‘Banka Perandorake Osmane’ – banka e parë e huaj në Shqipëri

0
33

Sipas historianit të financave të Shqipërisë, Haxhi Shkoza, instituti i parë financiar i ndërtuar në bazë të kritereve moderne të veprimtarisë monetare në Perandorinë Osmane u themelua më 4 shkurt 1863, me kapital anglo-frëng. Kjo bankë u quajt ‘Banka Perandorake Osmane’ me qendër në Stamboll dhe u krijua si bankë emetimi dhe krediti. Ajo hapi degë vetëm në qendrat e vilajeteve që kishte në atë kohë Perandoria Osmane.

Si rrjedhim, në viset shqiptare ajo krijoi degë në qendrat e 4 vilajeteve ku ato bënin pjesë, pra në Shkodër, Shkup, Manastir, Janinë. Veprimtaria e saj i nënshtrohej ligjeve perandorake osmane, të cilat pësuan 95 ndryshime kohë pas kohe. Madje, edhe koncesioni i Bankës Perandorake Osmane ndryshoi për gati gjysmë shekulli (deri në vitin 1911) gjashtë herë.

Është e para bankë në Perandorinë Osmane, e cila pas dështimit të ‘kajmeve’, futi në përdorim kartëmonedhën e qëndrueshme, e cila u përhap edhe në Shqipëri. Si rrjedhim, ajo është në të njëjtën kohë edhe e para bankë moderne, e cila edhe pse institucion i huaj, ushtroi për një kohë të gjatë veprimtari bankare në viset shqiptare.