8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Beteja e tretë e botëkuptimeve…

Më të lexuarat

Me Emrin e Allahut, lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qoftë për të Dërguarin e Allahut, për familjen dhe shokët e tij, dhe mbarë ata që e ndjekin atë.

(1)

Thelbi i përplasjes ndërmjet një rendi ideologjik dhe një tjetri, çfarëdo qofshin këto rende në luftë: fe, filozofi apo shkolla teorike të mendimit, qëndron gjithmonë tek botëkuptimet.
Allahu e dërgoi Profetin e Tij me fenë përfundimtare, që njeh si të vërteta Librat dhe mesazhet e mëparshme, por në të njëjtën kohë qëndron mbi to. Kjo shpallje e shenjtë është pushteti më i lartë që jep formë koncepteve, vlerave dhe ideve. Nëse Islami me shpalljen e tij hyjnore qëndron mbi të gjitha fetë dhe mesazhet hyjnore që erdhën para tij, është më se evidente që ai të qëndrojë mbi të gjitha filozofitë dhe idetë, të cilat nuk janë veçse përzierje religjionesh e besimesh të sakta dhe të deformuara, përzierje mendimesh njerëzore të nxjerra nga përjetimi shqisor i realitetit dhe këtyre religjioneve të sakta e të deformuara.
Sa herë që të dëgjosh se vlerat dhe virtytet janë produkt tërësisht njerëzor, dije se është një gënjeshtër. Çdo teori dhe ide e bijve të njeriut e ka origjinën te religjioni i saktë ose i deformuar dhe arsyeja nuk ka asnjë material tjetër nga e cila ajo mund të përfitojë koncepte dhe vlera dhe religjioni të mos jetë thelbi i saj. Islami erdhi dhe qëndroi mbi çdo gjë që kishte pasur njerëzimi deri në atë kohë, aq sa fjala e tij në çdo fushë detyron çdo filozofi të heshte, çdo religjion të përulet, edhe sikur Musai (alejhi selam) të jetonte do të ishte i detyruar të ndiqte këtë fe.
Allahu e dërgoi të vërtetën me anë të këtij Libri udhëzues dhe bashkë me të dhe shpatën ngadhënjimtare, sepse e vërteta që nuk mbrohet me forcë asnjëherë nuk është e sigurt.
Beteja në mes të vërtetës që solli shpallja hyjnore nga njëra anë dhe filozofive e mbetjet e religjioneve të pasakta dhe atyre të vërteta, të përziera me të pavërteta, nga ana tjetër, nuk është ndërprerë asnjëherë. Për më se dymbëdhjetë shekuj peshorja e kësaj beteje ka anuar në anën e Islamit dhe pasuesve të tij, sado që islami është dobësuar në disa periudha ai kurrë nuk ka qenë më dobët se religjionet dhe filozofitë me të cilat ai përballej.

(2)

Por, erdhi epoka moderne para dyqind e ca vjetësh, dhe peshorja e forcës në botë ndryshoi. Vendet islame që deri dje mbartnin mbi shpatulla rendin e vlerave dhe pikëpamjeve që i sundonte, për herë të parë në histori kthehen të gjitha në vende të mundura dhe të nënshtruara. Shpata ngadhënjimtare thyhet dhe njerëzve u ngelet vetëm Libri udhëzues, e rreth të cilit ata nuk bien dakord.
Pikërisht që nga kjo kohë nisi beteja e parë e botëkuptimeve ndërmjet rendit të vlerave dhe ideve që mbart qytetërimi sulmues ngadhënjyes perëndimor dhe vlerave e ideve të cilat solli shpallja hyjnore e mbartur nga muslimanët.
Beteja e parë e botëkuptimeve prodhoi një ndarje të re në mesin e muslimanëve, duke i ndarë ata në tre rryma kryesore, nisur nga qëndrimi që ata mbajnë karshi rendit perëndimor:

  • 1- Rryma e modernitetit, përendimore dhe sekulariste.
  • 2- Rryma e iluminizmit islamik.
  • 3- Rryma konservatore dhe islamizuese.

Kriteri i kësaj ndarje bazohet te qëndrimi që mbahet ndaj rendit botëkuptimor dhe ideve invazioniste. Rryma e parë i ka pranuar këto ide dhe botëkuptime në atë masë sa ka humbur aq shumë prej fesë sa ka arritur në kufr. Rryma e dytë, ka refuzuar kufrin dhe ka pranuar çështje për shkak të të cilave ka braktisur çështje strikte të fesë, por që niveli i braktisjes së tyre nuk arrin në kufr. Rryma e tretë ka ngritur një mur të fortë kundërshtues dhe nuk pranon prej rendit perëndimor atë që është kufr dhe as braktisjen e çështjeve strikte të fesë. Kjo rrymë është përpjekur të pranojë çështje që nuk bien ndesh apo nuk kundërshtojnë botëkuptimet të cila solli shpallja hyjnore, edhe pse ashpërsia e kësaj rryme e ka penguar atë ndonjëherë të pranojë çështje të drejta me të cilat feja jonë nuk bie ndesh. Kjo ashpërsi ka sjellë si pasojë -në të njëjtën kohë- forma të ndryshme padrejtësie ndaj opozitarëve që i përkasin rrymës së dytë.
Në këtë periudhë vihen re përpjekjet e dijetarëve dhe mendimtarëve muslimanë, si nga rryma iluminsite dhe nga ajo konservatore, të cilat sollën në skenë kontributet e Afganit, Muhamed Abdusë, Mustafa Abdurrazik, Reshid Rida, Hasan el-Bena, Ali Tantauit, Mustafa Sabrit, Ahmed Shakirit, Mahmud Shakirit, Muhibudin Hatibit dhe Muhamed el-Hadr Husejnit.
Pas largimit të kolonizatorëve nga vendet muslimanë dhe lënia pas në pushtet, në shumicën e tyre, qeveri me identitet musliman, por me ideologji shekullariste, erdhi beteja e dytë e botëkuptimeve. Në këtë periudhë ndeshemi me kontributin e brezit të dytë, si nga ai iluminist ashtu dhe nga ai konservator, siç qenë shkrimet e Sejid Kutbit, Enuer el-Xhundit, Muhamed Muhamed Husejnit, Muhamed Kutbit, Abdurrahman es-Sadit, Muhamed ibn Ibrahim Al Shejhit, Abdulaziz ibn Bazit, Abdurrahman ed-Deuserit, Sefer el-Haualit, Muhamed el-Gazalit, El-Behij el-Khulit, Jusuf el-Kardauit, Abdulkadir Audeh, Mustafa Sibait, Muhamed Amareh dhe Salah Sultanit.

(3)

Ideja që mbart ky shkrim përqendrohet në faktin se, pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe ngjarjeve të Shtatorit, luftës së Irakut dhe Afganistanit, po kalojmë në periudhën paraprake të betejës së tretë të botëkuptimeve, fillimin e së cilës e paralajmëruan revolucionet e pranverës arabe.
Kjo betejë –sipas mendimit tim- do të jetë betejë më ashpër se dy të parat, për disa arsye:

  • 1) Rryma e ilumizmit islamik, e cila në asnjë moment nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi i botëkuptimeve perëndimore, edhe pse ndonjëherë ka rënë brenda në baltën e tyre, po përjeton sot brezin më të dobët kundërshtues dhe një nga brezat më shumë pranues të shekullarizimit, e të brumosur me përmbajtjen e saj. Në të njëjtën kohë ky brez i kësaj rryme është edhe më i dobëti në përgatitjen e tij fetare.
  • 2) Kandidati aktual më i mundshëm (edhe pse jo i vetëm) për të mbajtur flamurin e sfidës dhe ruajtjes së traditës është rryma islame selefiste. Revolucionet arabe e shtuan edhe më shumë fragmentarizmin e selefive dhe një numër të madh të tyre e futën në politikë, e një pjesë tjetër në përballje të brendshme me rrymat e tjera selefiste, çka ka bërë që të mos lërë në terren të aftë për të bërë këtë detyrë intelektuale vetëm se një pjesë të selefizmit akademik (me termin akademik kuptohet selefizmi i ndryshëm nga ai politik dhe ai luftarak).
  • 3) Selefizmi akademik edhe pse përgatitja fetare e tij nuk është në nivelin që kërkohet, në krahasim me rrymat e tjera islame aftësia e tij mund të konsiderohet shumë e mirë, e në krahasim me përgatitjen e rrymës konservatore sfiduese në dy betejat e mëparshme në disa drejtime është më mirë. Por, përsëri problemi më i madh i dobësisë përgatitore të kësaj rryme qëndron tek dijet e shkencave sociale dhe metodologjive moderne, dobësi kjo që arrin shpesh herë në nivelin pranë zeros dhe zeros. Ajo çka e shton edhe më shumë rrezikun është fakti se shumë prej këtyre selefive as që e ndjejnë fare nevojë e këtyre dijeve, e disave as që u bie ndërmend dhe kanë alergji prej tyre. Rreziku i padijes bëhet edhe më i madh kur atë e shoqëron rreziku i nënvleftësimit.
  • 4) Një nga faktet më ndihmues në betejën e botëkuptimeve është tërheqja që njerëzit e thjeshtë kanë me dijetarët dhe thirrësit islam, dëgjimi dhe referimi që ata kanë te këta njerëz. Janë të rralla rastet kur njerëzit e thjeshtë u bie rasti të dëgjojnë fjalë që bien ndesh me fjalët e dijetarëve. Por, situata nuk është sot më kështu, njerëzit e thjeshtë nuk ua vënë veshin dijetarëve të tyre siç ua vinin dikur, por as afërsia dhe përkushtimi i thirrësve islam me njerëzit e thjeshtë nuk është si dikur. Mjetet e ligjshme mediatike janë të shumta, si rrëke e rrëmbyer që mbartin llavën e nxehtë të prurjeve, që prekin zemrat e njerëzve të thjeshtë dhe veshët e tyre, çka lë efektin e çdo predikuesi dhe thirrësi. Dhe e gjitha kjo e shton edhe më shumë sot vështirësinë e betejës së botëkuptimeve.
  • 5) Së fundi, përplasja islame-islame, të cilën politika e bën edhe më të ashpër, e shton edhe mungesa e fikhut në mesin e elitave islame, çka e bën situatën edhe më të egër.
  • Këto janë pesë arsyet e zgjedhura, të cilat së bashku e bëjnë betejën e sotme të botëkuptimeve edhe më të ashpër dhe të vështirë, pra betejën më të egër dhe më të rrezikshme të botëkuptimeve me të cilën është përballur umeti islam ndonjëherë në historinë e tij, e në veçanti në historinë bashkëkohore të tij.

Shejh Ahmed Salim (Ebu Fehr)

Përktheu: J. Topulli
Burimi: http://www.dorar.net/art/1321

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit