8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Besa-Qeveria e re, parantezë për zgjedhjet e tjera

Më të lexuarat

Në këtë proces Lëvizja Besa ka moralin të ftojë të gjithë forcat politike që nuk lejojnë poshtërimin e shqiptarëve, pasi tashmë Besa është një shumicë morale. Ndërkaq, kushtet e vëna ndaj BDI-së dhe Lëvizjes së drejtuar nga Sela, lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme, nuk mund që ta pengojnë këtë lëvizje që t’u drejtohet këtyre forcave, që kanë në gjirin e tyre bashkëqytetarë të përgjegjshëm, që nuk e mbështesin politikën e shefave të tyre për t’i dhënë Gruevskit ose kujtdo tjetër të drejtën që të vijojë t’i injorojë shqiptarët.

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

Kundërshtimi i hapur i Nikolla Gruevskit rreth kushteve të partive shqiptare dhe paraqitja e Ali Ahmetit si një këmbëngulës rreth kushteve për gjuhën shqipe dhe për vazhdimin e Prokurorisë Speciale, më shumë se sa përpjekje për qeverinë e re, duken një fillim fushate jo vetëm për zgjedhjet lokale që janë në prag, por edhe për mundësinë e përsëritjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Rënia e mbështetjes ndaj Gruveskit e, sidomos përgjysmimi i votave për BDI-në, e bëjnë këtë të fundit t’i rishikojë politikat e saj që të mos zhduket nga skena politike. Madje, edhe lëvizja e pazakontë e AliAhmetit për ta takuar Zaevin e pamandatuar për bisedime qeverisëse, duket pjesë e një loje politike, ku kërkohet të zvogëlohen të gjithë faktorët e tjerë politikë dhe që të vijojë të mbetet dominuese veçse dyshja Gruevski-Ahmeti.

Në këtë proces bisedimesh përgjegjësia e Lëvizjes BESA është të vijojë me forcë ta paraqesë atë platformë për të cilën u votua – që Maqedonia të jetë e maqedonasve dhe e shqiptarëve dhe kjo gjë të tregohet institucionalisht. Por, që kjo gjë të ndodhë, do të thotë që të mos harrohet as  “Sopoti”, as “Brodeci”, as “Monstra”, e as historia e natës tragjike e Lagjes së Trimave. Njëkohësisht, duhet të mos harrojnë se si u ndërtua edhe “Enciklopedia Maqedonase” ose “Shkupi 2014”. Dhe, këtë liderët e BESËS tashmë e kanë të qartë, ndaj dhe nuk ka asnjë arsye që të tolerojnë nga qëndrimet e tyre, të cilat duhet të jenë të forta dhe pa komplekse. Sepse, zbardhja e këtyre ngjarjeve të rënda, ku viktima kanë qenë shqiptarët, qoftë fizikisht ose kulturalisht, do ta tregojë edhe vullnetin nëse shoqëria në Maqedoni do të shohë nga e vërteta ose do të mbetet peng i një të shkuare të errët politike.

Pa dyshim se një forcë politike e votuar duhet t’i shqyrtojë dhe konsiderojë bisedimet që i ofrohen. Një forcë politike, që qytetarët ia kanë deleguar përfaqësim, e ka për detyrë ta përçojë mesazhin për të cilin i ka kërkuar votat dhe që e kërkon ndryshimin përmes qeverisjes së mirë. Dhe, pa dyshim se Lëvizja BESA e ka barrën e përhapjes së shpresës se ajo çka kjo lëvizje përfaqëson mundet dhe do të fitojë, pasi ajo që kërkohet nga kjo lëvizje politike është një e drejtë elementare për bashkëqytetarët e një vendi që kërkon të ecë bashkë drejt krijimit të një shoqërie sa më demokratike dhe të lirë.

Në këtë proces Lëvizja BESA e ka moralin t’i ftojë të gjithë forcat politike që nuk lejojnë poshtërimin e shqiptarëve, pasi tashmë BESA është një shumicë morale. Ndërkaq, kushtet e vëna ndaj BDI-së dhe Lëvizjes së drejtuar nga Sela, lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisjen e ardhshme, nuk mund ta pengojnë këtë lëvizje që t’u drejtohet këtyre forcave, që kanë në gjirin e tyre bashkëqytetarë të përgjegjshëm, që nuk mbështesin politikën e shefave të tyre për t’i dhënë Gruevskit ose kujtdo tjetër, të drejtën që të vijojë t’i injorojë shqiptarët.

Loja e Gruevskit për të parë edhe Tiranën zyrtare si një destabiluzuese e faktorit atje, është një taktikë për të rritur tonet nacionaliste për zgjedhjet e reja që mund të jenë në prag, si ato lokale ashtu edhe ato të mundshme të parakohshme. Nga ana tjetër, duket se BDI-ja është e gatshme të presë qetësisht që forca e Gruevskit të pranojë një kryeministër tjetër nga radhët e saj, që bashkëqeverisja të jetë edhe në të ardhmen mes të njëjtave forcave politike, përfshi edhe Selën, që u krijon atyre një siguri votash.

Përballë skenarëve të mundshëm, që mund të servirë Gruevski, që kërkon përmes takimeve të Ahmetit të fusë në ujëra të paqarta edhe Zaevin e LSDM-së edhe partitë shqiptare, Lëvizja Besa duhet të kërkojë të shkojë sa më shpejt drejt zgjedhjeve të reja, nëse Gruevski e Ahmeti do të kërkojnë ta mbajnë të gjallë të shkuarën. Por, më së pari, duhet t’u kërkojë shqiptarëve që t’i maksimalizojnë votat e tyre që të zgjedhin drejtuesit e duhur në drejtimin e komunave dhe të mos lejojnë që me votën e tyre të bëhen lojëra në kurriz të përditshmërisë së tyre në Maqedoni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit