11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Astrologjia – Yjet në këndvështrimin joislam dhe islam

Më të lexuarat

Dijetarët e hershëm muslimanë e quanin fushën e yjeve dhe llogarive planetare në tërësi me emrin Tenxhim, dhe ata e ndanin atë në tre kategori kryesore për qëllim analizimi dhe klasifikimi sipas ligjit islam.

1. Kategoria e parë paraqet besimin se qeniet tokësore influencohen nga trupa qiellorë dhe çfarëdo që ndodhë në të ardhmen mund të parashikohet nga vëzhgimi i lëvizjeve të këtyre trupave. Ky besim, që njihet me emrin astrologji dhe që e ka origjinën e tij në Mesopotami në mijëvjeçarin e tretë p.e.s., arriti zhvillim të plotë në civilizimin grek. Gjithashtu forma më e vjetër mesopotamiane e tij arriti në Indi dhe Kinë në shekullin e 6 p.e.s., por në Kinë u adoptua vetëm parashikimi i të ardhmes nga yjet.

Në Mesopotami astrologjia ishte një institucion mbretëror në të cilin shenjat në lidhje me mirëqenien e mbretit dhe popullit të tij merreshin nga shenjat në qiell. Besimi bazë në Mesopotami ishte se trupat qiellorë ishin zota të fuqishëm. Kur këto yje-zota u paraqitën në Greqi, në shekullin e 4 p.e.s., u bënë burim për besimin planetar grek. Gjithashtu në Greqi astrologjia si një “shkencë” e përcaktimit të së ardhmes u përhap dhe jashtë oborrit mbretëror tek ata që mund ta kapnin atë.

Për më shumë se 200 vjet astrologjia kishte një influencë dominuese mbi fenë, filozofinë dhe shkencën pagane e më pas pati ndikim të madh tek Evropa kristiane. Të dy, Dante dhe sh. Thomas Aquinas, evropianë të shekullit të 13, pranuan shkakun astrologjik në filozofitë e tyre respektive (d.m.th. pranuan astrologjinë sh.p.).

Ky besim mbahej edhe nga sabianët tek të cilët u dërgua i dërguari Ibrahim a.s. Sabianët hyjnizonin diellin, hënën dhe yjet dhe i bënin sexhde atyre. Gjithashtu ata ndërtonin vende të veçanta adhurimi në të cilat vendoseshin statuja dhe piktura që paraqisnin trupa qiellorë. Ata besonin se shpirtrat e trupave qiellorë zbritnin te idhujt, komunikonin me ta dhe plotësonin kërkesat apo nevojat e njerëzve.

Kjo formë e astrologjisë konsiderohet kufër, sepse shkatërron Tevhidin Esmau ve es-Sifat. Besimet e tilla u japin planetëve, yjeve dhe galaktikave disa prej cilësive të Zotit. (Cilësia e Zotit që u jepet më shumë krijesave në këto besime është Kaderi). Ata që praktikojnë astrologjinë janë kafirë, sepse ata deklarojnë se dinë të ardhmen, e cila dihet vetëm nga Allahu. Duke ia atribuuar vetes disa prej cilësive të Allahut, ata iu “ofrojnë” atyre që besojnë te ta një mundësi false për të mënjanuar të keqen, të cilën Allahu e ka përcaktuar për ta, dhe për të fituar të mirën të cilën Allahu nuk e ka përcaktuar për ta.

Astrologjia klasifikohet haram bazuar në hadithin e Ibën Abbasit ku Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Kushdo që merr dije nga ndonjë degë e astrologjisë, ka marrë dije nga një degë e magjisë. Sa më shumë që e shton (rrit, zmadhon) dijen në këtë gjë, aq më shumë ai e shton (rrit, zmadhon) gjynahin.”

2. Në kategorinë e dytë futen ata që thonë se Allahu ka dashur (ka bërë) që lëvizja e trupave qiellorë të tregojë ngjarjet që ndodhin në tokë. Ky është edhe besimi i astrologëve muslimanë, të cilët mësuan dhe praktikuan shkencën babilonase të astrologjisë.

Astrologjia u shfaq në oborrin mbretëror nga kalifët e vonshëm emevij, ashtu siç u shfaq tek abasitët e parë. Secili kalif, nga këta që u përmendën më sipër, kishte një grup astrologësh që duhet ta këshillonin atë për punët e ditës dhe ta paralajmëronin për rreziqet që afroheshin. Për shkak se masat muslimane e dinin se astrologjia në formën e saj origjinale ishte kufër, këta muslimanë që donin ta praktikonin atë bënë një kompromis që ajo të dukej nga ana islame e pranueshme. Dhe ky kompromis ishte thënia se parashikimet astrologjike ishin sipas dëshirës së Allahut.

Por edhe kjo formë e astrologjisë është haram dhe ai që e praktikon atë konsiderohet kafir. Sepse në të vërtetë nuk ka ndryshim në esencë midis këtij besimi dhe atij të paganëve. Në këtë lloj besimi, fuqia e Allahut u jepet trupave qiellorë, dhe ata që thonë se interpretojnë informacionin e këtyre trupave pohojnë se kanë dije për të ardhmen, dije e cila i përket vetëm Allahut. Megjithatë disa dijetarë të mëvonshëm u bënë të dobët në zbatimin e ligjeve hyjnore dhe lejuan këtë formë të astrologjisë për shkak se ky besim ishte bërë i pranueshëm nga shumë muslimanë.

3. Në kategorinë e tretë dhe të fundit futet përdorimi i informacionit të yjeve nga lundërtarët ose udhëtarët e shkretëtirave në mënyrë që të përcaktojnë drejtimet, ose nga fermerët për të përcaktuar arritjen e stinëve në mënyrë që ata të dinë kur të kultivojnë drithërat etj. Këto, ose praktika të ngjashme me to, paraqesin aspektin e vetëm të astrologjisë që është hallall për muslimanët në përputhje me Kur’anin dhe Sunetin. Argumenti për këtë është ajeti i mëposhtëm i Kur’anit:

“Ai është, që krijoi yjet për ju që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det…“ (En’amë: 97)

Buhariu transmeton thënien e mëposhtme nga Katade:

“Allahu i bëri yjet për të treguar drejtimin (e udhëtimit) dhe për goditjen e shejtanëve. Kështu që, kushdo që kërkon ndonjë gjë përtej kësaj ka spekuluar. Ai ka lënë fatin e tij, ka humbur pjesën e tij të jetës së mirë, dhe ka marrë përsipër atë për të cilën ai nuk ka dije. Me të vërtetë, ata që e bëjnë këtë janë njerëz injorantë ndaj urdhrave të Allahut. Ata kanë shpikur hyjnizimin për yjet, duke thënë se kush martohet sipas filan ylli do t’i ndodhë kjo ose ajo gjë, ose kush udhëton sipas filan ylli do të gjejë këtë ose atë gjë. As yjet, as kafshët e as shpendët nuk dinë ndonjë gjë prej të padukshmes. Allahu duhet t’ia kishte mësuar atë Ademit n.q.s. Ai do donte t’ia mësonte atë dikujt. Allahu e krijoi Ademin me duart e Tij, i bëri melekët t’i përkuleshin atij dhe i mësoi atij emrat e gjërave.”

Kufizimet e vëna nga Katade për përdorimin e yjeve bazohen mbi ajetin 98 të sures En’amë që u përmend më sipër. Gjithashtu ajo bazohet në ajetin e mëposhtëm:

“Ne qiellin me të afërt e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriçues) dhe ata i kemi bërë gjuajtës kundër djajve,…“ (Mulk: 5)

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka shpjeguar se xhinët ndonjëherë udhëtojnë në qiell dhe përgjojnë melekët kur ata bisedojnë midis tyre për ngjarje që do të ndodhin në tokë. Xhinët pastaj kthehen në tokë dhe informojnë ata që merren me parashikimin e të ardhmes. Ai gjithashtu ka shpjeguar se Allahu përdor goditjet me yje për t’i larguar ata (xhinët) dhe për të parandaluar përgjimin përveç rasteve të rralla.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë edhe se parashikimet e fallxhorëve janë përzierje e pak të vërtetave me qindra gënjeshtra. Prandaj muslimanët janë të detyruar të ruhen nga përdorimi i yjeve për qëllime të tjera veç atyre që janë përcaktuar qartë nga Allahu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit