11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Atë që s’e bënë dot baathistët…

Më të lexuarat

Akif EMRE

Se a do të ndryshojë harta e rajonit pas zhvillimeve në Siri dhe Irak, kjo është vështirë të thuhet. Por, e sigurt është se ekuacioni shekullor s’mund të vazhdojë më gjatë. Çështja që tashmë shtrohet është se kush do ta formojë ekuacionin e ri. Vlen të lodhet mendja lidhur me çmimin që do të kishte rivendosja e status-quo-së kolonialiste që u vendos pas Luftës së Parë Botërore me çmimin e shembjes së një perandorie. 

Ajo që nuk flitet në këtë mes e që anashkalohet mes llogarive a parashikimeve strategjike e projekteve ambicioze, është tronditja që kanë pësuar vlerat që përbëjnë mundësinë për ekzistencë, madje arsyen ekzistenciale të rajonit. Ka ardhur koha që të rishikohet stereotipi, që prej kohësh të gjitha zhvillimet i shpjegon nëpërmjet “lojës së hegjemonëve perëndimorë” dhe në një masë të madhe duke ia qëlluar. Përcaktuese është edhe pyetja se në ç’masë ka ndryshuar vizioni strategjik i vështrimit perëndimor-orientalist, i mësuar t’i lexojë zhvillimet nisur nga problematika e dështimit të Lindjes së Mesme për t’u modernizuar. Për shembull, duhet kujtuar edhe njëherë fakti se ky sfond intelektual i leximit të Lindjes së Mesme, përmes çështjes së modernizimit, ka prodhuar mjaft justifikim për të mbështetur regjimet despotike. Regjimet brenda sistemit global, që kanë marrë përsipër inxhinierinë shoqërore, po tronditen njëra pas tjetrës. Fjala vjen, regjimi baathist mburrej se ishte i vetmi regjim laik në rajon, madje i erdhi fundi për shkak se, duke i besuar kësaj si një garanci absolute e pushtetit të tij, nuk arriti t’i lexonte zhvillimet brenda sistemit. Çmimin e kësaj vazhdon ta paguajë i gjithë rajoni. Cili ishte misioni i tij? Diktatura baathiste pati marrë përsipër tenderin për shndërrimin e shoqërisë nëpërmjet ideologjisë së ngurtë moderniste e laike të shtetit. Një funksion të ngjashëm morën përsipër edhe baathistët e Sirisë. Qoftë në vetvete, qoftë me anë të ndonjë marrëveshjeje të fshehtë, struktura laike dhe cilësia laicizuese e regjimit të tyre në një shkallë të caktuar ua garantonte pushtetin. Se në ç’shkallë dhe në ç’masë ky mision laicizues ua kishte garantuar pushtetin regjimeve diktatoriale, do të kuptohej me shfaqjen e lëvizjeve opozitare. 

Si përfundim, pushtetet individuale e moniste, tëhuajësuara nga shoqëria, nuk mjaftuan vetëm me shpërbërjen e kritereve e vlerave, identiteteve dhe të traditës së thellë të shoqërive. Përveç pushtetit dhe të zgjedhurve brenda një hapësire mjaft të ngushtë, ata nuk arritën të fitonin popullaritet. Përkundrazi, duke qenë se lëvizjet opozitare alternative ushqeheshin nga një damar më i vërtetë shoqëror, dinamikat antilaike morën fuqi. Në plan shoqëror, edhe nëse nuk u bë pjesë e opozitës politike, çdo individ e mbrojti identitetin dhe vlerat e tij kundër laicizmit, duke treguar vendosmëri për moslaicizimin e tyre. Në masën që u përhap modernizmi, ai u përpoq ta përziente këtë fenomen me vlerat e tij dhe mosintegrimi në kapitalizmin global, si te ne, ia zvogëloi fenomenit efektin dekompozues. 

Në Irakun e pas-Sadamit dhe në Sirinë e Asadit pas luftës civile, synimin që nuk e arriti dot ideologjia baathiste po e realizojnë me dorën e tyre pikërisht strukturat politike me pretendime opozitare. Megjithëse është Amerika ajo që e ka pushtuar rajonin dhe ka derdhur gjak aty që nga 11 Shtatori, fushata perceptive dhe ata që kanë dalë/janë nxjerrë në ballë në emër të Islamit si dhe retorika e tyre, kanë filluar ta shtyjnë shoqërinë në krahët e laicizmit.

Le të mendojmë për shiitët e masakruar në Irak, për jezidinjtë dhe për qindra mijëra myslimanët kurdë që janë strehuar në Turqi, me një retorikë urrejtjeje në emër të Islamit. Le t’i mendojmë nga ky këndvështrim rezultatet afatgjata të përvojës së masave të përndjekura e të masakruara nga dhuna e ISIS-it, të cilit ia kanë dhënë edhe një armë në dorë. Kanë dalë në dritë struktura që mund ta realizojnë me gjak dhe në emër të fesë atë që nuk e arritën dot baathistët e Sirisë. Dallimi është se kundërshtarët e diktaturave laike, në masë të madhe ishin struktura islamiste. Tashmë ata që e kanë marrë përsipër rolin e çliruesve kundër kësaj strukture, që ka dalë në pah në emër të Islamit, janë organizatat dhe retorikat laike.

Shkaku që Partia e Punës e Kurdistanit, pasi i mposhti me forcë rivalët e saj në juglindje të Turqisë, u popullarizua si një organizatë e dhunshme laike, duhet lexuar edhe si rezultat i politikave të caktuara.Kjo strukturë e cila po i shtyn kurdët në masë të madhe drejt organizatave laike, në plan afat gjatë do ta arrijë atë që nuk e arritën dot diktatorët… 

Praktikat e kësaj strukture nuk mbeten të kufizuara vetëm me kurdët ose në një kuptim më të gjerë, me efektin e saj traumatik mbi shtresat e dhunuara irakene, por është e qartë se këto praktika që i kanë dhënë epërsinë retorike sistemit global, do të ndikojnë në gjithë rajonin dhe në Turqi. Rezultatet e retorikës së ngjizur me gjak e urrejtje nuk do të mbeten vetëm politike, por do ta tronditin e do ta tëhuajësojnë lidhjen qytetërimore dhe të vlerave të rajonit, duke shkaktuar një tronditje ekzistenciale. Masat e manipuluara nga udhëheqjet laike tashmë ka gjasa të shtyhen drejt laicizimit dhe kjo do të jetë rezultat i praktikave të vëna në jetë në emër të Islamit, të cilat, ashtu siç kanë ndikuar mbi Turqinë e evoluar nga laicizimi jakobin drejt laicizimit konservator, do të ushqejnë edhe frikërat islamofobike të Perëndimit. Janë pikërisht këto frikëra, që tani kanë filluar të prodhojnë justifikime lehtësuese për masa të reja në drejtim të myslimanëve që jetojnë në Perëndim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit