Broadband do të dëgjohet më shpesh në rajonin e Ballkanit

0
41

Përdorimi i rrjeteve me internet të shpejtë, broadband, shihet aktualisht si një mbështetje për zhvillimin e modernizimin e një sërë sfidash publike. Një forum rajonal mbi këtë temë u zhvillua ditët e fundit në Tiranë.
Forumi rajonal i Tiranës që u mbështet dhe nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit uli në një tryezë diskutimi zyrtarë dhe ekspertë që vinin nga sektori publik dhe ai privat, në kërkim dhe në gjenerim të ideve të reja për nxitjen ndër vendet ballkanike të kërkesës për broadband dhe për “e-shërbime”, ose shërbime elektronike. Ratka Strugar, zëvendësministre e Komunikimeve Elektronike, Shërbimeve Postale dhe spektrit të Radiove në Malin e Zi i vlerëson pozitivisht këto takime në nivel rajonal.
Mali i Zi investon në digjitalizimin e arsimit
Duke folur për DW, Strugar, mendon se vendet e rajonit kanë vlerësim të ngjashëm për rëndësinë që ka ndërtimi i një infrastrukture moderne digjitale, me përpjekjet për futjen në shkallë të gjerë të internetit të shpejtë në çdo sektor të jetës. “Nga ana tjetër, secili vend ka dhe nivele të ndryshme qasjeje, ka përvojë dhe eksperiencë të larmishme që i vlen dhe të tjerëve. Ka sfida dhe dilema, për të cilat është mirë që diskutohet në nivel zyrtarësh e ekspertësh në forume të tilla. Digjitalizmi në sektorët e jetës nuk është një gjë që arrihet lehtë. Kërkon ide, kërkon iniciativa racionale dhe kërkon mbështetje financiare e logjistike.”

Strugar tregon se në Malin e Zi është duke u vepruar sipas strategjisë 4 vjeçare 2012 – 2016, e cila ka si një shtyllë kryesore “e – edukimin”, futjen e internetit dhe programeve digjitale në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha nivelet. “Nëse brezat e nxënësve dhe studentëve përfshihen që tani në këtë proces ky është një investim që do të japë efekte në një kohë të shkurtër. Këto janë gjeneratat që do t’i përgjigjen më pas tendencave të zhvillimit ekonomik, social, teknologjik e shkencor etj. Ndaj gjatë bisedës me kolegë nga vendet e tjera të rajonit jemi në një mendje që broadband-i në fushën e arsimit është prioritet i prioriteteve. Ajo që mbetet të shikohet me vëmendje është konvergimi i ‘e- edukimit’ me proceset e tjera të digjitalizmit social e menaxherial, si ‘e –shëndetësinë’, ‘e –qeverisjen’, ‘e-biznes’ etj. Të marra në kompleks këto mekanizma do të na ndihmojë në zhvillimet e së ardhmes.”
Teknologjia e internetit përballë shkencave bazë në arsim
Prof. Dr. Petraq Papajorgji nga Universiteti Europian i Tiranës e shikon instalimin e internetit në shkolla në të gjithë territorin e Shqipërisë si një hap të parë që afron edukimin me standardet e vendeve të zhvilluara europiane. Kjo na bën më të konkurrueshëm dhe me tregun europian, thotë prof. dr Papajorgji për DW. “Për mendimin tim, futja e teknologjisë së informacionit në procesin e edukimit ka një aspekt të dyfishtë. Së pari, se studentët duhet të mësohen me këtë teknologji të re. Është një teknologji shumë dinamike, që gati çdo 5 -7 vjet ka nga një revolucion. Së dyti, teknologjia e informacionit ndihmon për të bërë më të kuptueshme lëndët e tjera shkencore, siç janë matematika, fizika”.

Sipas Prof. Papajorgjit, ka një lloj tendence për t’i dhënë një përparësi më shumë se sa duhet teknologjisë së informacionit në raport me shkencat e tjera ekzakte, siç janë matematika, fizka e biologjia. Por matematika, bilogjia, fizika duhet të jenë fondamenti i procesit mësimor, që nga shkolla fillore deri tek shkolla e mesme dhe teknologjia e informacionit duhet t’u shërbejë këtyre lëndeve si bazë shkencore, mendon ai. Teknologjia është e lehtë për t’u mësuar ndërkohë që shkencat janë të vështira për t’u mësuar. Një vend i zhvilluar dhe një shoqëri e digjitalizuar kërkon mendje me pozita shumë të forta në shkencat fondamentale. “Ky është një aspekt ku përfitojmë eksperiencë pozitive jo vetëm nga shtetet e zhvilluara, por dhe nga vetë vendet e rajonit tonë.”/dw