14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Bonu fit për 30 ditë

Më të lexuarat

Agjërimi dhe të ushqyerit e shëndetshëm: Shujta 30 ditore dhe plani i ushtrimeve gjatë Ramazanit

Gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit, përveç adhurimit dhe shqetësimit se si të përmirësohemi shpirtërisht, shumë njerëz preokupohen me atë se çfarë të përgatisin për iftar dhe syfyr gjatë 30 ditëve të këtij muaji. Madje shumë prej blerjeve fillojnë një apo dy javë para Ramazanit. Gjatë ditëve të para, disa njerëz ia teprojnë me përgatitjen e ushqimeve të shumta dhe luksoze duke mos menduar se si do të ndikojnë pastaj ato ushqime, sidomos në kohën kur ata duhet të ngrihen për të falur teravitë.

Në këtë artikull, do të diskutojmë përfitimet e shumta të Ramazanit në aspektin psikologjik, të stilit të jetesës si dhe mënyrën se si mund të qëndroni të shëndetshëm dhe ‘fit’ përderisa agjëroni; duke ndjekur planin special të ushqimit dhe ushtrimeve gjatë 30 ditëve të Ramazanit.

Syno që ky Ramazan të mos jetë një tjetër festival i ushqimit, por të jetë një muaj të cilin do ta përdorësh për t’i kthyer peshën dhe ushtrimet në binarët e duhur, in sha Allah!
Bëje prioritet adhurimin, jo ushqimin!

Shumë prej njerëzve e shohin Ramazanin si muaj për të përgatitur shujtat më të mira, pasi agjërimin e gjithë ditës duan ta shpërblejnë duke ngrënë shumë ushqim në iftar. Mirëpo, Ramazani është një shans vjetor për të shlyer mëkatet, për të ndryshuar stilin e jetesës dhe për t’u afruar me Allahun e Madhëruar, në mënyrë që kur të përfundojë ky muaj, ne të qëndrojmë në rrugën e duhur dhe të vazhdojmë veprat dhe cilësitë e mira të cilat i kemi fituar gjatë Ramazanit.

Pa marrë parasysh se a është Ramazan apo jo, shqetësimi ynë rreth ushqimit duhet të jetë gjithmonë i njëjtë. Ne agjërojmë për hir të Allahut të Madhëruar, andaj nuk është e nevojshme që ta shpërblejmë veten tonë duke qëndruar me orë të tëra në kuzhinë, kur shpërblimet tona të vërteta janë tek Allahu. Prandaj, duhet pasur parasysh që fokusin primar ta kemi në ngritjen shpirtërore, ndërsa konsumimi i ushqimit duhet të jetë i njëjtë me atë të ditëve të tjera të vitit.
Mëso rëndësinë e të ushqyerit mirë

Edhe pse nuk duhet të përqendrohemi shumë në konsumimin e ushqimit gjatë iftarit, megjithatë është shumë e rëndësishme që të mbajmë një dietë të përshtatshme.

Për shkak të punës apo të shkollës, shumica prej nesh kemi agjenda të ndryshme gjatë Ramazanit. Disa prej nesh nuk mund të qëndrojmë zgjuar gjatë tërë natës, andaj na duhet një gjumë i rehatshëm me ushqim të mirë, në mënyrë që të kemi mundësi të agjërojmë dhe të jemi të qëndrueshëm gjatë ditës në vazhdim.

Me ndryshimin e rutinës dhe shprehisë së ushqimit, ne mund të jemi të pavetëdijshëm ndaj faktit se mund të shtojmë peshë. Ne nuk kemi kohë të ushtrojmë, e as të fokusohemi në ushqim të mirë, ngase është Ramazan, kuptohet. Andaj ne mendojmë se duke ngrënë ushqime të yndyrshme për iftar apo syfyr, do të kemi më shumë energji përgjatë ditës.

E gjithë ideja se ushqimi i yndyrshëm na jep më shumë energji është e pasaktë. Në fakt, ushqimet e rënda e të yndyrshme na bëjnë të ndihemi të lodhur përderisa qëndrojmë në këmbë gjatë namazeve të gjata. Po ashtu, çmimet e ushqimeve të yndyrshme janë më të larta se ato të ushqimeve të shëndetshme, andaj thjeshtë zgjidhni ushqimin e duhur.
Cilat janë ushqimet e mira?

Ushqimet e mira janë gjithmonë ato të rriturat në mënyrë natyrale. Ato janë ilaç natyror për shumë sëmundje. Gjatë Ramazanit, ti duhet të mbushësh frigoriferin tënd me fruta dhe jo me ushqime të këqija, të zgarës dhe me yndyrë.

Kush tha se e gjithë kjo është e lodhshme dhe e mërzitshme? Thjeshtë duhet të jeni pak kreativ, ashtu si jeni me ushqimet jo të shëndetshme. Për t’jua lehtësuar paksa, ne po i ndajmë me ju disa ide të cilat do t’ju ndihmojnë të përgatisni iftare të shëndetshme, in sha Allah. Kjo do t’ju japë një ide më të qartë se çka të përgatisni dhe si të përfitoni përgjatë Ramazanit.

Si e përmirëson agjërimi shëndetin dhe ruan peshën ideale?

Ramazani është koha e ideale për të filluar me ushtrimet fizike përderisa jemi në udhëtimin e afrimit tek Allahu i Madhëruar. Agjërimi ka shumë përfitime psikologjike dhe mundëson humbjen e peshës duke ju dhënë një shans për t’ju qasur ndryshe ushqimit si dhe përmirësimit të mënyrave të të ushqyerit.

Për këtë kemi edhe një hadith madhështor të Profetit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të) rreth shprehive të të ushqyerit të shëndetshëm: “Nuk ka mbushur i biri i Ademit enë më të keqe se sa barku i tij. Por nëse do që patjetër të hajë, atëherë një të tretën ta ketë për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për frymëmarrje” – Ibn Maxhe.

“Të ushqehemi duke mos u ngopur plotësisht” – ishte këshilla e Profetit tonë (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të) qysh para 1400 viteve, shumë më herët se koha kur dietat dhe skemat e humbjes së peshës u bënë sensacion. Nëse e ndjekim këtë këshillë të artë nga Profeti ynë (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin për të), ne nuk do të hamë pa kontrollë dhe ta mbushim stomakun tonë derisa të ngopet, gjë që pashmangshëm ndikon në shtim të peshës, përtaci dhe përgjumje.

Agjërimi është një ndihmues për personat të cilët nuk mund ta kontrollojnë ushqimin. Ai ndihmon në rritjen e vetëkontrollit dhe tejkalimit të varësisë nga ushqimi, për arsye se na detyron të hamë vetëm atëherë kur është e lejuar dhe pas disa ditësh trupi mësohet me këto ndryshime. Sigurisht, agjërimi ndihmon në gjetjen dhe adaptimin një mënyre të ushqyerit të shëndetshëm, e cila mund të vazhdohet edhe pas Ramazanit, in sha Allah.
Agjërimi ndihmon në humbjen e peshës

Agjërimi mund të jetë një mënyrë e sigurt për të humbur peshë. Shumë studime tregojnë se agjërimi i mundëson trupit që të djegë qelizat yndyrore më shpejtë se sa dietat normale.

Pra, pas një dite agjërimi, do të ishte më efektive që të ushtrojmë së paku 30 minuta, me fokus të veçantë në ushtrimet ‘kardio’. Gjatë ditëve të agjërimit digjen më shumë qeliza yndyrore se sa gjatë ditëve normale, për shkak se agjërimi i lejon trupit të përdorë yndyrën si burim kryesor të energjisë, në vend të sheqerit. Sot, shumë atletë e përdorin agjërimin gjatë kohës së garave si mjet për të arritur përqindje të ulëta të yndyrës trupore.
Agjërimi nuk është vuajte nga uria

Disa njerëz kanë përshtypjen se agjërimi lë trupin pa ushqim dhe të bën të “vdesësh nga uria”. Kjo nuk është e vërtetë. Agjërimi nuk është vuajte nga uria. Thjeshtë është të mos pish dhe mos hash për një periudhë të caktuar kohore.

Martin Berkhan, një konsulent ushqimor dhe trajner personal, në një artikull për agjërimin dhe mitet e tij thotë: “Të mos hash një shujtë apo të agjërosh për orë të caktuara nuk do të thotë ‘të vdesësh nga uria’. Një mendim i tillë është absurd dhe qesharak”.

Agjërimi është detoksifikim natyral

A e keni vërejtur se gjatë Ramazanit trupat tonë janë më të pushuar? Kjo ndodhë për shkak se agjërimi i jep sistemit të tretjes një pushim dhe kjo mund ta aktivizojë metabolizmin në djegien e kalorive dhe yndyrave në mënyrë më efikase.

“Agjërimi mund ta rregullojë tretjen dhe të përmirësojë funksionet e zorrës. Të mos hash asgjë për vetëm një ditë ndihmon trupin të pastrojë toksinat dhe të rregullojë funksionimin e organeve tjera të trupit duke përfshirë këtu mëlçinë dhe veshkat”, thotë eksperti i shëndetit, Nathan Hewitt në një prej artikujve të tij.

Edhe pse ka përfitime të shumta të cilat janë vërtetuar shkencërisht, agjërimi nuk duhet të jetë zgjidhja e vetme dhe permanente e humbjes së peshës, sepse humbjet e para të peshës gjatë Ramazanit janë humbje e ujërave, dhe jo humbje e konsiderueshme e peshës. Nëse humbja e peshës bëhet shpejtë, ajo do të rifitohet po aq shpejtë kur t’i kthehemi rutinës normale. Andaj, mos e harroni këtë gjë: agjërimi ju ndihmon të filloni procesin e humbjes së peshës por nuk është zgjidhje permanente.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të humbin apo të mbajnë peshë pa u ndier të dobët apo të lodhur gjatë agjërimit apo qëndrimit në namaze të gjata, ne do të postojmë planin special të agjërimit dhe ushtrimeve përgjatë 30 ditëve të Ramazanit. Plani ofron sugjerime për ushqime të thjeshta, të shijshme dhe të shëndetshme për iftar, syfyr dhe rostiçeri përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, e po ashtu edhe disa sugjerime për ushtrime ditore. Gjithashtu plani përmban 10 receta të thjeshta dhe të shijshme në mënyrë që të mos gjeni arsye për të mos iu përmbajtur këtij plani! Ndiqeni këtë plan për së afërmi aq sa mundeni dhe In sha Allah nuk do të shtoni peshë, por në fakt do të humbni ca dhe do të qëndroni ‘fit’ dhe të shëndetshëm gjatë dhe pas muajit të Ramazanit!

Janë shumë gra të cilat nuk dëshirojnë apo nuk munden të shkojnë në palestër gjatë Ramazanit si shkak i mungesës së kohës pas iftarit. Për këtë arsye, ato janë të prira të shtojnë peshë dhe të ndihen më keq gjatë agjërimit dhe faljes së namazit të teravive.

Ju nuk keni pse të ndiheni keq gjatë këtij Ramazani, in sha Allah. Në mënyrë që ju të mund të ushtroni në shtëpitë tuaja, ne kemi paraqitur disa video të ushtrimeve për t’ju ndihmuar të ushtroni dhe të jeni “fit” gjatë Ramazanit. Këto video janë bërë në mënyrë speciale për nënat të cilat qëndrojnë në shtëpi.

Video 30 minuta “Vrapo me Zaran” është në dispozicion për të gjitha gratë dhe mund të gjendet në Youtube dhe Dailymotion.

Shpresojmë ta shfrytëzoni Ramazanin, së pari në aspektin shpirtëror, e pastaj të filloni rrugëtimin e ushtrimeve dhe të qëndruarit “fit” përmes përfitimeve të panumërta të agjërimit.

Nga: Productive muslim

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit