Bota nuk mban zi për myslimanët

0
192

Nga Daud Noorzai

Ky shkrim është publikuar nga e përditshmja më e madhe gjermane, Bild. Autori, Daud Noorzai është një nga gjermano-afganët më të njohur dhe më me ndikim. Ky shkrim i tij ka ngjallur shumë debat në rrjetet sociale

Gjatë viteve të shkuara kemi përjetuar shumë sulme të tmerrshme terroriste: Në botën perëndimore dhe veçanërisht në botën e tretë. Çdo sulm trondit shumicën paqedashëse në mbarë botën- pa marrë parasysh racën, fenë apo statusin shoqëror.

Ne jemi kujdesur për viktimat dhe kemi dënuar veprimet e terroristëve.

Po, sulmet në botën perëndimore kanë tërhequr më shumë vëmendje sesa sulmet e ngjashme në botën e tretë apo në vendet islamike.

Ua kam shpjeguar njerëzve ndryshimin me ndikimin e mediave më të mira, me faktin se në botën perëndimore kanë më shumë akses në internet, por edhe sepse shumë janë të shurdhër për shkak të luftërave dhe sulmeve në vendet islamike.

Por, sulmi i tmerrshëm në Zelandën e Re më ka shkatërruar argumentin.

Kam gabuar: Ne- njerëzit, pavarësisht racës, fesë apo statusit tonë shoqëror, nuk mbajmë zi në të njëjtën masë për të gjithë viktimat e sulmeve të ngjashme, ne nuk i dënojmë të gjithë terroristët njësoj, mediat nuk e mbulojnë menjëherë masakrën dhe politikanët tanë nuk bëjnë të njëjtat përpjekje!

Ne dalim në rrugë, ngushëllojmë dhe ndryshojmë fotot tona vetëm për ‘viktimat e bardha’. Një sulm mbi myslimanët- edhe në një vend të botës së parë- nuk shkakton të njëjtin zemërim të mediave, nuk sjell marshime të politikanëve dorë për dore për paqen apo projeksione mbi monumente dhe ndërtesa për të treguar solidaritet.

Dhe nuk po tregoj me gisht vetëm botën jo-myslimane. Edhe në botën myslimane mungon një shprehje e tillë solidariteti.

Ngjashëm me mungesën e motivimit për të treguar solidaritet me viktimat myslimane, ekziston gjithashtu edhe një përshkrim befasues për autorin. Këtu, në disa media ai nuk etiketohet si terrorist, por në disa raste si një ‘vrasës’ apo një ‘gjahtar’.

Këtu më lind pyetja: A janë fjalët terror, terroristë, fanatikë vetëm për vrasësit me pasaporta nga vendet islamike?

Sigurisht, pas këtij sulmi terrorist, nuk do të ketë kontrolle shtesë nëpër aeroporte, ku të bardhët do të deklarojnë se nuk kanë lidhje me organizatat terroriste. Për njerëzit nga bota islame, nga ana tjetër, është e njëjta histori.

Pika ime e fundit mund të duket shumë e ashpër dhe jam i sigurt se shumë lexues do të më sulmojnë për të. Por unë shpresoj se disa do të përpiqen të kuptojnë mesazhin pas fjalëve të mia:

Është jashtëzakonisht e trishtë që janë vrarë kaq shumë njerëz, unë ndjej keqardhje për të afërmit e tyre. Por më duhet ta them: Jam i kënaqur që terroristi nuk ishte mysliman. Në këtë rast, familjet duhet të brengosen për të afërmit e tyre, jo për të gjithë myslimanët.

Por nëse konstelacioni do të ishte ndryshe (terroristi mysliman/viktimat të krishterë ose hebrenj)- miliona myslimanë do të vuanin nga sulmet mediatike në javët dhe muajt e ardhshëm dhe do të fajësoheshin kolektivisht nga publiku dhe do të vendoseshin nën dyshime të përgjithshme dhe do kontrolloheshin më shumë nga autoritetet e sigurisë.

Lutjet e mia janë me viktimat- por asgjë nuk do të ndodhë. Viktimat do të varrosen, terroristi do të shkojë në burg dhe ne do të vazhdojmë jetët tona. Dhe do ketë sërish të tjera sulme terroriste ndaj myslimanëve.