7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Bayraktar: “Nga Shqipëria duhen marrë të gjitha masat e nevojshme kundër FETO-s”

Më të lexuarat

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dha një konferencë për mediat në Tiranë.

Agjencia Turke e Lajmeve Anadolli raporton se me rastin e përvjetorit të parë të tentativës për grusht shteti në Turqi të ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga Organizata Terroriste FETO, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, në një konferencë për mediat ka risjellë në vëmendje këtë tentativë, kërcënimin që vjen nga FETO.

Bayraktar, u shpreh se puçistët masakruan personelin e pafajshëm dhe komandantët ushtarakë, të cilët refuzuan t’i bashkohen tentativës për grusht shteti, duke shtuar se 15 Korriku ishte një provë force dhe vendosmërie për demokracinë dhe shtetin turk.

“Ne jemi krenarë që e kapërcyem këtë provë. Kjo tentativë për grusht shteti u pengua falë rezistencës së shpejtë dhe të vendosur të të gjithë elementeve të shoqërisë demokratike dhe para së gjithash të popullit tonë, të cilit iu përpoqën t’i grabitnin sovranitetin. Është e qartë se pas kësaj tentative gjakatare të mbrëmjes së 15 korrikut ishin Fetuhllah Gyleni dhe pasuesit e tij. Organizata Terroriste Gyleniste FETO është një organizatë terroriste e gjeneratës së re e ndërtuar mbi hipokrizinë, fshehtësinë dhe heshtjen e plotë”, theksoi ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar.

Ai ka shtuar se që para 15 korrikut 2016, Qeveria e Turqisë kishte filluar disa veprime ndaj kësaj organizate terroriste dhe burimeve të saj financiare, ku “Presidenti ynë gjatë vizitës në Shqipëri më datë 13 maj 2015 theksoi se këtë organizatë e shikonim zyrtarisht si një organizatë terroriste.”

Bayraktar tha se nuk është e lehtë të luftosh me një strukturë të tillë dinake dhe të fshehtë, duke shtuar se Qeveria Turke po merr masa të drejta dhe efektive për të mënjanuar këtë kërcënim të afërt.

“Ne jemi të vendosur të luftojmë kundër FETO-s në kuadrin e sundimit të ligjit, moralit dhe demokracisë, të cilat janë tri vlerat që ata i nënvlerësojnë më shumë se çdo gjë. Jemi përballë një strukture që ka si objektiv pushtetin dhe sundimin në nivel global. Në rreth 160 vende në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë, FETO ka shkolla, organizata të shoqërisë civile, institucione mediatike dhe kompani. Ngjarjet e një viti më parë në Turqi janë tregues se çfarë mund të bëjë kjo organizatë edhe në Shqipëri. Autoritetet dhe opinioni publik shqiptar duhet të jenë të gatshëm përballë veprimtarisë së kësaj organizate dhe para së gjithash të institucioneve të saj arsimore. Duhen marrë sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme dhe duhen tharë burimet e tyre financiare”, theksoi Bayraktar.

Ai duke sjellë në vëmendje kërcënimin nga FETO jo vetëm për Turqinë, por edhe për Shqipërinë, u shpreh se “Dëshirojmë që ajo qe ndodhi në Turqi të mos ndodhë në Shqipëri. Fondacioni Maarif është themeluar vitin e kaluar në Turqi. Ky fondacion është duke zhvilluar bisedime në Shqipëri me autoritetet dhe ka emëruar edhe një përgjegjës në Shqipëri. Ky Fondacion do të hedhë hapa konkrete dhe të forta për të bërë më shumë për arsimin në Shqipëri. Synimi jonë është dhënia e një arsimi cilësor dhe që nuk strehon terrorizëm. Objektivi ynë është hapja sa më parë e shkollave. Ne kemi bashkëpunim me autoritetet shqiptare për luftën kundër FETO-s dhe jemi të kënaqur për këtë. Bashkëpunimi i institucioneve vazhdon. Edhe ne jemi duke punuar që Shqipëria të mos kthehet në një port të FETO-s.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit