8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

BERZH-i lidh Kosovën me Rrjetin Hekurudhor të Evropës

Më të lexuarat

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të siguroj një kredi të lartë prej 39.9 milion euro për ta financuar modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës
PRISHTINË (AA) – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të siguroj një kredi të lartë prej 39.9 milion euro për ta financuar modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës me çka do të thellohet integrimi rajonal dhe forcohet zhvillimi ekonomik i vendit, thuhet nga Ministria e Financave të Kosovës.

Ky është investimi i parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në sektorin e transportit kosovar dhe njëherësh transaksioni më i madh i BERZH-it, deri tani.

Me këtë projekt, Misnitria e Financave thekson se, do të përmirësohet lidhja ndërmjet rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe rrjetit Evropian, nëpërmjet Korridorit VIII dhe Korridorit X, me Maqedoninë në jug të vendit, si dhe në kufi me Serbinë, në veri.

Modernizimi i infrastrukturës së transportit është një nga prioritetet kryesore të BERZH-it në Ballkanin perëndimor, për të ndihmuar në përmirësimin e rrugëve tregtare brenda rajonit dhe në zhvillimin e një bashkëpunimi më të fortë ndër-kufitar.

Kredia për Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos), ndërmarrja publike e infrastrukturës për hekurudha, do të sigurojë financimin për përmirësimin dhe modernizimin e lidhjes së vetme ndërkombëtare të Kosovës.

Kjo linjë është e gjatë 148 kilometra dhe ndahet në tri pjesë: pjesa jugore nga Fushë Kosovë në drejtim të Maqedonisë; pjesa qendrore nga Fushë Kosovë në Mitrovicë; dhe pjesa veriore nga Mitrovica në kufi me Serbinë.

Mjetet nga kredia do të përdoren për rehabilitimin dhe modernizimin e këtyre pjesëve në faza të ndara.

Përveç kredisë nga BERZH-i, në modernizimin e rrjetit hekurudhor do të kontribuojë edhe Banka Evropiane për Investim, si dhe do të përfitohen mjete edhe nga mbështetja e donatorëve nëpërmjet granteve për investim që do të sigurohen nga Bashkimi Evropian dhe nga grantet për përgatitje dhe zbatim të projektit nga Korniza për Investim në Ballkanin Perëndimor.

Me këtë rast, zëvendëspresidenti i parë i BERZH-it, Phil Bennett deklaroi se, një infrastrukturë bashkëkohore dhe mirë e zhvilluar transporti është thelbësore për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

“Ne jemi krenar që e kemi zgjedhur Linjën e 10 Hekurudhore të Kosovës si projektin tonë të parë të transportit në vend. Rehabilitimi i linjës së vetme hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës është jetik për integrimin e mëtutjeshëm të vendit në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Lidhjet e përmirësuara të transportit do të kontribuojnë në masë të madhe për rritjen tregtisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe pan-Evropian” tha Bennett.

Nga ana tjetër, Misnitri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh i lumtur sepse ky është një projekt me prioritet të lartë për Kosovën pasi që, modernizimi i Linjës Hekurudhore 10 do t’i sjellë vendit përfitime të shumta politike dhe ekonomike.

“Është një hap shumë i rëndësishëm për përmirësimin e lidhjeve tregtare kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë për udhëtarin dhe transitin për ngarkesa të mallrave” tha Hoti, me rastin e nënshkrimit, në selinë e BERZH-it në Londër.

BERZH-i filloi të investoi në Kosovë në vitin 1999 dhe deri sot, kjo Bankë ka nënshkruar 41 projekte në vend të cilat kapin një shumë neto të afarizmit grumbullues prej më shumë se 127 milion €. Kosova u bë anëtar i BERZH-it dhe vend i zhvillimit të aktiviteteve në dhjetor të vitit 2012.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit