7.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Biznesmeni që u zhytë thellë e më thellë në borxhe nga fajdet në Prishtinë

Më të lexuarat

Biznesmeni Arton Shala u kishte marrë para në formën e huasë katër personave. Ai përveç kthimit të parave po pretendon se ishte detyruar të paguajë edhe kamatë. Shumë kjo e cila për muaj ndryshonte varësisht prej personave, nga 1 mijë euro deri në 4 mijë e 500 euro për muaj.

Në njërin prej rasteve, Shala pretendon se ishte kërcënuar dhe ishte rrahuar fizikisht nga disa persona për shkak se thotë nuk kishte pasur mundësi t’ia paguante kamatën në tërësi. Biznesmeni kishte vazhduar edhe më tej që në emër të kthimit të kamatës të hynte përsëri në borxhe të tjera për t’i kthyer paratë sërish me kamatë.

Nexhat Hajredini, Naim Kadriu, Agron Halimi dhe Arben Sheqiri janë duke u përballur me organet e drejtësisë për shkak se dyshohen se i kishin dhënë para me fajde, Arton Shalës.

Hajredini dyshohet se i kishte dhënë para me fajde dy herë nga 10 mijë euro Shalës. Për ta kthyer borxhin biznesmeni ishte detyruar të paguaj çdo muaj nga 2 mijë e 500 euro ndërsa në total kishte paguar shumën prej 35 mijë eurove.

Pas kësaj Hajredini i kishte dhënë përsëri para me fajde, Shalës. Kësaj radhe ai i kishte dhënë 30 mijë euro, ndërsa Shala ishte detyruar t’i kthej shumën prej 60 mijë euro në emër të interesit. Por Hajredini sipas aktakuzës nuk ishte shprehur i kënaqur. Kishte kërkuar nga Shala që t’ia jep edhe 40 mijë euro.

“Gjatë punës së tij me biznes, së pari i ka marr borxh Nexhmi Hajredinit të cilit ia ka marrë 20.000 Euro njëherë 10.000 Euro e më vonë edhe 10.000 Euro të tjera dhe prej këtyre Artan Sejdiut ia ka kthyer borxhin prej 35.000 euro fillimisht, ndërsa të pandehurit Nexhmi çdo muaj ia ka kthyer nga 2500 Euro në emër të fajdesë dhe kështu për një vit rresht. Po ashtu borxhin prej 20.000 eurove ia ka kthyer të pandehurit Nexhmi dhe këtë shumë ia ka kthyer përnjëherë dhe më nuk ka obligim ndaj të pandehurit Nexhmi. Pas kësaj ka marrë nga i pandehuri Nexhmi 30.000 euro, ku për çdo muaj i ka paguar interes prej 4.500 euro dhe për tridhjetë mijë euro të fundit, në emër të interesit ia ka paguar 60.000.00 (gjashtëdhjetëmijë) euro, por i pandehuri Nexhmi ia ka kërkuar edhe 40.000.00”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.

Ky nuk kishte qenë rasti i vetëm që Shala po pretendon se ka marrë para me fajde. Biznesmeni thotë se kishte pasur borxh 65 mijë euro ndaj një personit me nofkën “Tali”. Thotë se për t’ia kthyer para ishte kërcënuar disa herë nga ai person, ani pse thotë se nuk ia din emrin e as mbiemrin.

Shala shpëtimin e kishte kërkuar nga Naim Kadriu, prej të cilit thotë se kishte marrë 30 mijë euro, me afat që t’i kthej për 18 muaj. Këtë shumë ai nuk kishte arritur ta paguar brenda afatit. Shala kishte kërkuar nga Kadriu që ta pres edhe për një kohë. Por që ky i fundit kishte refuzuar ta presë atë.

“I pandehuri Naim Kadriu ia ka huazuar 30.000 dhe me këto para ka pas me ia kthye për 18 muaj ndërsa në çdo muaj ka pas me ia dhanë nga 1.300 Euro, në fillim ia ka dhënë nga 1.300 çdo muaj dhe kështu ka paguar 5-6muaj. Kur ka kaluar 18 muaj nuk ka arrit t’ia kthej të pandehurit Naim 30.000 E dhe nga ai ka kërkuar që të pres edhe një kohë që t’ia kthej borxhin, por i pandehuri Naim nuk ka pranuar”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insadjeri.

Më tej Shala kishte kërkuar para edhe nga Arben Sheqiri, të cilin thotë se nuk e kishte njohur kurrë më parë. Prej të cilit thuhet se ka marrë shumën prej 11 mijë eurove. Shala nuk kishte arritur t’ia kthente të gjitha paratë Sheqirit prej të cilit thotë se është rrahur fizikisht. Thotë se ai i kishte dërguar tre persona në zyre për ta rrahur për shkak të borxhit.

“I pandehuri Naim ka shkuar te bashkëshortja e tij në punë dhe i ka treguar asaj për borxhin sipas tij prej 40.000.00. Pas të pandehurit Naim, ka marr para hua prej të pandehurit Arben, të cilin më herët nuk e ka njohur kurrë, tek i cili ka arritur përmes një personit Gazit, ku të pandehurit Arbeni ia ka marrë hua 11.000.00 euro dhe ka pas me ia dhanë në emër të interesit çdo muaj nga 1.100.00 dhe atë derisa t’ia kthej shumën prej 11.000.00 eurove ku gjithsej i ka paguar 6.000.00 eurove, ndërsa për pjesën tjetër e kërkuar që të merren vesh, por i pandehur Arben i ka sjellë në zyre tre persona të cilët e kanë rrahur për shkak të borxhit që kishte ndaj Arbenit”, thuhet në aktakuzë.

Më tej thuhet Sheqiri ia kishte gjetur Shalës një tjetër mundësi për marrje të parave me fajde. Ai e kishte njoftuar me Agron Halimin, prej të cilit kishte marrë shumën prej 8 mijë eurove, ndërkohë që Agron Halimit nuk kishte arritur t’ia kthente paratë.

“Pastaj i pandehuri Arben ia ka gjetur të pandehurin, Agron Hazirin, duke i thënë që të merr para nga i p pandehuri Agron dhe t’ia jap të pandehurit Arben. I dëmtuar Arton, ka marrë nga i pandehuri Agron 8.000 euro, ku nga kjo shumë i ka dhënë të pandehurit Arbeni, 5.000 eurove dhe të pandehurit Nexhmi, 3.000 euro. Të pandehurit Agron ia ka kthyer dy muaj nga 1.000 euro dhe më shumë nuk ka pasur mundësi që t’ia kthej. I pandehuri Agron pas kësaj ia ka kërkuar 20.000.00 euro në emër të borxhit prej 8.000 dhe në emër të kamatës”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Insajderi.

Shala ishte përballur me kërcënime Halimi për çka biznesmeni kishte njoftuar Policinë e Kosovës. Në aktakuzë thuhet se Shala tani ka pranuar se Naim Kadriut i ka mbetur borxh shumën prej 20 mijë eurove pa kamatë, ndërsa Agron Halimit shumën prej 6 mijë euro pa kamatë. Thotë se askujt tjetër nuk i ka më borq.

I akuzuar thotë se fajdja nuk pranohet as nga zoti dhe as nga ligji

Version tjetër kanë të akuzuarit e këtij rasti. Nexhmi Hajredini, në polici është mbrojtur në heshtje ndërsa në mbrojtjen e dhënë në prokurori ka deklaruar se Arton Shalën e njeh që nga fëmijëria ku kanë qenë në shkollë bashkë. Sipas tij edhe vëllai i tij ka punuar në garazh të Shalës.

Sipas tij ai ia kishte dhënë paratë pa kamatë për shkak të punës së Shalës me vëllanë e tij. Me këshillën e të vëllait Hajredini thotë se kishte kuptuar se Shala po bënte dallavere. Ku më pas ia kishte kërkuar paratë.

“Pas një kohë i ka thënë se nuk mundemi me punuar së bashku prandaj edhe t’i kthej paratë. Janë takuar për këtë qëllim në kafe, por nuk ia ka dhënë parat por i ka premtuar se do të shes ndonjë pronë dhe do t’ia kthejë paratë”, thuhet në aktakuzë.

Naim Kadriu në deklaratën e tij në prokurori kishte mohuar pretendimet e Shalës. Ai thotë se së bashku me të kishte hapur një biznes me anti-friz, por që sipas tij pas një kohë kishte dështuar biznesi.

“Pasi nuk kishte arritur t’ia merrte parat kishte shkuar tek përmbaruesi privat ku kishte nis procedurën për të realizuar të drejtën e tij për kthimin e parave. Pas urdhrit të përmbaruesit privat, Artoni kishte bërë prapësim, në atë prapësim nuk kishte cek asgjë lidhur me kamatën e këtij borxhi apo fajde, por e kishte kontestuar aktin noterial duke u thirr në atë se ky akt nuk është ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe kishte shkuar në shtypin e të dëmtuarit për të kërkuar paratë e tij”, thuhet në aktakuzë.

I akuzuari tjetër në këtë rast Agron Halimi kishte thënë në prokurori se Shalën e kishte njohur para katër apo pesë viteve si myshteri si dhe si biznesmen pasi që thotë se kishte blerë vajra për makinë të tij. Mohon se njeh Naim Kadriun dhe Nexhat Hajredinin, ndërsa Arben Sheqirin thotë se e njeh për shkak se kanë bizneset në një afërsi prej 100 metrave.

Sipas deklaratës së tij, Shala kishte shkuar disa herë në lokalin e tij për ta lutur që t’i jap borxh. Sipas tij pasi i kishte dhënë 8 mijë euro, Shala nuk ia kishte kthyer. Ku më pas i kishte kërkuar edhe 1 mijë euro të tjera.

“Gjatë verës së vitit 2015, në restorantin ‘Cypolli’ është takuar me Arton Shalën për të biseduar rreth borxhit dhe gjatë bisedës Artoni ka qit në tavolinë 1000 euro me qëllim ta kthej një pjesë të borxhit pasi që më herët ishin marrë vesh që shumën e lartë cekur të parave, nëse nuk mundet të i’a kthej në tërësi borxhin prej 9.000 do të ia kthente pak nga pak”, thuhet në aktakuzë.

Edhe i akuzuari tjetër Arben Sheqiri ka mohuar akuzat për dhënie të parave me fajde. Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se kjo gjë është e ndaluar me ligj dhe është e ndaluar tek zoti.

“Arsyen pse ia ka dhënë këto para Artoni, ka thënë se i ka ardhur keq për të pasi i ka thënë se i ka punët ngushtë. Artoni i ka kërkuar një afat prej dy muajsh që t’ia kthejë paratë, ku Artoni i ka kthyer 1.500 gjatë vitit 2014. I pandehuri Arben ia ka mundësuar që të kthej borxhin pak nga pak, nuk ka kërkuar nga Shala që ta kthej as kamatë as fajde sepse siç ka thënë është i vetëdijshëm se kjo është e ndaluar edhe me ligj edhe para zotit”, ka deklaruar Sheqiri.

Prokuroria hedh poshtë pretendimet e të akuzuarve duke u quajtur të pabaza. Në përgjimin e transkriptuar thuhet se Agron Halimi i kishte kërkuar që shumën e parave t’ia kthejë me “kompensim ashtu siç jemi marrë vesh”./Insajderi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit