20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Askush nuk duhet ta përdorë më Facebook”, Dave Eggers: Kemi humbur lirinë

Më të lexuarat

Inteligjenca artificiale që shpërfytyron mendimin njerëzor. Përdorimi i “big data” si një rehati e rreme. Privatësia në rrezik dhe rrjetet sociale si kërcënim. Është ky portreti i “kapitalizmit mbikëqyrës”, siç e quan Dave Eggers.

Shkrimtar dhe aktivist, 48-vjeçari Dave Eggers është themelues dhe drejtues i revistës prestigjioze letrare “McSweeney’s” dhe një ndër emrat më të dashur të letërsisë amerikane bashkëkohore. Në vitin 2013, njohu majat e suksesit me “Rrethi”, një roman distopik ku tregohet se si njerëzit kanë hequr dorë nga çdo gjë private, ndërsa botën e udhëheqin rrjetet sociale. Ky libër e bëri Eggers-in një ndër zërat me më shumë reputacion në betejën kundër abuzimit të kompanive teknologjike.

Jo gjithmonë lexojmë kushtet e përdorimit dhe të privatësisë së një aplikacioni apo rrjeti social. Në këtë mënyrë, njerëzit mund të gjurmohen lehtësisht, programet kanë akses në mikrofonat dhe në kamerat e aparateve celularë. Përse e falim kështu privatësinë tonë?
Mendoj se e kemi këmbyer privatësinë tonë për rehatinë dhe kënaqësitë e të pasurit shërbime falas. Kompanitë na gjurmojnë, por duhet thënë se edhe vetë ne në një farë mënyrë jemi spiunë: kontrollojmë fëmijët tanë, miqtë, partnerët, punonjësit. Duhet të shqyrtojmë edhe një herë implikimet për këto sjellje dhe të tentojmë të rikthehemi në kohën kur kontrolli masiv nuk konsiderohej i drejtë. Çdo mënyrë survejimi ka pasoja të rënda dhe bie në kundërshtim me parimet e lirisë.

Inovacioni është më shumë rrezik apo mundësi?
Nuk jam shqetësuar kurrë për rrjetet sociale në vetvete, por për mënyrën se si këto platforma dhe pjesa më e madhe e teknologjive që lidhen me internetin, ka lejuar nivelet e survejimit në një masë të paprecedentë në histori duke lejuar konsolidimin e pasurisë dhe pushtetit.

Duke shkruar librin tuaj best-seller “Rrethi”, keni njohur shumë punonjës të kompanive teknologjike. Në roman ata përshkruhen si persona optimistë, askush nuk arrin të mendojë pasojat negative të mbikëqyrjes konstante. Ky përshkrim ishte në funksion të tregimit, apo në të vërtetë këta njerëz nuk e kuptojnë se çfarë po zhvillojnë në botën reale?
Gjëja më e çuditshme në botën e teknologjisë në Kaliforni është përqindja shumë e lartë e atyre që punojnë në këtë sektor dhe janë të vetëdijshëm për dëmin e madh që po i shkaktojnë botës. Për të folur ndershmërisht, unë besoj se punonjësit e nivelit të mesëm janë më të ekspozuar ndaj rregulloreve dhe kodeve të forta të etikës. Ata duan të bëjnë gjënë e duhur. Por ka edhe kompani shumë problematike dhe Facebook është më e keqja mes tyre. Nuk kanë asnjë parim etik, nuk bëjnë dallimin se çfarë është e gabuar dhe çfarë jo, e prandaj nuk arrijnë të vetërregullohen. Kohët e fundit mora pjesë në një konferencë në Lodër mbi rreziqet e Facebook. Në fund, mu afruan dy punonjës të Facebook dhe së bashku vazhduam diskutimin. Vura re se ata ishin po aq të shqetësuar sa edhe unë. Nëse do t’u jepej mundësia, ata do të korrigjonin shumë gjëra.

E kanë shumë njerëz këtë gatishmëri?
Ekzistojnë tre tipe punonjësish në kompanitë teknologjike. Janë ata që besojnë verbërisht në atë që bëjnë, pa menduar për pasojat etike. Pastaj janë njerëzit amoralë, që programojnë anët më të errëta të programeve. Por ekziston edhe grupi i tretë, që merr në konsideratë problemet etike dhe kanë një konflikt të brendshëm. Të tre këta tipe, në mënyrat e tyre, janë të rrezikshëm.

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithmonë e më shumë nga kompanitë e mëdha. A janë informacionet tona më të sigurta në duart e kompjuterëve se sa në duart e njerëzve?
Përparimi i inteligjencës artificiale do të shkatërrojë esencën e qenieve njerëzore. Gjithmonë e më shumë po u lejojmë algoritmeve që të përcaktojnë aksesin tonë ndaj gjërave dhe kjo me kalimin e kohës do të na bëjë pasivë dhe apatikë. Sipas meje, në afatgjatë ky është aspekti më i rrezikshëm i teknologjisë.

Në vitet e fundit, të dhënat janë përdorur edhe për të krijuar programe të “policisë parandaluese”, siç edhe ju përshkruani në romanin tuaj. Mendoni se do ta përmirësojnë cilësinë e jetës?
Teknologjia do ta bëjë shoqërinë më të sigurt për sa i përket disa aspekteve të zhvillimit të krimit. Por ne do të jemi gjithmonë e më pak të lirë. Kjo besoj është bërë e qartë në tridhjetë vitet e fundit, kohë gjatë të cilës shumica ka preferuar të sakrifikojë lirinë për më shumë siguri. Mua kjo gjë më duket alarmuese.

A duhet që qeveritë të hartojnë legjislacione më të forta për privatësinë dhe përdorimin e të dhënave nga kompanitë teknologjike?
Fuqinë e ndryshimit nuk e kanë vetëm qeveritë, por edhe njerëzit, përdoruesit. Fuqia e tyre është edhe më e madhe. Askush nuk duhet ta përdorë Facebook-un. Asnjë ligj nuk i thotë njerëzve se duhet t’ia japin të dhënat personale një shoqërie pa etikë. Nëse përdoruesit do t’i kthenin shpinën kompanive të tilla, ato do ta kuptojnë se nuk do të ketë rrugë tjetër: ose do të ndryshojnë, ose do të vdesin. Dhe ne e kemi fuqinë për ta ndryshuar këtë situatë, duhet ta zbatojmë.

Duke u krahasuar me brezat e mëparshëm, të rinjtë e ditëve të sotme i japin një vlerë tjetër privatësisë. Çfarë mund të sugjeroni?
Çuditërisht adoleshentët sot kanë ndryshuar drejtim nga prindërit e tyre, apo nga ata që janë më të rritur. Mes shumë opsioneve, preferojnë Snapchat-in në vend të Facebook-ut. Snapchat-i nuk regjistron në mënyrë publike dhe të përhershme mesazhet mes përdoruesve. Krejt e kundërta ndodh me Facebook. Prandaj mendoj se sot të rinjtë janë më të ndërgjegjshëm për atë që duhet të publikojnë në rrjet, janë më të kujdesshëm se prindërit e tyre. Ndoshta, kjo është një lloj shprese për të ardhmen.

Ju jeni ndër eksponentët kryesorë të një debati mbi rrjetet sociale dhe mendimet tuaja konsiderohen si revolucionare. A mund të jeni ju udhëheqësi më i besuar për të rinjtë?
Unë kërkoj të bëj pjesën time. Por për të ndryshuar drejtim, është e nevojshme që konsumatorët të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe të kërkojnë një reformë të kompanive teknologjike. Çdo përdorues duhet të kërkojë respektimin e privatësisë dixhitale, të drejtën për të qenë pronar i të dhënave të tij por mbi të gjitha duhet të aspirojë që të marrë fund kapitalizmi i mbikëqyrjes, që është burimi kryesor i financimit të internetit. Nëse njerëzit do të kuptojnë fuqinë e tyre dhe do të indinjohen nga ky realitet, gjërat mund të ndryshojnë. Dhe do të ndryshojnë vërtetë./Opinion.al, përktheu Erjon Uka

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit