7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Bota më zemërngurtë – Raporti Botëror për emigrimin

Më të lexuarat

Migrimi është kthyer në një pjesë të pandarë të jetës moderne. Raporti i vitit 2012 për emigrimin dhe katastrofat në botë hedh dritë mbi 70 milionë vetë në botë që detyrohen të emigrojnë.
Emigrim për shkak të luftërave, katastrofave natyrore dhe shkatërrimit të mjedisit – në të gjithë botën 72 milionë vetë gjenden në arrati. Një në çdo njëqind vetë ka braktisur sipas statistikave vendlindjen. Në këtë përfundim mbërrin Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq në raportin e katastrofave në botë për vitin 2012. Emigracioni i detyruar është një tendencë në rritje në botë, deklaron Matthias Schmale, zëvendëssekretari i përgjithshëm i federatës. “Ne e përdorim fjalën “i detyruar” sepse më shumë se 70 milionë vetë në botë nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër, veç emigrimit. Ata duhej të braktisnin vendlindjen e tyre në kërkim të një jete më të mirë dhe të sigurt.”
43 milionë vetë janë kthyer në refugjatë për shkak të luftës. Ata kanë kërkuar ndihmë jashtë kufijve të vendit të tyre, apo kanë lëvizur brenda tij. 15 milionë të tjerë janë çrrënjosur për shkak të katastrofave natyrore. Për vitin 2011 Federata e Kryqit të Kuq regjistron 336 katastrofa, një numër relativisht i ulët. Edhe shifra e 31.000 jetëve të humbura në këto katastrofa, krahasuar me vitet e mëparshme është relativisht e ulët. Më shumë se gjysma e viktimave lidhen ne cunamin në Japoni në mars 2011. Por për faktin se katastrofa e vitit të shkuar preku një nga vendet më të industrializuara në botë, dëmi prej 365 miliardë dollarësh është më i larti i regjistruar ndonjëherë.

Humbësit e zhvillimit
Raporti i Kryqit të Kuq përmend edhe një shtresë tjetër të emigrantëve, të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre: Njerëz, të cilët kanë humbur shtëpinë për shkak të projekteve të zhvillimit. Në rast të ndërtimit të një dige, apo prishjes së një lagjeje të varfër njerëzit humbasin vatrat e tyre. Edhe shpronësimet për shkak të hapjes së minierave apo zhvillimit të ekonomisë bujqësore i detyrojnë njerëzit të emigrojnë.
Sipas Kryqit të Kuq problemi është shumë serioz. Së paku 15 milionë vetë, me gjasa edhe më shumë janë prekur nga viti 2011-2012 nga ndryshime të tilla. Me të drejtë ata mund të cilësohen si humbësit e zhvillimit. Shpesh pas projekteve të tilla qëndrojnë interesa ekonomike të fuqishme. Vetë qeveritë nuk tregojnë ndonjë interes për të mbajtur statistika të tilla, qoftë qeveria kineze, ajo e Indisë, e Kolumbisë, apo e Etiopisë. Shumë të prekur raportojnë se gjendja e tyre është keqësuar dhe nuk është përmirësuar pas migrimit. Matthias Schmale megjithatë shpjegon: “Raporti për katastrofat nuk ngre pretendime kundër projekteve të zhvillimit. Ai kërkon më shumë që të merren më shumë parasysh pasojat humanitare për të prekurit, kur zhvillohen projekte të tilla.”

Më shumë se një çati mbi kokë
Jo gjithmonë emigracioni është një fazë e përkohshme e jetës. Më shumë se 20 milionë vetë jetojnë si refugjatë të përhershëm. Shpesh është një kombinim faktorësh që pengon rikthimin. Herët a vonë për të dëbuarit shtrohet çështja e integrimit, thotë Matthias Schmale. Nuk mjafton vetëm një çati mbi kokë. Por dëshira e emigrantëve për perspektivë jetësore nuk ndeshet me zemërgjerësinë. Robert Tickner, Sekretar i Përgjitshëm i Kryqit të Kuq Australian vëren se “në botë ka një zemërngurtësi të tipit të ri”. Politikanët shpesh janë nën presion të luajnë kartën e mospranimit të të huajve për të rritur shanset e rizgjedhjes. Tickner bën thirrje për më shumë guxim dhe vlera humanitare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit