Britania, nën ethet e racizmit

0
25

Armiqësia ndaj emigrantëve është në rritje nëpër të gjithë Europën, por sondazhet tregojnë se në Britani është më keq se në të gjitha vendet e tjera të pasura

Një raport i qeverisë vlerëson se fitimet nga studentët e huaj janë rreth 7 miliardë sterlina në vit dhe sugjeron se këto përfitime mund të dyfishohen deri në vitin 2025.

Qeveria po u përgjigjet shqetësimeve të votuesve me populizëm të neveritshëm, komenton gazeta britanike më e famshme

The Economist

Qeveria britanike është aktualisht në mes të mandatit të vet dhe ka filluar të punojë për llogari të zgjedhjeve të ardhshme. Kjo u bë e qartë nga dy ngjarje politike të kohëve të fundit: riorganizimi i kabinetit dhe heqja e licencës për Universitetin Metropolitan të Londrës për të pranuar studentë të huaj.

Lajmi i parë ilustron reagimin e qeverisë ndaj shqetësimeve të votuesve. E dyta është një veprim i llahtarshëm populizmi.

Armiqësia ndaj emigrantëve është në rritje nëpër të gjithë Europën, por sondazhet tregojnë se në Britani është më keq se në të gjitha vendet e tjera të pasura. Qeveria e David Cameron erdhi në fuqi duke premtuar se do të ulë numrin e emigrantëve neto në Britani në “jo më shumë se disa dhjetëra mijëra” deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo nuk ishte vetëm e gabuar, në kuptimin e detyrimeve që Britania ka përballë nevojave të veta ekonomike, por gjithashtu ishte jo praktike, për shkak se numrin e kaluar, emigrimi neto ishte 216 mijë veta.

Për shkak se shumë emigrantë fitojnë të drejtën e hyrjes para së gjithash, se shumë vende të BE-së i përzënë studentët e huaj dhe për shkak se studentët përbëjnë 40 për qind të totalit të emigrantëve, është shumë e qartë se mënyra e vetme për të ulur numrin e përgjithshëm është targetimi i këtij grupimi.

Kështu, Cameron vendosi të kufizojë të drejtën e punës pas diplomimit, duke i ashpërsuar kushtet, veçanërisht për studentët nga vendet e varfra, të cilët kanë me të vërtetë nevojë për punë për të paguar koston e lartë të kurseve, që mesatarisht kushtojnë 17,800 dollarë në vit.

Universiteteve u është kërkuar të mbajnë gjithnjë e më të mbikëqyrur studentët e huaj për të garantuar që ata janë në Britani për të studiuar, jo për të punuar. Pikërisht kjo ishte politika që Universiteti Metropolitan i Londrës (LMU) nuk arriti të zbatojë.

Se çfarë do të ndodhë me studentët e LMU është e paqartë, për shkak se universiteti e ka hedhur qeverinë në gjyq. Profesorët thonë se problemet e saj kanë lindur pjesërisht nga fakti se rregullat që i detyrojnë universitetet të monitorojnë studentët kanë ndryshuar 14 herë gjatë tre viteve të fundit.

Një raport nga një komision parlamentar, që u publikua para heqjes së licencës për LMU, e përshkruan sistemin si “shumë dobët të planifikuar dhe të keqkonceptuar në tërësi”.

Se çfarë do të ndodhë me studentët e LMU-së që nuk kanë shkelur asnjë ligj dhe që janë thjesht për të studiuar në Britani, është gjithashtu e paqartë. Qeveria po i ndihmon të gjejnë vende në universitete të tjera, por nuk ka garanci që ata do të pranohen. Nuk ka gjithashtu ndonjë sistem për kompensimin e tyre. Ata janë trajtuar mizorisht.

Dhe ka shumë përfitime nga studentët e huaj

Është shumë e drejtë që qeveria të mbajë nën mbikëqyrje kolegjet dhe universitetet, në mënyrë që të sigurohet që ato nuk përdoren si kanale për punëtorë, të cilët pretendojnë të jenë studentë. Kur emigrantët që dëshirojnë të vijnë janë më të shumtë se sa aftësia e shoqërisë për t’i absorbuar, emigrimi duhet të kufizohet.

Por dëshira për stabilitet shoqëror duhet të balancohet me të mira të tjera, si p.sh. prosperiteti.

Në kulm të krizës ekonomike, qeveria është shumë e interesuar të rrisë industritë e tjera, përpos atyre të shërbimeve financiare me potencial eksporti. Arsimi i lartë është njëra prej këtyre industrive. Një raport i qeverisë vlerëson se fitimet nga studentët e huaj janë rreth 7 miliardë sterlina në vit dhe sugjeron se këto përfitime mund të dyfishohen deri në vitin 2025.

Dhe ka përfitime shumë më të gjera në drejtime të tjera. Të huajt që studiojnë në Britani kanë më shumë gjasa të krijojnë pasuri në vendet e tyre më vonë. Arsimi është mënyra më efektive e krijimit të “pushtetit të butë” me atë shprehjen magjike që përdoret nga diplomacia dhe që synon të tregojë se sa mirë është t’i bindësh të tjerët për të mirat e këndvështrimit tënd pa pasur nevojë të trajnosh topat mbi ta.

E gjitha kjo është vënë në rrezik nga një nismë që synon t’i përdorë universitetet si një degë e Agjencisë së Mbretërisë së Bashkuar për Kufirin. Puna e universiteteve është që të mësojnë studentët, jo të patrullojnë kufijtë e vendit.

Nëse Cameron këmbëngul në uljen e numrit të emigrantëve, ai duhet të përjashtojë nga këto shifra studentët, të cilët kontribuojnë jo vetëm për të mbushur xhepat e vendit, por gjithashtu për të shtuar pasurinë intelektuale dhe që në fund të fundit, qëndrojnë në Britani për një kohë të kufizuar.

Do të ishte akoma më mirë të adaptohej një përqasje më liberale dhe të mbahet mend mirë se Britania u bë fillimisht një vend i madh: përmes të qenët të hapur kundrejt botës, jo duke qenë ksenofob dhe izolacionist./gsh