6.5 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Automobilat më të bukur të vitit 2012

Më të lexuarat

Ferrari 250, E-Type Jaguar dhe i vjetri Porsche 911 janë shpallur më të bukurit e të gjitha kohëve, kur është fjala për automobila. Por, edhe sot prodhohen modele të cilat i ofrohen veturave të lartpërmendura. Këtu janë, i riu Jaguar F-Type, sensuali Ferrari 458 Spider apo Zenvo ST1.

Në listën e “Forbes-it”, të modeleve më të bukura nuk janë vetëm ata më të shtrenjtit dhe më të popullarizuarit, Porsche Panamera dhe Ferrari FF, bie fjala, nuk “e merituan” të gjenden në këtë listë, edhe pse janë vetura të shkëlqyeshme, të shpejta, të fuqishme, të shtrenjta, të mira për ngasje, por dizajni i tyre nuk i përmbush kriteret e përcaktuara të estetikës. “Estetika është në rend të parë, dhe nëse automobili është i bukur do të tërheq njerëzit dhe ata nuk do të mund të largohen nga ai”, tha për “Forbes”, David Gooding, themeluesi i kompanisë “Gooding & Co”.

Në vazhdim do të paraqesim listën e “Forbes-it” të automobilave më të bukur për këtë vit.

Ferrari 458 Spider

Ky kabriolet me kulmin “e fortë” që kushton 257.000 dollarë e ka V8 motorin, ndërsa deri në 100 km shpejton për 3.3 sekonda. Kur është kulmi i ngritur, ngjan shumë në veturën shumë tërheqëse Ferrari Italia. Kjo veturë sot është sigurisht në mesin e kabrioletve më të bukurve, nëse jo edhe kabrioleti më i bukur në treg.

Jaguar F-Type

I riu F-Type i rikthehet stilit sportiv të Jaguar-it i cili më parë ishte prezent edhe në modelet C-Type, D-Type dhe E-Type. Prototipi e ka motorin V6, i vogël dhe i lehtë, por mund të “garojë” me modelet siç janë Aston Martin V8 Vantage, Ferrari 458 Italia dhe Porsche 911.

Zenvo ST1 Supercar

Superautomobili danez i ka 1.250 kuaj, deri në 100 km shpejton për 2.9 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale që mund ta zhvillojë është 375 kilometra në orë. E ka motorin shtatë litërsh V8 të pajisur me ndërruesin manual me shtatë shpejtësi. Automobili gati në tërësi është bërë nga fibrat e karbonit, ndërsa është i rëndë rreth 1.360 kilogramë. Do të prodhohet në seri të kufizuar në gjithsejtë 15 copë.

McLaren MP4-12C dhe 12C Spider

McLaren MP4-12C nuk është “i ri”, por kur ta keni rastin ta shihni “live”, apo ju ofrohet mundësia që të uleni para timonit të tij, “u përzihet truri”, thonë fatlumët që kanë mundur ta provojnë. Në këtë veturë gjendet edhe maska e përparme e cila duket sikur është duke buzëqeshur. E vë në lëvizje motori V8 me vëllimin prej 3.8 litra (Twin Turbocharged), me 616 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësia maksimale që mund ta zhvillojë është 330 kilometra në orë.

Mercedes-Benz SLS AMG Roadster

Ky kabriolet i ka 563 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësia maksimale që mund ta zhvillojë është 317 kilometra në orë.

Lamborghini Aventador

Lamborghini Aventador i ka të gjitha që i presim nga një superautomobil: është i zëshëm, “seksi”, “i pazakontë”, sikur të mos jetë nga kjo botë. Linjat e ashpra bëjnë që ky model të ngjajë me aeroplanët luftarakë. E vë në lëvizje motori V12 me vëllimin 6.5 litra, prej 700 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësia maksimale të cilën mund ta zhvillojë është 349 kilometra në orë.

Bentley Mulsanne

Limuzina me katër dyer vjen me motorin V8, 6.75 litra dhe me 505 kuaj fuqi, i pajisur me ndërruesin automatik me tetë shpejtësi.

Në pjesën më të madhe është i bërë me dorë, ndërsa ky proces zgjatë 320 orë. Gati gjysma e kësaj kohe harxhohet në rregullimin e brendësisë, pasi që mbulesat nga lëkura qepen me dorë, ndërsa edhe pjesët tjera të enterierit bëhen me dorë.

Aston Martin V12 Zagato

Automobilave anglez nuk mund të mohohet se kanë dizajn të mirë. Zagato nuk ka performanca aq të mira, jo si të veturave të lartpërmendura, por është një veturë simpatike, me linjat që rrezatojnë bukuri dhe duket i fuqishëm.

Maserati GranTurismo Sport

Italianët dinë çka bëjnë. Ky model i ka të gjitha që është e nevojshme që kjo të dëshmohet. Është i gjatë, por linjat i ka elegante, “haubën” e ka “muskulore” dhe që në shikim të parë e keni të qartë që nën të fshihet motori i “Ferrari-t”. Por, megjithatë edhe pse është simpatik, duket paksa “i ashpër” dhe është e qartë që nuk është model për “djem të mirë”, që e bën edhe më tërheqës./zeri/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit