20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Arkivi Rosenholz

Më të lexuarat

Arkivi Rosenholz (njihet edhe me emrin Dosjet Rosenholz) përbëhet nga 381 CD-ROM që përmbajnë të dhëna me mbi 280 000 dosje me informacion mbi bashkëpunëtorët e Hauptverwaltung Aufklärung (HVA), një nga agjensitë e zbulimit të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit (Ministerium für Staatssicherheit MfS) të ish Republikës Demokratike Gjermane. Pjesa më e madhe e informacionit ka të bëjë me emrat e vërtetë të agjentëve që punonin për HVA në ish-Gjermaninë Perëndimore. Këta agjentë njiheshin nën emrin bashkëpunëtorë jozyrtarë (IM).

CIA arriti, pas një operacioni sekret, të marrë nën kontroll Arkivin Rosenholz dhe ta transportojë atë fshehurazi në SHBA. Arkivi u analizua nga CIA dhe vetëm në vitin 2003 u kthye në Gjermani pas bisedimesh të gjata mes SHBA dhe Gjermanisë. Edhe sot është e paqartë se pse këto bisedime vazhduan për kaq vite. Arkivi ishte pronë e shtetit të bashkuar gjerman dhe CIA njihte në detaje informacionin e ruajtur në Arkiv.

Pas kthimit në Gjermani, Arkivi u rikontrollua për gabime përkthimi ose gabime të tjera nga Birthler-Behörde (BStU). Që nga marsi 2004, Arkivi konsiderohet i hapur për publikun dhe secili mund të kontrollojë të dhënat që ai përmban për veten e tij mbas plotësimit të formularit përkatës (Antrag auf persönliche Akteneinsicht).

Sipas deklaratave të rezidentit të CIA-s në Moskë, Milton Bearden, Arkivi Rosenholz nuk u vu nën kontrollin e CIA-s në 15 janar 1990, por vetëm mbasi Presidenti i SHBA, George H. W. Bush, personalisht urdhëroi rezidentin e CIA-s në Berlin për të vepruar. Bearden më vonë punoi si rezident i CIA-s në Berlin dhe mbështeti kërkesën gjermane për rikthimin e Arkivit në Gjermani. Për këtë ndihmë atij iu akordua Bundesverdienstkreuz.

Deri më sot mendohet se janë rreth 1000 bashkëpunëtorë (IM) emrat e të cilëve nuk janë bërë të njohur për publikun. Agjenti më i njohur është Günter Guillaume, i cili në fund të karrierës së tij punonte si ndihmës personal i kancelarit Willy Brandt. Zbulimi i aktivitetit të tij agjenturor solli si pasojë edhe dorëheqjen e Brandt në vitin 1974.

Mbas rënjes së Murit të Berlinit dhe bashkimit të Gjermanive, në pjesën lindore u krye “pastrimi” i nëpunësave shtetërorë për të larguar ish-agjentët. Mbas dorëzimit të Arkivit, u përsërit i njëjti proces. Vetëm në Landin Sachsen u kontrolluan 50 000 mësues, policë dhe punonjës të organeve të drejtësisë. U zbulua se 65 prej tyre kishin qënë “IM”.

Në pjesën perëndimore nuk është kryer akoma i njëjti proces. Birthler-Behörde hartoi në prill 2005 një raport prej 238 faqesh mbi agjentët në Gjermaninë perëndimore. Raporti është akoma sekret. Birthler-Behörde deklaroi se publiku nuk duhet të presë “lajme spektakolare” mbas publikimit të raportit dhe të emrave të agjentëve. Ka shumë mundësi që të ngjasë e kundërta. Një nga informacionet që ka rrjedhur në shtyp është se për periudhën 1969-1972, në parlamentin gjerman kishte 43 deputetë të lidhur me Stasin. Stasi kishte praktikisht grupin e tij parlamentar me 30 socialdemokratë SDP, 10 kristiandemokratë dhe 3 fridemokratë FDP./NVV

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit