8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Bibliotekat e Kosovës angazhohen në përpunimin elektronik të librit

Më të lexuarat

Angazhimi për avancimin në fushën e përpunimit elektronik të librit, është mesazhi që është dhënë në edicionin jubilar të manifestimit që i kushtohet bibliotekarisë. “Java e bibliotekës në Kosovë” ka përmbyllur aktivitetin pesëditor të dielën, pas maratonës së ligjëratave, ekspozitave e dokumentarëve që për disa ditë kthyen vëmendjen nga libri. Biblioteka Kombëtare e Universitare e Kosovës, pasi i ka vënë pikën e fundit edicionit të dhjetë të “Javës…” do të nisë me trajnimet në fushën e përpunimit elektronik.

Sali Bashota, drejtor i BKUK-së, është shprehur i kënaqur me rezultatet e këtij aktiviteti dhe ka paralajmëruar se institucioni që ai drejton do të punojë për konkretizimin e ideve që janë shkëmbyer gjatë ditëve të fundit.

“Duke u nisur nga ato që janë thënë gjatë këtyre ditëve, ne të martën do të vazhdojmë me trajnimin me një eksperte nga ShBA-ja në fushën e katalogut elektronik”, ka thënë Bashota. “Në këtë trajnim do të marrin pjesë mbi njëzet punonjës të bibliotekave të Kosovës”, ka shtuar ai.

“Pa dyshim që më së shumti kanë zgjuar interesim ligjëratat e Jason Yasnerit, zëvendësdrejtor i Bibliotekës Digjitale Botërore, por edhe diskutimi për bibliotekat e Kosovës”, ka thënë ai.

Bashota ka shtuar se ndër aktivitetet e rëndësishme që ka përfshirë manifestimi, ka qenë edhe Dita e Dhurimit të Librit.

“Grupi KOHA dhe shtëpia botuese ‘Logos’ nga Shkupi kanë qenë donatorët më të theksuar të këtij edicioni”, ka thënë ai. Botimet KOHA në fund të marsit, ka ndarë për bibliotekat e Kosovës 30 mijë libra.

“Java e bibliotekës në Kosovë”, që organizohet nga Biblioteka Kombëtare e Universitare e Kosovës dhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, është hapur më 11 të këtij muaji./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit