12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Assange, “problem” i politikës globale

Më të lexuarat

Ministrat e Jashtëm të të dy kontinenteve amerikane do të mblidhen të premten e ardhshme për të diskutuar pikën e vdekur tek e cila janë kurthuar themeluesi i WikiLeaks – Julian Assange, Ekuadori dhe Britania e Madhe.

T’ju përkujtojmë se Ekuadori e ka miratuar azilin politik për rebelin e internetit I cili që nga qershori gjendet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër. Ndonëse ky është lajm i mirë për Assangen, problemi i tij është rruga nga ambasada në aeroport. Pra, nuk guxon ta lë ambasadën sepse autoritetet britanike do ta arrestojnë në vend.

Këto ditë janë dëgjuar edhe kërcënimet e britanikëve se do të futen në ambasadën ekuadoriane, gjë që paraqet një incident serioz diplomatik.

Assangen e kërkon Suedia për përdhunim për të cilin ai deklarohet të jetë i pafajshëm, raporton BBC.

Assange ka kërkuar azil politik në Ekuador me pohimin se kundër tij po bëhet një proces politik, duke theksuar se ekstradimi i tij në Suedi mund të çojë menjëherë në ekstradimin e tij në SHBA, shtet ky i cili dëshiron ta dënojë për spiunazh për shumë dokumente sekrete dhe kabllograme diplomatike të publikuara nga Wikileaks. Nëse shpallet fajtor, në rastin e tillë mund të dënohet me vdekje.

SHBA-të nuk duan të takohen me shtetet tjera të të dy kontinenteve amerikane

23 vendet e OSHA-s (Organizata e Shteteve Amerikane) votuan se do të mbajnë një takim në Washington. SHBA ishte një nga tri vendet që votoi kundër takimit, sepse besojnë se “do të jetë i kotë dhe i dëmshëm për reputacionin e OSHA-s”.

Sekretari i Përgjithshëm i OSHA-s, Jose Miguel Insulza, tha se tema kryesore e takimit do të jetë kërcënimi i Ekuadorit me mundësinë e futjes në ambasadën e këtij shteti në Londër.

“Rasti që na shqetëson është paprekshmëria e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”, tha ai.

Letrën britanike që tërheqtë vëmendjen tek Akti i vitit 1987 për hapësirat diplomatike dhe konsullore, sipas së cilës “mund të lejohet heqja e statusit diplomatik të ambasadës, në mënyrë që policia të mund të tutej brenda e ta arrestonte Julan Assangen për shkelje të kushteve të lirimit me kusht”, Ekuadori e ka kuptuar si kërcënim. Ministria e Jashtme britanike më vonë shpjegoi se letra ishte dërguar për të sqaruar “të gjitha aspektet e ligjit britanik, për të cilat Ekuadori do të duhej të ishte i vetëdijshëm”.

Vëzhguesi britanik në OSHA, Barton Philip, tha se Britania do të vazhdojë të bashkëpunojë me Ekuadorin në mënyrë që situata “të mbyllet me sukses e miqësisht”.

Për shkak të kërcënimit britanik, të dielën është paraparë edhe një takim i jashtëzakonshëm i Unionit të shteteve të Amerikës Jugore në Ekuador, shkruan CNN.

“The Guardian” ka shkruar se ekzistojnë disa mundësi që Ekuadori do t’i provonte për ta larguar Julian Assangen nga Ambasada në Londër: që nga dhënia e pasaportës diplomatike, e deri tek kontrabandimi i tij në thes ose sënduk. Por, të gjitha tentimet do të dështojnë.

Ish zyrtari i CIA-s, Ray McGovern, thotë se rasti Assange zbulon natyrën e vërtet të rendit aktual botëror dhe të vijës së demarkacionit mes perandorisë amerikane dhe pjesa tjetër e botës.

“Ky është një rast klasik që tregon ndryshimet e bëra në 20 vitet e fundit. Dhe ky është fakti se bota ka të bëjë me luftën e perandorive kundër të tjerëve. Kjo do të thotë se Cezari foli. Cezari është ligji. Cezari është SHBA, ndërsa satrapët përtej Atlantikut – kryesisht Mbretëria së Bashkuar dhe Suedia – janë duke punuar me urdhër të perandorisë. Një vend që ka refuzuar të luajë në emër të perandorisë, Ekuadori, është duke bërë një rol shumë interesant. Ministri tyre i Jashtëm tha se ata ‘nuk janë një koloni britanike dhe se ditët e kolonializmit kanë mbaruar’”, ka thënë ai për RT.

“Është interesante se do të dalin në sipërfaqe lojërat e vërteta. Duket se të gjithë kanë harruar se prokurorja kryesore në rastin Assange – Anna Ardin në Suedi – dikur ka punuar për organizatat ekstremiste kubane që luftonin kundër regjimit të Castros e që financoheshin direkt nga CIA. Pra, është e qartë se këtu ka lidhje dhe nuk nevojë për ndonjë teori konspirative për të parë se e vetmja mënyrë për të arritur deri tek Assange është që kundër tij të ekzagjerohen akuzat për vepra penale seksuale, në një vend që është shumë i ndjeshëm ndaj akteve të tilla. Por, ata madje nuk e kanë bindur as gjyqtarin suedez për ta ngritur aktakuzën e tillë”.

Mendimi i tij është se ata duan ta ekstradojnë në Suedi, për ta dërguar pastaj direkt në SHBA

“E kishin mundësinë që të shkonin në ambasadën e Ekuadorit në Londër dhe atje ta marrin Assangen në pyetje. Ata thanë se nuk do të bëjnë këtë. E pse jo? Arsyeja është se ata nuk kanë asnjë rast kundër Assanges… Ata duan që ai ekstradohet në Suedi e pastaj në SHBA… Kjo është një shkelje e qartë e Amendamentit të Parë… Guxoj të them se themeluesit e kombit tonë po rrotullohen në varret e tyre kur shohin se si shkelen të drejtat e një gazetari i cili ka dashur të shpërfaqë gjërat që mbahen fshehtë”.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit