“Bashar al-Assad ka përdorur së paku 50 herë armët kimike”

0

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent me kërkesë të Rusisë, e cila po përpiqet të sigurojë mbështetje për thirrjet e saj drejtuar SHBA-së, për të mos nisur sulme ajrore në Siri.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po e shqyrtojnë aksionin ushtarak në përgjigje të një sulmi të dyshuar kimik, që ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë në qytetin Duma të Sirisë, më 7 prill.

Sulmi dyshohet se është kryer nga forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, tha se SHBA llogarit se Qeveria e Assadit i ka përdorur armët kimike së paku 50 herë gjatë luftës shtatëvjeçare.

Haley po ashtu tha se administrata amerikane nuk ka vendosur ende se çfarë aksioni do të marrë kundër Sirisë.

I dërguari i Rusisë, Vasily Nebenzya, tha se Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca janë të vendosura ta largojnë Assadin dhe ta frenojnë Rusinë.

Ai tha se sulmet në Siri mund të kenë “pasoja të tmerrshme” për sigurinë globale, duke pasur parasysh praninë e forcave ruse atje.