7.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Beqaj: Thaçi e Vuçiq do t’i ashpërsojnë deklaratat, që të krijohet klima se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme

Më të lexuarat

Në forumin ndërkombëtar “GlobSec”, i cili u mbajt në Bratislavë të Sllovalisë, gjatë debatit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë [Thaçi e Vuçiq], pati polemika sa i përket zbatimit marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2015. Analisti Belul Beqaj këto përplasje i vlerësoi si të pritshme dhe në frymën e skenarit tinëzare të përgatitur për ndarjen e Kosovës.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në këtë forum tha se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji, për menaxhimin e kufirit, hapjen e urës së lumit Ibër, ndërsa në anën tjetër reagoi presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se askund në marrëveshjen e Brukselit nuk shkruan diçka për temat e përmendura nga Thaçi.

Ndërsa analisti Belul Beqaj, në një prononcim për Telegrafin këto deklarata siç i quan ai të “vëllezërve siamez”, i vlerësoi si të pritshme.

Beqaj tha se deklaratën e Vuçiqit për “korrigjim apo ndarje”, e konsideron se është në frymën e skenarit tinëzare të përgatitur bashkërisht me Thaçin.

“Sjelljet e ‘vëllezërve siamez’ për mua janë të pritshme…Mbase unë edhe deklarimin e hapur të Vuçiqit se është për ‘korrigjim apo ndarje’ e konsideroj se është në frymën e skenarit tinëzare që e kanë përgatitur me Thaçin”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, deri në takimin e Parisit deklaratat do të ashpërsohen deri në atë masë sa të krijohet klima se vetëm ndarja është zgjidhja e vetme.

Beqaj theksoi se nëse pas këtij skenari është edhe SHBA, zgjidhja e raportit mes Kosovës dhe Serbisë, mund të bëhet “mollë sherri “ edhe mes Gjermanisë, Francës, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

“Fundja, prognozojë se, jo vetëm retorika, por edhe veprimet deri në takimin e Parisit do të ashpërsohen deri në atë masë sa të krijohet klima se vetëm ndarja është zgjidhje e vetme pa i analizuar mirë pasojat afatgjate të saj në raport me Serbinë dhe regjionin. Nëse pas këtij skenari është edhe SHBA ,zgjidhja e raportit mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht mund të bëhet ‘mollë sherri’ edhe mes Gjermanisë – Francës, BE-së dhe SHBA-ve. Interesi i ‘vëllezërve siamez’ është të arrijnë në këtë pikë, ngase ata mbijetojnë dhe faktorizohen duke krijuar dhe ashpërsuar krizat”, tha ndër të tjera, Beqaj.

Vuçiq ripërsërit se Serbia nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, thotë se do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemet
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të forumit “GlobSec”, u pajtuan në një çështje ku thanë se zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi është e vështirë, mirëpo janë duke u munduar që të arrijnë një marrëveshje.

Ndryshe, takimi i Parisit do të mbahet më 1 korrik, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të marrin pjesë autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit