BREZOVICA PRET INVESTITORËT E HUAJ

0
47

Komiteti Drejtues Ndërministror në takimin e radhës ka marrë vendim që të angazhojë një këshilltar të transaksionit të specializuar në marrëdhëniet me investitorë, për nevojat e zhvillimit të projektit të turizmit në zonën e Brezovicës.

Këshilltari në fjalë do të marrë rolin udhëheqës në komunikim me investitorët e interesuar për qendrën turistike, si dhe për pronat dhe tokën përreth. Qendra e skijimit të Brezovicës është lënë anash që nga vitet e 70-ta, periudhë kjo në të cilën kjo qendër vlerësohej si më e mira në Evropën Juglindore dhe, për më shumë, disa nga shtigjet e saj të skijimit janë shfrytëzuar për zhvillimin e Lojërave Olimpike të Sarajevës, në vitin 1984.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, e cila është udhëheqëse e këtij grupi, tha se “mënyra e investimeve përmes partneritetit publiko – privat do ta drejtojë rrjedhën e këtij procesi”. Sipas saj, një këshilltar i specializuar do të punojë me investitorët e interesuar në përzgjedhjen e modalitetit më të mirë për zbatimin e këtij projekti, në mënyrë që të tërheqë investitorë me eksperiencë në fushën e zhvillimit të qendrave turistike.

Ajo shtoi se Brezovica është shumë e vlefshme për Kosovën dhe komunën e Shtërpcës. “Ne parashikojmë që ajo të shndërrohet në qendër turistike të cilësisë së lartë, duke paraqitur kështu edhe bukuritë natyrore në malet përreth”, përfundoi ajo.

Investimet e reja do t’ia mundësojnë Kosovës që të bëhet konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit turistik. Përmes këtyre investimeve, në qendrën turistike dhe në bizneset që kanë të bëjnë me turizmin në këtë pjesë do të krijohen vende të reja pune. Do të ketë punë në fushën e ndërtimit, atë të skijimit dhe po ashtu vende pune në fushën e transportit, hotelerisë, si dhe në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve tjera të nevojshme.kohaislame