8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Beteja është me… dekurajimin

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

“Njeriu s’është plotësisht fajtor, pasi nuk është ai që e filloi historinë, por as edhe krejtësisht pa faj nuk është, për sa kohë e vazhdon atë”, shprehet nobelisti Albert Kamy, duke na vënë përpara një dileme të rëndësishme: kur e evidentojmë një të keqe, a rrezikojmë dhe ne të bëhemi pjesë kur nuk përpiqemi ta shmangim atë, kur e lëmë të vijojë me idenë se nuk mundeshim të bënim asgjë?

Në fakt, një shoqëri e jona, e ardhur nga mungesa e thellë e moralit dhe e besimit në Zot, e ka pasur të vështirë të orientohet përballë fuqisë së pushtetit, duke lejuar absolutizëm te liderët. Duke trashëguar si aset “njeriun e ri” që konsideronte konformizmin dhe bindjen si artin më të madh në përditshmëri, shoqëria ka qenë e brishtë përballë pushtetit. Për të mbajtur ritmin e frikës, pushteti përgjithësisht ka tentuar të përcaktojë termat e debatit, madje edhe të përcaktojë kriteret e së vërtetës. Ndaj, edhe gjuha e besimtarëve është shumë periferike në botën e sotme politike, pasi në thelbin e fesë është morali dhe qëndresa përballë së keqes, ndërkohë që gjuha e sotme politike është përshtatja, konformizmi deri në ndryshimin e identitetit, me justifikimin se e rëndësishme është të mbijetosh.

Ish-i burgosuri i kampit famëkeq të Aushvicit, shkrimtari hebreo-italian, Primo Levi, në librin e tij “Të shpëtuarit dhe të mbyturit”, përshkruan se si Hitleri helmoi moralin e shoqërisë, përpara se të helmonte hebrenjtë. Levi shpjegon se duke falsifikuar kujtesën dhe duke asgjësuar gjuhën e njohjes së realitetit, pushteti ndërton një realitet të ri, që bëhet edhe arena e ideve, ku diskreditohen edhe bashkëpunëtorët, edhe kundërshtarët politikë, me qëllim që të ketë vetëm një version: gjuha e liderit. Kështu ndodhi edhe në ish-vendet komuniste, e pa dyshim edhe në Shqipëri, ku gjuha e komunikimit dhe kultura u përcaktua nga gjuha e liderit.

Fatkeqësisht, po të kthesh kokën pas në këto 30 vite ndryshimesh politike e të gjykosh mbi ligjërimin politik në Shqipëri, është vështirë të dallosh individualitete të tjera jashtë koncepteve të liderit që ka qeverisur, çka më pas ka shtruar edhe rrugën drejt një despotizmi gjuhësor dhe kulturor jo vetëm mbi anëtarët e partive, por edhe mbi gjithë shoqërinë. Një gjuhë e tillë ka synuar të kontrollojë të ardhmen e alternativave, si brenda vetë një partie, ashtu edhe me kundërshtarët politikë- madje sidomos këta të fundit, të cilët kanë rënë në grackën e kundërshtive dhe terminologjisë sipas asaj që ka përcaktuar pushteti.

Por, si do të shmangim atë përgjegjësi, për të cilën na flet Kamy?

Shkrimtari Arthur Koestler, në romanin e tij “Errësirë në mes të ditës”, vë theksin në faktin se sa delikate është beteja mes arrogancës së të shtypurve, ku gjithkush rrezikon të humbë moralin dhe të luftojë më pas me të njëjtat mjete, me të cilat lufton shtypësi. Një nga sugjerimet e Koestler, të cilën më vonë e ka marrë në idetë e tij Xhorxh Oruelli, në romanin “1984”, është shmangia me çdo kusht e shoqërisë nga pesimizmi. Sipas Koestler, qeveritë gjithnjë synojnë dekurajimin si rrugën më të sigurt ku qytetarët do të kthehen më pas në aprovues, pa i shkuar ndërmend se duhet t’i debatojnë ato që u thuhen, që u urdhërohen. Ndaj, është lehtësisht e konstatueshme e njëjta gjuhë dekurajuese gjatë gjithë këtyre viteve: “ne nuk bëhemi”, “këtu nuk ka opozitë”, “nuk kemi kujt t’i besojmë?”. Përballë kësaj gjuhe është e rëndësishme që të gjendet më së pari një kurë e shmangies së pesimizmit. Për këtë është e nevojshme të flasim me një gjuhë ku njeriu duhet të besojë më shumë se është i aftë të ndryshojë ai vetë, se sa ta ndryshojnë të tjerët. Këtu hyn në lojë gjuha shpirtërore, pasi atyre që u kërkohet ndryshimi, më së pari duket t’u kërkohet të jenë “njerëz me gjak”, pra, që besojnë se mund t’ia dalin. Dhe për këtë rrugëtim duhen shmangur minutat oruelliane të urrejtjes dhe pesimizmit dhe të rikthehet bindja se një popull e ka gjithmonë mundësinë të marrë në dorë fatin e vet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit