16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Bloomberg shkruan për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, sjell rrëfimin e njërës prej viktimave

Më të lexuarat

Një grua 22 vjeçare shtatzënë, shqiptare nga Kosova kishte menduar se veshja e një pelene, si mbulesë, do të maskonte rininë e saj dhe do ta shpëtonte nga ushtarët serbë.

Por, një mbrëmje, ajo u dërgua në shtëpinë e babait të saj në Kosovën perëndimore dhe – ashtu si dy nga motrat e saj para saj – ajo u përdhunua.

Kështu e fillon shkrimin mediumi prestigjioz amerikan “Bloomberg” duke kujtuar një ngjarje të prillit të vitit 1999, më pak se një muaj pasi NATO filloi një fushatë bombardimi për të përzënë forcat serbe nga Kosova.

Dhe dy dekada më vonë, shkruan tutje ky medium, përcjell Telegrafi, pasojat vazhdojnë të shfaqen dhe historia e saj është njëra nga mijëra që tregojnë përse një pajtim politik mbetet i pakapshëm.

Kështu, thuhet tutje, ndërsa politikanët e Kosovës tani flasin hapur për viktimat e përdhunimit në ngjarje publike, deklaratat e tyre kundërshtohen nga udhëheqësit serbë.

Një “përplasje” e tillë e fundit publike ndodhi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut në shkurt, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq ngriti dyshime rreth numrit të grave të përdhunuara të përmendura nga homologu i tij Hashim Thaçi në të njëjtën ngjarje.

Vuçiq dhe Thaçi kanë qenë në bisedime për ta vendosur të “tejkaluar të kaluarën” dhe për t’u përpjekur të integrohen me Bashkimin Evropian.

Autoritetet e Kosovës thonë se 20,000 gra kryesisht shqiptare janë keqtrajtuar nga ushtarët serbë. Kjo do të thoshte se viktimat e dhunës seksuale tejkalojnë numrin prej 13.595 njerëzve të vrarë në luftë. Militantë nga të dyja palët janë paditur për krime lufte.

Deri më sot, motrat nuk kanë diskutuar se çfarë ka ndodhur me to dhe familjes së bashkëshortit nuk i është thënë asnjëherë.

Ajo ishte marrë nga ushtarët kur gjendja e saj në mëngjes e kishte detyruar të dilte jashtë për të vjellë.

“Ajo tha se do të kishte qenë më mirë nëse ata do të më vrisnin”, tha gruaja, e identifikuar si L.A. në një shoqatë të grave në qytetin perëndimor të Kosovës, në Gjakovë. Një terapist ishte i ulur pranë saj.

Në të vërtetë, shkruan “Bloomberg”, u deshën 15 vjet që vetë politikanët në Kosovë të thyejnë tabunë për viktimat e përdhunuara, me presidenten e atëhershme Atifete Jahjaga duke marrë hapin e parë për hedhjen dritë mbi tmerret që përjetuan aq shumë gra.

“Kjo temë është mbajtur nën maskën e turpit për shkak të mentalitetit të vendit tonë dhe është mbajtur si një tabu”, citohet të ketë thënë Jahjaga në një intervistë më 11 mars në Prishtinë.

Gjithashtu, u deshën disa vite për të krijuar fonde për viktimat të cilat që nga viti i kaluar mund të aplikojnë për të marrë një pension deri në 230 euro në muaj nëse aplikimi i tyre miratohet nga një komision.

Deri tani mbi 1.300 gra kanë aplikuar dhe rreth 400 aplikime janë përpunuar, sipas Jahjagës.

“Duke e ditur mentalitetin tonë, nuk besoj se shumë prej tyre do të bëjnë një gjë të tillë”, citohet të ketë thënë ajo.

Ndërsa Mirlinda Sada, drejtoresha ekzekutive e shoqatës së grave, Medica Gjakova, tha se punëtorët e saj socialë ende duhet të takohen me gratë në fusha ose të shkojnë për shëtitje për të maskuar kontaktet e tyre të para.

Ajo kujtoi një rast nga dy vjet më parë, kur një djalë erdhi t’i kërkonte asaj të ndihmonte nënën e tij, një e ve që ishte mbajtur në shtëpinë e vjehrrit të saj për 17 vjet.

“Që nga fundi i luftës ajo u lejua të lëvizte vetëm nga një dhomë në tjetrën”, tha Sada. “Nuk iu lejua të shkonte as në oborr”.

Kështu u deshën rreth një vit për të bindur vjehrrin që të lejonte gruan të kërkonte ndihmë dhe të bashkohej me seancat e drejtuara nga terapistët.

Kur L. A. u paraqit para komisionit nëntë anëtarësh, duke parë se një burrë ishte gjithashtu në panel dhe ajo nuk mund të jepte detajet që i kërkohej të jepte. Rasti i saj u refuzua.

Ajo do të përpiqet të apelojë vendimin.

“Përgjigjja negative u rihapë plagët”, tha nëna e katër fëmijëve, tani 42 vjeçe.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit