13.6 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Budini: “Mungesa e dialogut”, shpikje komunikative e Ramës

Më të lexuarat

Leximi i komunikimeve mes studentëve dhe kryeministrit nga studiuesja Belina Budini, përgjegjëse e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET

A mund të quhet protesta e studentëve një krizë komunikimi dhe informacioni? Për shembull askush nuk e parashikoi që do vinte kaq fuqishëm? Po ashtu, ngërçi aktual është tek mungesa e dialogut…

Kjo protestë është përpjekje për të komunikuar, ndaj nuk më duket se mund të përdoret për të ilustruar krizën. Përkundrazi, qëllimet e saj janë thellësisht të lidhura me komunikimin e një krize dhe shumë keqkuptimeve në lidhje me arsimin e lartë publik në Shqipëri dhe gjendjen reale të tij. Protesta nuk ka pse të shihet si problemi, edhe pse ajo mund të mos rezultojë të jetë as zgjidhja nëse shuhet pa arritur qëllimet e veta. Deri tani protesta e studentëve i ka komunikuar shumë qartë kërkesat dhe pritshmëritë e saj fillestare. Jo vetëm përmes parullave dhe memeve, por edhe përmes qëndrueshmërisë së saj dhe gjetjeve të kanaleve të komunikimit. I është imponuar mjedisit mediatik dhe opinionit publik në tërësi për ditë me radhë, duke nxitur diskutime por edhe reflektime për reformimin e pamjaftueshëm ose të munguar të arsimit të lartë në Shqipëri. Protesta vetë ka komunikuar, sikurse thoni ju fuqishëm, edhe për faktin se ka ardhur e papritur në një klimë të supozuar nënshtrimi dhe apatie publike. Format e komunikimit të përdorura nga studentët kanë qenë mjaft kreative dhe ndonëse studentët janë të varfër në burime financiare dhe deri diku edhe kapital kulturor e strukturor, organizimi i saj ka qenë i jashtëzakonshëm. Studentët janë futur në dialog publik jo vetëm me kryeministrin, por me gjithë aktorët përgjegjës për gjendjen e tyre, përmes kësaj proteste. “Mungesa e dialogut” është shpikje komunikative e Ramës. Është rrëfimi konkurrues i vetë kryeministrit përballë aktit dhe narrativës protestuese të studentëve. E shndërruar në lajtmotiv nga ana e Ramës, ajo ende nuk artikulohet gjerësisht në opinionin publik. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të nisë të tingëllojë si kërkesë e natyrshme, edhe pse deri tani është perceptuar më tepër si karrem.

Thuhet shpesh se kryeministri Edi Rama është një ekspert i fushës së komunikimit. Është aktiv në median sociale dhe tradicionale. Pse u duk më i dobët në këtë fushë këto ditë, ndërkohë që studentët dukeshin më superiorë?

Përballë protestës së studentëve, dolën në pah pikërisht limitet dhe qasja trukuese e kryeministrit si komunikues publik. Studentët treguan se janë në gjendje ta tejkalojnë Ramën si komunikues, duke e nxjerrë atë zbuluar në trukimin e realitetit. Superioriteti moral dhe vleror i studentëve e vuri në vështirësi reale qasjen propagandistike dhe joeficente të qeverisjes së tij. Ky perceptim mund të mos zgjasë shumë gjithsesi dhe studentët ndonëse e kanë fituar një betejë të parë komunikative, do të vijojnë të kenë përballë një komunikues politik që ka jo vetëm aftësi aktoriale që i japin pushtet simbolik, por edhe pushtet ekonomik, mediatik dhe institucional. Ky është edhe avantazhi i Ramës përballë studentëve, avantazh të cilin ai kërkon ta legjitimojë përmes thirrjes për dialog. Dialogu i kërkuar (a thua se ai mungon!) në fakt është thjesht një karrem komunikativ për të mbërritur te një pakt institucional, në mënyrë që jo vetëm të fitojë komunikimin me studentët dhe aktorët universitarë, por edhe të kapitalizojë merita qeverisëse dhe reformuese.

Disa thonë se kjo ishte beteja e memeve dhe parullave. A ndani këtë mendim?

Parullat dhe memet duke qenë se kanë qenë mjaft kreative, janë përhapur dhe diskutuar mjaft dhe në këtë mënyrë kanë rezultuar të jenë edhe mjaft eficiente, pra kanë luajtur rol të rëndësishëm në përcjelljen e mesazheve të protestës. E kanë bërë protestën më komunikuese si të tillë, por nuk mendoj se janë të mjaftueshme. Janë aktet ato që sjellin ndryshimet dhe zgjidhjet, ndaj do të ishte reduktuese që kjo protestë të përfundojë e etiketuar thjeshtë si betejë e memeve dhe parullave. Akt nuk përbëjnë memet, por lëvizja studentore, pra angazhimi dhe përkushtimi i atyre studentëve ndaj kauzës së tyre për arsim dhe universitet cilësor. Memet dhe parullat rezultuan të jenë mjete mjaft efikase për të përhapur zërin e tyre deri tani, por nuk do të mjaftojnë për t’i arritur qëllimet e shpallura, në rast se nuk mbështeten edhe në vijim nga akte të tjera.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit