BDSH: Avokatë amerikan në rastin “Monstrum”

0
37

Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) i bëri thirrje Komunitetit Shqiptaro – Amerikan që të mobilizohet edhe kësaj radhe për të siguruar një avokat amerikan në mbrojtje të grupit të të arrestuarëve në operacionin “Monstrum”.

Më poshtë vijon Komunikata e plotë:

Bashkimi Demokratik Shqiptar përcjell me shqetësim dhunën dhe terrorin shtetëror që regjimi terrorist i Shkupit ushtron kundër popullit shqiptar.

Për dekada të tëra shqiptarët, ndër të tjera, kanë qenë dhe mbeten objekt i eksperimenteve politike të laboratorit antishqiptar në Shkup. Proceset e montuara gjyqësore, të motivuara mbi baza politike, etnike dhe religjioze kanë qenë dhe mbeten instrumente të këtij shteti që nga themelimi i tij e deri më sot.

Shpallja me pompozitet nga ana e Ministrisë Punëve të Brendshme të Maqedonisë se gjatë operacionit “Monstrum” janë arrestuar 20 pjesëtarë të një grupi «“radikal islamik”, që gjoja kanë vrarë 5 qytetarë maqedonas dhe kinse pjesëtarët e kësaj organizate na paskan marrë pjesë në aksione terroriste në Afganistan, Pakistan dhe se gjoja paskan luftuar kundër forcave të NATO-s» nxori në shesh edhe një herë strategjinë antishqiptare të institucioneve shtetërore të Maqedonisë.

Duke stigmatizuar shqiptarët si “ islamistë radikal” , në prag të Samitit të Çikagos, udhëheqësit e këtij shteti terrorist, që janë shndërruar në Monstrum të ri të Ballkanit, shpresojnë se do të marrin sinjale pozitive për integrimin në NATO.

Duke njohur mënyrën e funksionimit të institucioneve të këtij shteti, sidomos logjikën e shërbimeve sekrete sllave, BDSH paralajmëroi rrezikun që për vrasjen e 5 qytetarëve joshqiptar në Smilkovc, njëlloj si në shumë raste të tjera, të detyrohen përmes torturave më çnjerëzore njerëz të pafajshëm që të pranojnë veprat penale që nuk i kanë kryer.

Apelet e vazhdueshme për koordinim të forcave politike shqiptare në Maqedoni për të mbrojtur interesat tona kombëtare mbeten në heshtje të plotë. BDSH përsërit apelin e domosdoshmërisë së unifikimit të të gjitha partive politike shqiptare, të organizatave politike dhe qytetare, të personaliteteve me peshë në skenën kombëtare që të ndalet terrorizmi shtetëror në Maqedoni.

Meqenëse bashkimi i faktorëve shqiptar në Maqedoni nuk është duke ndodhur dhe si të përçarë nuk jemi në gjendje të mbrojmë asnjë viktimë të terrorizmit shtetëror, BDSH apelon publikisht te Komuniteti Shqiptaro Amerikan që të mobilizohen edhe kësaj radhe, si shumë herë në të kaluarën kur e ka kërkuar interesi kombëtar, dhe të sigurojnë një avokat amerikan në mbrojtje të viktimave të reja të proceseve të montuara gjyqësore. Vetëm në këtë mënyrë mund të evitohet që proceseve të montuara gjyqësore «Sopoti 1»,« Sopoti 2», «Brodeci» të mos i shtohet edhe “Rasti Smillkovci”! /INA/kohaislame