fëmijët, edhe pse të rritur e të shkolluar në një vend jo shqiptar, komunikojnë shqip. Përveç kësaj, ai ka shkruar edhe disa libra, ku i pari ndër to titullohet: Jehona shpirtnore, ndërsa dy të tjerët i ka në anglisht dhe titullohen: Je krijuar të jesh yll dhe jo meteor në djegie, ndërsa është në proces libri: Shpresa është gjallë, i cili do të përkthehet edhe në shqip.

Që nga 1999, me elokuencën dhe urtësinë që e karakterizon, thirrësi islam shqiptar në mërgim Burhan Fili shpërndan dritën e islamit anekënd botës, ku ftohet në takime, konferenca dhe ligjërata të ditës së xhuma nëpër xhami e tubime me karakter fetar. Energjitë e tija pozitive e sfidojnë moshën e tij, pasi ai gjithmonë është në lëvizje për të përhapur të mirën, si dhe për t’u bërë gur në mbylljen e një grope nga buron e keqja. Kjo është në pak fjalë rezymeja e jetës së një kandili që akoma ndriçon e ka shumë për të thënë dhe shumë për të dhënë që quhet Burhan Fili. Lusim Zotin e Lartmadhëruar që t’i japë jetë të gjatë e ta shpërblejë me të mirat e Tij të pafundme në këtë botë dhe në tjetrën për çdo kontribut të tij. Amin!

/Revista ‘Drita Islame’ – Mars 2017/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit