Berisha i gatshëm për ta pritur Nanon

0
48

Kryeministri Sali Berisha komentoi gjatë sot cështjen e garës për presidentin e ri dhe konkretisht vetëkandidimin e z. Fatos Nano për këtë post.

Ndërsa ka vizituar ekspozitën e Ibrahim Kodrës, kryeministri Berisha është pyetur në lidhje me deklaratën e Nanos për kandidaturën e tij si president të vendit.

Në prononcimin për mediet, Berisha përjashtoi kandidimin e tij për postin e kreut të shtetit.

“Ish-kryeministri Nano nuk ka kërkuar ndonjë takim me mua, të paktën në dijeni time. Natyrisht janë të njohura deklaratat e tij, edhe qëndrimet e mia për procesin janë të njohura, por ish-kryeministri e ka derën të hapur të kryeministrisë në çdo rast që ai kërkon të takohet me kryeministrin”, theksoi Berisha, transmeton BW.

“Atë që unë mund t’u them është me garanci të plotë që Sali Berisha nuk do të jetë kandidat, sepse kam një vendim përfundimtar. Në vitin 2009 unë dola para qytetarëve shqiptarë me një program të cilin do e zbatoj deri ditën e fundit të mandatit tim 4 vjeçar. Dhe nuk mund të imagjinoj veten që të shmang qoftë dhe për një sekondë veten nga fushë beteja. Pra së dyti e kam theksuar se qytetarët nuk do të ishin të lumtur në qoftë se do konstatonin se Berisha është shumë i dhënë mbas karrigeve dhe shfrytëzon momente për të kaluar nga njëra tek tjetra. Pasioni im është qytetari me problemet e tij sa kohë do më votojnë do punoj me përkushtimin tim me një mekanizëm tërësor reformash që do ndryshojnë këtë vend dhe do e çojnë drejt vendeve të zhvilluara”.

Kreu i qeverisë theksoi se për Presidentitn e ri të vendit nuk ka asnjë emër konkret, por vetëm është caktuar se përzgjedhja do bëhet brenda strukturave të PD. “Sa u përket emrave të tjerë, nuk ekziston as edhe një emër, as i konfirmuar, por as dhe i përjashuar nga emrat që qarkullojnë. Kam theksuar se do të të personalitet i PD dhe PD ka një grup personalitetesh me kontribut thelbësor në procesin e zhvillimit të vendit, se cili do jetë prej tyre, kjo do jetë një çështje e forumeve të PD e konsultimeve të gjera, por nuk përjashtoj dhe opozitën”, tha Berisha duke garantuar se “procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit do të jetë thellësisht kushtetues, i hapur dhe pa prapaskena”.

“Nuk jam takuar as me Topallin, as me Metën, as me Patozin për zgjedhjen e presidentit. Ai që e ka dorëzuar veten në rregull, unë them le ta lemë z Topi këto ditë që është ende në detyrë, ta kryejë atë dhe mos të ndërhyjmë. Nuk jam njeri i bisedave pas perdeve, do jetë proces i hapur”./koha/kohaislame