5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Bota reagon ashpër ndaj shpërblimit me Nobel të shkrimtarit i cili njihet si përkrahës i madh Slobodan Millosheviqit, Peter Handke

Më të lexuarat

Me një peticion që ka të bashkëngjitur një fotografi që shpërfaq krimet e “Tigrave famëkeq” të Arkanit në Bosnjë, po kërkohet revokimi i Çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin Peter Handke.

Austriaku 76-vjeçar, që të enjten u shpërblye me këtë çmim prestigjioz, njihet si një përkrahës i madh Slobodan Millosheviqit dhe mohues i gjenocidit në ish-Jugosllavi.

“Peter Handke është një përkrahës kontrovers i ‘Kasapit të Ballkanit’, Slobodan Milloshviq, personit përgjegjës për vdekjen e qindra-mijëra njerëzve të pafajshëm dhe për dhunimin e dhjetëra-mijëra grave e burrave. Një person që mbron një bishë të tillë nuk e meriton as njohjen më të vogël të punës letrare, e lëre më Çmimin Nobel”, thuhet në përshkrimin e shkurtër në këtë peticion, raporton KTV.

Kurorëzimi i austriakut kontrovers nga Akademia Suedeze, ka shkaktuar reagime në mbarë botën.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka quajtur “skandaloz dhe të turpshëm” këtë vendim.

“SKANDALOZE! Komiteti i Nobelit vendos ta shpërblejë Peter Handke-in – një njeri që e ka glorifikuar Milosheviqin që ndryshe njihet si Kasapi i Ballkanit dhe e ka mbështetur regjimin e tij gjenocidiale– është fitues i çmimit të sivjetmë për letërsi”, ka shkuar Çitaku.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar edhe “Nënat e Srebrenicës”, të cilat e kanë quajtur atë të turpshëm dhe kanë kërkuar që Akademia t’ia marrë çmimin Handke-s.

“Ky vendim është i turpshëm dhe mesazh i keq për njerëzimin. Ata duhet ta dinë që kanë lënduar shumë njerëz dhe kanë dëmtuar imazhin e Komitetit të Nobelit, duke vendosur të shpërblejnë një mohues të gjenocidit. Andaj, ne bëjmë thirrje që Komiteti urgjentisht ta ndryshojë vendimin dhe t’ia marrë çmimin Handke-s”, citohet të ketë thënë Munira Subasiq, udhëheqëse e organizatës “Nënat e Srebrenicës”.

Kundër shpërblimit të austriakut kontrovers, ka reaguar edhe Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, “PEN America”.

“Është për keqardhje! Jemi të shtangur nga përzgjedhja e një shkrimtari që publikisht ka goditur të vërtetën historike duke u ofruar ndihmë autorëve të gjenocidit, sikur ish-Presidentit serb Slobodan Millosheviq dhe liderit serb në Bosnjë, Radovan Karaxhiq. Refuzojmë vendimin që një shkrimtar, që vazhdimisht ka vënë në pikëpyetje krimet e dokumentuara të luftës, të nderohet për ‘zgjuarsinë gjuhësore’”, thuhet në reagimin e PEN America-s.

Në mesin e shumë reagimeve, gazeta britanike The Guardian, citon reagimet e ashpra të shkrimtarëve me famë botërore: Selman Rushide, Hari Kunzru dhe filozofit Slavoj Zhizhek.

Edhe prestigjiozja Washington Post, në një artikull të saj, përcjell kritikat për shpërblimin e mbrojtësit të gjenocidit, Peter Handke.

Për shkrimtarin kontrovers ka shkruar edhe gazeta spanjolle El Pais, e cila mes tjerash shkruan se “austriaku ka qenë një përkrahës i Milosheviqit, politikanit serb të akuzuar për krime lufte.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në Twitter, ka shkruar se “i vjen të vjell nga ky vendim i turpshëm”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit