12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Birmania, një udhëtim në histori…

Më të lexuarat

Gazetari Blendi Fevziu ka përshkruar udhëtimin e tij në Birmani, ku tregon historikun e atij vendi dhe se si vrasja e muslimanëve është turp më i madh i këtij vendi.

Xhungla e famshme birmaneze nuk dallohet nën errësirën që rrethon avionin e madh të “Thai Airways”, ndërsa dritat e para të Rangon – it, janë shenja e vetme që po afrohemi në destinacion. Në një orë fluturim, udhëtari kalon nga Bangkoku, qyteti më i vizituar dhe me më shumë turistë i globit, në Yangon, një ndër qytetet më të izoluara të botës. I ndaluar për dekada dhe i hapur vetëm në 3 vitet e fundit për të huajët, ai përbën një ndër kuriozitet më të mëdha të kohës për një udhëtar. Një qytet i krahasueshëm me Pyongyang – un e Koresë së Veriut deri pak kohë më parë, ai ngjan sot çuditërisht miqësor me ata që kërkojnë ta vizitojnë.
Aeroporti është i madh, edhe pse fluturimet ndërkombëtare janë ende të pakta krahasuar me qytete e tjera aziatike rrotull. Gjëja e parë që të bie në sy është diçka mjaft e ngjashme me aeroportin tona. Policët afrohen herë herë dhe fusin pa rradhë të njohurit e tyre, ose persona zyrtarë, që shmangin rreshtin e gjatë ku kontrollohen të huajët. Në një vend si Shqipëria, me 2 milion banorë kjo është relativisht e kuptueshme, por për 60 milion banorët e Myanmarit është thuajse pa sens.
Eshtë errur dhe rruga natën, me makinë, nga Aeroporti për në hotel, një ish rezidencë e guvernatorit britanik të kolonisë, ngjan identik me gjithë rrugëtimet e kësaj ore. Nga shumë e shumë udhëtime, kam krijuar bindjen se nuk ka asgjë më të gabuar se sa të gjykosh për një qytet në tisin e errësirës. Errësira ose i fsheh difektet, ose në shumë rastë, me misterin e saj e bën mbërritjen më të trishtuar. Por nuk është ky rasti kur mbërrijmë në Hotel. Një godinë druri “tek”, e ndërtuar në fund të shekullit të XIX, e zhytur mes një oborri të harlisur tipik tropikal, me një taracë gjigande në katin e dytë dhe me tubetat kundër mushkonjave që kanë zëvendësuar napat e dikurshme që rrethonin karriget prej bambuje.
Yangon – i është qyteti më i madh kolonial i Azisë sot. I ndërtuar kryesisht në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX nga britanikët, thuajse nga asgjëja, ai ruan ende një koleksion impresionues godinash koloniale dhe vilash mahnitëse. Edhe pse disa prej tyre janë në prag të rrënimit. Çatitë e tyre dalloheshin nga taraca e hotelit mes pemëve të dëndura dhe pellgjeve me zambakë uji.
– Sa larg prej vendit tim, pyeta veten, ndërsa vështroja Godinën mahnitëse të Ambasadës Indiane, përballë hotelit dhe sa ngjashmëri kemi me të?
7700 Km larg Tiranës, në një vend ku askush nga ata që takuam nuk e dinte ku binte Shqipëria, ngjashmëritë politike me ne, janë sërish të mëdhaja.
Të vizitosh Myanmarin, ose Birmaninë siç quhej dikur (të tjerë e njohin me emrin Burma), është më shumë se sa një kuriozitet. Vendi ka xhunglën më të famshme të rruzullit, rezervat e drurit Tek, ndër më të mëdhatë në botë dhe një gamë të gurëve të çmuar dhe gjysëm të çmuar. Por përtej të gjitha këtyre, ka një histori impresionuese.
Për shumë vite vendi ishte mbretëria më e rëndësishme e Azisë Juglindore dhe një qendër e njohur e budizmit. Me një pafundësi pagodash që shtrihen ende mahnitëse në brigjet e lumit në qytetin e njohur si Old Bagan. Por në shëkullin e XIX Britanikët, që tashmë kishin shtënë në dorë Indinë, nisën nënshtrimin e vendit dhe kthimin e saj në një koloni të Perandorisë së tyre. Luftërat midis Britanisë dhe Burmës përfundun me nënshtrimin e kësaj të fundit në tre faza. Në mes të shekullit të XIX Birmania ishte tashmë një koloni Britanike, që varej nga qëndra administrative e vendosur në Kalkuta. Anglezët nisën njëkohësisht një plan të fuqishëm për modernizimin e vendit. Ata zgjodhën një fshat të vogël të quajtur Yangon, në afërsi të bregdetit, në deltën e një lumi dhe e shndruan në Kryeqytetin e vendit. Një arkitekt ushtarak britanik, hartoi një plan urban që ngjan ende sot fantastik. Ai ndërtoi sipas modelit të Nju Jorkut, 12 aveny dhe 140 rrugë, duke e ndarë gjithë qytetin në katrorë thuajse të barabartë dhe tejet të rregullt. Në anë të tyre u ndërtuan vila mahnitëse koloniale prej druri, ose ndërtesa administrative imponuese, gjithnjë në po atë stil. Edhe pse gjysëm të rrënuara, ato janë ende sot një stoli mahnitëse për qytetin. Yangon – i u shndrua nga një fshat në një Kryeqytet, ndoshta më moderni i Azisë Juglindore. Siç thonë librat e historisë, ai kishte në fillim të shekullit të XX një infrastrukturë dhe fasilitete shumë të ngjashme me ato të Londrës.

 

 

Por midis dy luftërave, lëvizja indipendentiste nisi të marr hov dhe në fund të viteve ’30, një djalë i ri, kryetar i Partisë Komuniste të Birmanisë dhe ushtarak, vendosi të niste luftën kundër Britanikëve duke kërkuar ndihmën e Japonezëve. Ai quhej Aung San dhe shpejt e pagëzoi veten me titullin e Gjeneralit. Japonezët e pushtuan Burmën duke nxjerrë jashtë Britanikët dhe Aung San u vu në krah të tyre. Por kur lufta nisi të marrë kthesë, ai u largua bashkë me njerëzit e tij, nga Japonezët tek britanikët. Ju kërkoi atyre të njihnin pavarësinë e Burmës dhe premtoi të luftonte për ta çliruar nga japonezët.
Kur Japonezët e humbën luftën, britanikët vendosën ta mbajnë premtimin, duke e lejuar Brimaninë të shpallte pavarësinë, thjeshtë me një periudhë 10 vjeçare kujdestarie. Aung San, me uniformën e Gjeneralit u bë Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Birmanisë, një version i Kryetarit të Qeverisë, por drejtoi vetëm një mbledhje në atë pozicion. Në Korrik 1947, rivalët e tij dërguan brenda në sallë një komando që qëlloi mbi të dhe gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë. Gjenerali Aung San u vra, duke fituar statusin e heroit kombëtar të Birmanisë dhe vendi fitoi pavarësinë pak kohë më vonë. Kur vdiq ai, la një vajzë 2 vjeçare të quajtur Aung San Su Ki, që luan ende një rol kyç në politikën e Birmanisë dhe që u bë një person i njohur ndërkombëtarisht.
Birmania qëndroi disa vjet në një rrugë normale zhvillimi, por në 1962, ushtria organizoi një grusht shteti. Ajo mori pushtetin me forcë dhe e mbajti atë deri në vitin 2015. Edhe sot me kushtetutën e re, ushtria ende e kontrollon ende. 25 % e Parlamentit nuk zgjidhet por emërohet nga ushtria. Për më shumë se 53 vjet, Birmania kishte një ndër regjimet më represive dhe më të dhunshme në botë. Gjeneralët shtypën me dhunë disa protesta popullore, ndër më të përgjakshmet ato të vitit 1988 ku brenda një dite në Universitetin e Yangon – it u vranë afro 3000 vetë dhe në 2007, kur një protestë e murgjve budistë u shtyp po me dhunë.
Junta ushtarake ndaloi çdo lloj lirie civile. Për të kuptuar absurdin e tyre, mund t’ju referohesh vendimeve që ata morën. I hoqën vendit emrin Birmani ose Burma, siç e quanin Britanikët dhe i i vendosën emrin e lashtë Myanmar. I hoqën Kryeqytetit emrin Rangon dhe ja kthyen në Yangon. Meqenëse makinat e kanë timonin sipas stilit britanik nga e djathta, ata vendosën që shoferët të ecin në anë të kundërt, vetëm për të qenë ndryshe nga Britania.

 

 

Kur ne fund të viteve ’80 – të nisën të shtohen protestat dhe pakënaqësia nga junta, të trembur nga atentatet, ata ndaluan në qytetin me 8 milion banorë, motorrët. Duke i konsideruar një mjet për atentate, asnjë nuk lejohet më të lëvizë me to në qytet. Por edhe kjo ishte e pamjaftueshme. Kur protestat nisën të shtohen dhe të bllokojnë gjithnjë e më shumë jetën e Kryeqytetit, ata morën një vendim që shumë pak vetë mund ta besojnë dhe që shumë pak diktatorë në botë kanë guxuar ta bëjnë. Llogaritën në hartë kush është pika më qëndrore e vendit dhe vendosën aty, në një fushë të hapur të ndërtojnë një Kryeqytet të ri. Ndërtimi nisi në vitin 2002, duke angazhuar 25 Firmat më të rëndësishme të ndërtimit në Azi. Ai u projektua për 5 milion banorë edhe pse aty jetojnë sot më pak se 120 mijë. Qyteti u rrethua nga 11 unaza me nga 10 korsi secila, por në rrugët madhështore ka pak ose aspak trafik. Në nëntor 2005, tre vjet pas fillimit të punimeve, qeveria ushtarake u shpërngul në Kryeqytetin e ri. Shpërngulja ju nënshtrua ligjeve religjioze të vendit. Ajo nisi më 11 Nëntor, në ora 11 të mëngjesit dhe autokolona përfshinte 1100 makina ushtarake, me 11 batalione dhe 11 ministri. Por Kryeqyteti nuk kishte ende asnjë emër dhe ai njihej thjeshtë me emrin, qyteti i ri. Një vit më pas, gjatë një parade ushtarake të pakrahasueshme ku merrnin pjesë 12 mijë trupa, ai u quajt Naypyidau. Por Ambasadat e huaja dhe biznesi nuk lëvizën nga Yangon – i. Sot, Birmania, Myanmari apo Burma, kanë një kryeqytet real që quhet Yangon apo Rangon dhe një Kryeqytet në letër që quhet Naypyidau.

 

 

Historia e juntës filloi të komplikohej në vitin 1988. Në atë kohë, e veja e Gjenerali Aung San, autorit të pavarësisë së Birmanisë ishte në prag të vdekjes dhe vajza e vogël, Aung San Su Ki, erdhi ta vizitojë. 2 vjeçare kur ju vra babai, ajo ishte rritur dhe shkolluar në Nju Delhi, Indi, aty ku e jëma e saj u emërua ambasadore e Burmës në vitet e para të pavarësisë. Më pas kishte studiuar në Oksford ku ishte njohur dhe martuar me një britanik dhe në vitin 1968, ishte thirrur në Nju Jork nga një diplomat Burmez, mik i afërt i babait të saj, U Than, i cili që prej vitit 1961 ishte Sekretar i Përgjithshëm i OKB – së. U Than kishte luajtur një rol në negociatat mes Kenedit dhe Hrushovit në krizën e Kubës dhe i ofroi një post mjaft të rëndësishëm vajzës së mikut të tij. Kur U Than u largua pa dashur të rizgjidhet në 1971, Aung San Su Ki, u rikthye në Britani, ku bashkë me burrin dhe dy fëmijët, ndërtoi një karrierë akademike. Do të kishte qenë ende atje, pa ndonjë interes për vendlindjen, sikur gjatë një vizitë për të parë nënën që ishte në ditët e fundit të jetës, një përfaqësi e studentëve të Yangon – it të mos trokiste në derën e shtëpisë së vjetër të babait të saj, heroit të Birmanisë. Ata i kërkonin që ajo të vihej në krye të tyre, në një parti politike, që do të mundëte ushtarakët në zgjedhjet e një viti e gjysëm më pas, në 1990, që Junta i kishte deklaruar si të lira nën presion ndërkombëtar. Ajo premtoi që do të vihej në krye të tyre dhe krijoi Ligën Kombëtare për Demokraci. Në zgjedhjet e 1990, Liga fitoi 81 % të vendeve në Parlament, por ushtarakët refuzuan ta dorëzojnë pushtetin. Ata arrestuan Aung San Su ki dhe shpërndanë partitë politike. Falë popullaritetit të të atit gruaja i shpërtoi ekzekutimit dhe burgut, por u vendos në arrest shtëpie ku qëndroi për 21 vjet. Junta i kërkonte që të largohej, por ajo e dinte që nuk do ta lejonin të kthehej më. Për 21 vjet nuk i takoi djemtë dhe njëkohësisht, i shoqi ndërroi jetë, pa e parë, edhe pse Ollbrajt fluturoi vetë në Myanmar për t’ju kërkuar gjeneralëve që ta lejonin burrin e diagnostikuar me kancer që ta shihte për një ditë gruan e tij para vdekjes. Qëndresa dhe vendosmëria e saj u kthyen në mit në perëndim. Për të u xhiruan filma, shkruan libra dhe u organizuan koncerte. Pas Mandelës, ajo konsiderohej e burgosura politike më e famshme në botë. Në 20 vjet ajo mori çdo çmim të rëndësishëm botëror: Çmimin Nobel për Paqe; Çmimin Saharov për të Drejtat e Njeriut nga Bashkimi Europian; Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan e shumë e shumë të tjerë. Presidenti Obama e vizitoi atë në shtëpinë e saj e po ashtu edhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton.

 

 

Kur më 2015 doli nga izolimi dhe fitoi 86 % të vendeve të zgjedhura në Parlament, ajo konsiderohej një shpresë demokracie për gjithë Azinë. Më 2016 u zgjodh Kryetare e Qeverisë (Një post që zëvendëson Kryeministrin sepse kushtetuta nuk e lejon të jetë Kryeministre ngaqë djemtë e saj kanë nënshtetësi britanike), por në vitin 2017 nisi masakra ndaj popullsisë myslimane në kufi me Bangladeshin, që quhen Rohinga. Masakra ndaj Rohingave ishte e pamëshirshme dhe gjithë bota, ktheu sytë nga Aung San Su Ki, kampionia e lirisë. Tani në pushtet, ajo i quajti lajmet për masakrën e Rohingave Fake News ose keqkuptim. Pushteti e kishte transformuar gruan e fortë që nuk e përkuli as arresti dhe bota u gjet jo vetëm e hutuar, por edhe e papërgatitur për masat e reja. Tani po diskutohet nëse mund ti hiqet çmimi Nobël dhe çmimet e tjera që ka marrë, ndërsa Universiteti i Oksfordit largoi nga holli qëndror i hyrjes portretin e saj.
M’u kujtua që në fillim të viteve ’90 – të, kur kisha parë një film për të isha impresonuar nga qëndresa dhe filozofia e saj. Tani, duke qëndruar në derën e shtëpisë ku ajo kishte rezistuar e izoluar për 21 vjet, m’u kujtua thënia e një ish të burgosuri politik në vitet e komunizmit. E kisha takuar në fillim në Tiranë, në vitin 1991, kur sapo kishte dalë nga Burgu, me një batanije të grisur mbi supe. Më 1995 e kisha takuar sërish, tashmë si Drejtor policie në një qytet të Jugut. Më tha diçka që s’do ta harroj kurrë:
– Në burg i kërkonin të dënuarve të dilnin dëshmitarë kundër shokëve të tyre, madje i kërcënonin me vdekje. Dhe ata nuk pranonin edhe pse humbisnin jetën. Kur ju dhanë poste, ishin gati, të vrisnin shokun e tyre, për një post polici.

 

Transformimi nga pushteti ishte universal dhe i njëjtë kudo.
Rexhi, shoqëruesi ynë është edhe ai i kujdesshëm në bisedë. Gruaja qe një dështim, thotë ai. Pastaj na sheh në sy dhe shton se nëse e thoshte këtë 3 vjet më parë dhe shoferi e spiunonte, mund të bënte plot 7 vjet burg.
– Tani së paku mund të flasim u shpreh ai, që shtoi se pushtetin real e kishin ende Gjeneralët. Ata kishin shtëpitë më të bukura; veturat, biznesin dhe thuajse të gjithë 12 miliarderët e vendit 60 milionësh.
-Cili është monumenti më i rëndësishëm në vend, pyes Rexhi – n, i cili flet një anglishte brilante, por me theks tipik kolonial.
Për mua është Sule Pagoda, shprehet me një zë kumbues, duke rrëfyer se qyteti, ka tre pagoda tejet të rëndësishme. Njëra prej tyre, është Sule Pagoda, një vend ku gjenden relike te Budës, të sjellë nga India thuajse 2600 vjet më parë. Rreth Sule Pagodës, shtrihet zemra koloniale e qytetit, me një arkitekturë mahnitëse, por me shumë godina gjysëm të rrënuara. Dikur Ministri dhe ndërtesa publika, ato janë braktisur që në momentin që Kryeqyteti u zhvendos 300 e ka kilometra më larg prej aty. Por Stacioni qëndror i Trenit, godina e Guvernatorit (tani bashkia e qytetit) duken si të dala nga një film për Kolonitë Britanike në mes të viteve 30 – të.
Të huaj janë të rrallë dhe përballja e tyre, shoqërohet me një tundje të lehtë koke, ose më të ngeshmit, që dallojnë një fytyrë europiani, mund edhe të ndalojnë për një bisedë të shpejtë.

 

 

Nuk ka asnjë dyshim që monumenti më mbresëlënës është Shëedagon Pagoda. 99 metra e lartë, tempulli budist më i madh në vend. E ngritur mbi kodrën dominuese të qytetit Singhutara, ajo ka dominuar Yangon – in dhe banorët e tij, prej 2600 vjetësh. Historia nis kur dy vëllezër tregtarë burmezë, Tafusa dhe Bhallika takuan në Indi Budën dhe i kërkuan atij një relike për bashkëqytetarët e tyre. Buda ju dha, 8 fije të flokëve të tij dhe me këtë pjesë shenjtërie në dorë ata arritën në qytetin e tyre, në shtëpinë e ngritur mbi kodrën ku sot lartohet Pagoda. Mbreti Okalapa që e mësoi këtë vendosi ngritjen e një pagode, në zemrën e së cilës, do të qëndronin objektet e shenjta.
Padoga është ndërtuar 7 herë gjatë 2600 viteve, duke arritur lartësinë që ka sot. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar 62 Ton ar i pastër, ose 62 000 kg flori, siç i themi ne. Por ari që stolis gjithë masivin e saj, nuk është asgjë, përpara asaj që përfaqëson maja. Kupola e vogël, vetëm 120 cm e lartë është dekoruar me 5448 diamante dhe 2317 rubinë të mrekullueshëm. Maja e kupolës përbëhet nga një diamant 76 karat, ose 15 gram, një nga 5 më të mëdhenjtë që njihen në botë. Në një moment të ditës, kur dielli bie direkt mbi të, prodhon disa rrezatime mahnitëse që i ngjajnë atyre të krijuara me lazer. Por në Yangon, nuk ka lazer, por një diamant gjigand.
Dhe nuk mbaron kë tu. Nën kupolë janë disa rrathë me varse modeste, të ngjashme me ato ku varen palltot, në të cilat, për 2600 vjet, mbretër, perandorë, apo pasanikë budistë kanë varur sendet e tyre më të çmuara. Unaza, byzykylë, gjerdanë, gjithçka që ata kanë besuar, se shpreh më së miri devocionin ndaj Budës dhe filozofisë së tij…
Pagoda nuk është thjestë një objekt. Eshtë një kompleks i tërë, i gjithi mahnitës, me stolisjet plot gëdhendje dhe me energjinë, besimin dhe mjeshtërinë e qindra brezave në këto 2600 vjet.

 

 

Asnjë nuk ka hyrë në brendësi të saj, më thotë Rexhi dhe e vetmja që lejohet është një familje Armene, e cila kujdeset për Pagodën prej 2000 vitesh. Ajo që thonë, shprehet ai, është se kjo që shihet jashtë, nuk ka asnjë lidhje me mrekullinë që fshihet nga syri i njeriut brenda. Dhe aty nuk hyn askush veç Armenit.
Nuk e kuptoj se çfarë kanë kërkuar armenët në këtë anë të largët te botës, por mbasdite, ndërsa ulemi në Hotel Strand, më i famshmi dhe më i vjetri në qytet, na thonë se ai është themeluar në vitin 1904 nga vëllezërit Sarkies, po ata që kishin krijuar, edhe hotelin e famshëm Raffles në Singapor. Edhe ata ishin armenë dhe sot, njihen në gjithë Azinë si themelues të hotelerisë moderne në Singapor, Birmani, Malajzi dhe Indonezi.

Yangoni është qyteti më i rëndësishëm i vendit, por Bagani është padyshim qendra më e famshme e Birmanisë, por edhe më gjerë. Në fushat e humbura të një fshati, dikur kryeqytet, që quhet Old Bagan, ngrenë krye mbi 3000 pagoda, të të gjitha madhësive. Të gjitha, me majat e tyre mbi palmat e larta. 3000 pagodat, që po mahnisin botën nëpër fotot e internetit, janë vetëm ajo që ka mbetur nga mbi 10 mijë që qenë ndërtuar aty në shumë vite. Bagani është destinacioni turistik më i ri, por ndoshta më tundues i botës sot, edhe pse, që të arrish aty, nuk është aspak e lehtë.
Avioni që do të na çojë nga Yangon – i në Bagan është një ATR 52, thuajse 25 vjeçar, që fluturon për llogari të shoqërisë së fluturimeve KBZ Air. Ajo që të surprizon është që KBZ zotëron edhe një bankë; edhe një shoqëri taksish në qytet, edhe shitblerje pronash të patundshme. Pronarët e saj janë, siç na thanë, lordët e drogës së trekëndëshit të artë, aty ku ndahen, Myanmari, Tailanda dhe Laosi.
Udhëtimi është i qetë, me gjithë pasigurinë që të jep fluturimi me një kompani që nuk të thotë asgjë. Avioni të kujton një autobuz linje. Ndalon në fillim në Bagan, më pas në Mandalej dhe ne fund ndalet ne Kryeqytet. Në aeroporte hipin e zbresin udhëtarë. Shumica janë vendas, nëse nuk llogarit një italiane, dy domenikanë dhe një turist japonez. Avioni është thuajse bosh, ndërsa mbërritja në Bagan, po kaq befasuese. Aeroporti ka një pistë të gjatë, por jo një terminal. Një kapanon i gjatë, ku disa punonjës të ngadalshëm, më shumë për qejfin e tyre të tregojnë me dorë drejtimin jashtë.
Pamja që shfaqet në dalje të aeroportit është befasuese. Përjashta, aty ku mendohet se rrinë ata që presin udhëtarët, është një bordurë e rrubullakët, që qarkon një pemë shekullore. Në të, rrinë ulur pleq dhe të rinj, në të njëjtin stil që qëndronin dikur në fshatrat tonë, në sheshin e fshatit.

 

 

-Cfarë bëjnë këta këtu, pyeta shoferin e makinës që na priste?
-Shohin kush vjen, m’u përgjigj me qetësi, gjithë seriozitet.
Pagodat e para nisën të shfaqen që në dalje të aeroportit. Të kuqe ose të arta, aty këtu të bardha, me lartësi dhe gdhendje të ndryshme ato lartoheshin mahnitëse në dy anët e rrugës. Pamjen e bënin më mbresëlënëse dheu i ngjashëm me atë të shkretëtirës dhe palmat që i qarkonin në gjithë anët si dekor. Nuk kisha parë asnjë herë një gjë më mbresëlënëse dhe ideja mu përforcua më shumë të nesërmen, kur me balonin e një kompanie vendase, që drejtohej nga një pilot Londinez, fluturuam mbi qiejt e Baganit. Pagodat lartoheshin kudo, me majat e tyre të mprehta, rrethuar nga baraka të varfëra, lopë e buaj të bardhë dhe njerëz në mjerim. Njerëz që kishin vuajtur nga varfëria dhe izolimi; nga mungesa e ushqimit dhe diktatura. Por që në mijëra vjet, ishin kujdesur për të mbajtur në këmbë atë pasuri mahnitëse. Nuk i kishin shqyer shtizat e arta, as paretet e lara me ar: nuk i kishin vjedhur diamantet dhe as tullat e pagodave të vjetra për të ndërtuar shtëpi. I kishin ruajtur me mund, duke i restautuar pa shpërblim, duke u munduar t’ju përcillnin fëmijëve dashurinë për to. I kishin konsideruar të shenjta, dhe me shenjtërinë e tyre, qoftë edhe psikologjikisht ato jua kishin lehtësuar jetën…
Ditën e kthimit, u ngjitëm lart, në mal, për të parë, nga distanca një nga manastiret më të famshëm të globit, Mont Popën. Në taracën e një hoteli modest, mbushur me Francezë, pamja ishte mahnitëse. Një manastir i artë, në një lartësi të thepisur, që të jepte përshtypjen që ngulej në qiell si një heshtë. Ashtu ishte ngulur në vemendjen tim ai vend me xhungël të dendur dhe me një kampione lirie, Aung San Su Ki – në, që befas, ndërsa kisha tentuar ta takoja personalisht, brenda 6 muajësh ishte transformuar, tërësisht, duke dëshmuar se ti rrezistosh tundimit të pushtetit është më vështirë se ti rrezistosh çdo gjëje tjetër në botë. Aung San Su Ki e kishte humbur magjinë e saj, tek unë, por duke parë pagodat fantastike të Baganit kisha gjetur një tjetër, magji, atë që quhej Myanmar, Birmani, apo Burma…

 

Blendi Fevziu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit