14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Berisha i mbyll derën Nanos

Më të lexuarat

Sali Berisha i rezervoi Fatos Nanos një pritje protokollare të denjë për një ish-kryeministër. Por vetëm kaq. Pritja me nderime protokollare e Sali Berishës nuk mund të përkthehet në vota të Partisë Demokratike për kandidatin potencial për president, Fatos Nano, i cili po kërkon të marrë konsensus nga të gjithë faktorët parlamentarë për të arritur në postin e presidentit.

Takimi mes të dyve zgjati më pak se 40 minuta dhe ky është takimi më i shkurtër që Fatos Nano ka zhvilluar me kryetarët e partive parlamentare. Kjo shpjegohet ndoshta me faktin se Sali Berisha është treguar i hapur dhe nuk i ka ushqyer Fatos Nanos ëndrrën presidenciale.

Kjo bëhet e qartë në njotimin që zyra e kryeministrit nxori menjëherë pas takimit, ku zoti Nano, duke i kërkuar mbështetjen për kandidimin në postin e presidentit, i ka 

kujtuar kryeministrit Berisha marrëveshjet që të dy kanë bërë në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit.

Marrëveshjet e së shkuarës, kryeministri i ka vlerësuar po ashtu me nota maksimale, por mesa duket Sali Berisha nuk ka në plan të bëjë një marrëveshje për të ardhmen me Fatos Nanon për ta çuar atë në Presidencë me votat e demokratëve.

Ky është lajmi i parë zyrtar nga takimi mes të dyve, ku kryeministri Berisha i ka sqaruar zotit Nano se një qendrim i tillë ka lidhje vetëm me spektrin e ndryshëm politik të cilit zoti Nano i përket.

Lajmi i dytë që pohohet zyrtarisht është edhe më i rëndësishëm. Megjithëse në takimin me komisionerin Fule, kryeministri deklaroi se zgjedhja e presidentit do të jetë një proces i negociushëm, zoti Berisha i ka bërë të qartë zotit Nano se “ai mbështet dhe do të mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike për postin e Presidentit.

Me këtë qendrim të kryeministrit Berisha vjen edhe një lajm i tretë dhe që përbën thelbin e asaj çka mund të ndodhë kur të vijë momenti final për zgjedhjen e presidentit.

Së pari, kryeministri ka sqaruar se do të hapë negociatat me aleatët e tij, prej të cilëve ai që ka më shumë vota është Ilir Meta, që ka biseduar me herët me Edi Ramën. Së dyti, kryeministri nuk përjashton negociata me ata që, jo pa dashje, i cilëson si faktorë të tjerë.

Natyrisht, këtu bën pjesë Edi Rama, që përfaqëson grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Por, përvec trojkës së ambasadorëve që nuk kanë votë për zgjedhjen e presidentit, a ka faktorë të tjerë parlamentarë, përkrahja e të cilëve do t’i jepte Sali Berishës sigurinë për zgjedhjen e presidentit nga mazhoranca?

Kësaj pyetjeje është herët për t’iu përgjigjur pa spekulime. Por në njoftimin zyrtar Sali Berisha shprehet se “do të hapë negociatat me aleatët e tij dhe me faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për t’i dhënë vendit presidentin e ardhshëm të Republikës”.

Votimi i parë për presidentin do të ndodhë pas 24 majit dhe ky do të jetë momenti kur do të verifikohet, nëse presidenti i ardhshëm do të jetë i zgjedhur nga faktorët Sali Berisha dhe Edi Rama apo do të duhet të pritet raundi, kur presidenti zgjidhet me 71 vota. Ky është dhe rasti, kur faktor bëhet me votën e tij çdo deputet./tch/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit