BFI: Ministresha e Punëve të Brendshme të kërkoj falje publike

0
33

Për shkak të interesimit të treguar nga opinioni i gjerë dhe kërkesave të shumta të mediumeve lidhur me ngjarjet e fundit në vend, Bashkësia Fetare Islame në mënyrë publike prezanton këtë:

                                                                          Q Ë N D R I M

Opinioni i gjerë në Republikën e Maqedonisë ishte me kohë i njoftuar me qëndrimin e BFI të RM lidhur me paraqitjen e lëvizjeve të ndryshme islame të cilat janë shmangur Islami burimor dhe tradicional në vend dhe më gjerë.

Ai i cili e mbyt një njeri pa asnjë arsye dhe shkak, në thelb ka mbytur mbarë njerëzimin, prandaj Bashkësia Fetare Islame e RM në përputhshmëri me mësimet islame, e gjykon vrasjen e pesë qytetarëve të RM dhe njëkohësisht shpreh ngushëllimet e saja dhe bashkë me familjet e të vrarëve ndan dhimbjen dhe pikëllimin.

Ne jetojmë në shoqëri shumëkonfesionale dhe shumënacionale dhe kalojmë nëpër momente shumë të ndjeshme dhe për atë shkak është e nevojshme të sundon mendja e shëndosh, ndershmëria dhe drejtësia. I përkrahim përpjekjet që të gjinden vrasësit dhe të gjithë të japin përgjegjësi për veprën e tyre në përputhje me ligjin. Deklarimet publike të Ministrisë kompetente, për një pjesë nga grupi i të arrestuarve se janë radikalist islamik, para se të argumentohet statusi i tyre në bazë të vendimit gjyqësor, paraqet gjithashtu një veprim joligjor.

Kopjet e gjetura të Kuranit gjatë bastisjes së shtëpive dhe literaturës fetare, shpallen si argument kundër të arrestuarit. Prej kur posedimi i Kuranit dhe literaturës fetare na qenka vepër penale dhe me cilin ligj myslimanëve u ndalohet që në shtëpitë e tyre të mbajnë Kuran dhe literaturë fetare?! Tërheqja dhe maltretimi i grave myslimane nga ana e policëve të armatosur paraqet goditje serioze mbi nderin dhe namuzin e femrës myslimane. Prandaj myslimanët e RM kërkojnë nga Ministresha e Punëve të Brendshme të kërkoj falje publike.

Me nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike, nga vetë mbajtësit e pushtetit me qëllim që të ofrohen drejt integrimeve euroatlantike, është një rrugë e gabuar dhe shumë e rrezikshme. Kushtet e anëtarësimit në NATO dhe BE janë shumë deside dhe të qarta sidomos në sferën e lirive dhe të drejtave qytetare dhe fetare të njeriut.

Edhe njëherë u bëjmë me dije se kriminelët e vërtetë, dhe vetëm ata duhet të dënohen dhe çdo një ngjarje të mos shfrytëzohet në të ardhshmen, për të ofenduar Islamin nga kushdo qoftë, e më së paku nga ata të cilët duhet të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet.
Në këtë drejtim u bëjmë apel edhe mediumeve që rastet e këtilla të mos i shfrytëzojnë për përhapje të urrejtjes dhe mosdurimit ndërfetar dhe ndëretnik, por të jenë ndërtues të ardhmërisë sonë të përbashkët./kohaislame