9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Arkiva e grushtit të shtetit në Iranin e vitit 1953: pse administrata Trump duhet të lexojë dokumentet e veta

Më të lexuarat

Në fund të qershorit, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi pa bujë një tufë me qindra dokumente që detajojnë rolin amerikan në grushtin e shtetit të vitit 1953 në Iran.

Atë vit, një komplot i kombinuar mes CIA-s dhe britanikëve rrëzoi kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Mossadegh, një akt i nxitur si nga gjeopolitika e Luftës së Ftohtë ashtu edhe nga zemërimi i Perëndimit ndaj shtetëzimit që Mossadegh u bëri aseteve të naftës në Iran. Komploti mund të duket i largët për amerikanët, por ai jeton prej një kohe të gjatë në imagjinatën e shumë njerëzve në Lindjen e Mesme.

“Bëhet fjalë për një gur kilometrik, të rëndësishëm dhe emocional për shumë iranianë”, thotë Malcolm Byrne, drejtori i kërkimeve në arkivën e Universitetit të Uashingtonit. “Shumë njerëz e shohin atë si ditën kur politika iraniane i ktheu kurrizin çdo shprese për Demokraci”.

Rrëzimi i Mossadegh – dhe rikthimi regjimit të shahut të Iranit, autoriarist dhe pro-Perëndimor – i dha frymë imazhit të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, kompania anglo-perse e së cilës (tani e njohur si British Petrolium BP) dikur dominonte industrinë e naftës, si shtypës neo-imperialistë që ndërhynin në punët e brendshme të kombeve të tjera. Dhe ky imazh është ende me ndikim në një kohë kur gjithë krahu i djathtë i mjedisit të Uashingtonit dëshiron hapur të ndryshojë regjimin në Teheran.

Mossadegh ishte një populist nacionalist i ikur nga kontrolli i fuqive perëndimore e që mori në dorë gjithë pasurinë natyrore të Iranit. Interesat britanike për naftën në Iran funksiononin sipas një konteksti neokolonial – përgjatë luftës së dytë Botërore, punëtorët iranianë duruan kolerën dhe mungesën e ushqimeve në rafinerinë më të madhe të drejtuar nga britanikët që të mbanin në këmbë makinerinë luftarake të Aleatëve. Në vitin 1951, Mossadegh vendosi të shtetëzojë pasuritë britanike të naftës, duke nxitur një krizë globale dhe një bojkot të drejtuar nga britanikët dhe amerikanët.

Në janar 1952, revista “Time” e cilësoi Mossadegh Njeriun e Vitit me një histori në faqe të parë jo edhe aq lavdëruese. Artikulli e përshkruante atë si një “magjistar të vjetër të çuditshëm” shumë më tepër në sintoni me Moskën dhe drejtoi gishtin ndaj Iranit si një “tokë malore midis Bagdatit dhe detit të Kaviarit”. Një vit e gjysmë më pas, CIA orkestroi marrjen e pushtetit që rrëzoi Mossadegh, duke riinstaluar në pushtet shahun dhe duke e vendosur naftën sërish në duart e britanikëve.

Dokumentet e publikuara së fundmi – pjesë e një serie të më shumë se 1 mijë dokumentesh që lidhen me korrespondencën zyrtare amerikane për grushtin e shtetit në Iran nga administratat Truman dhe Ajzenhauer – ekspozojnë më në thellësi sesi interesat amerikane ishin të motivuara si nga frika prej komunistëve iranianë ashtu edhe nga dëshira për të ndihmuar Britaninë të rimerrte kontrollin e aseteve të saj të naftës. Edhe pse ende të kursyera në detajet sesi u ekzekutua grushti i shtetit, dokumentet tregojnë sesi u përfshinë disa nga organet e aparatit të politikës së jashtme amerikane në përpjekjen për ta detyruar Mossadegh të largohej. Këto përfshinin edhe ambasadorin e asaj kohe në Teheran.

“Shpeshherë Henderson do të shpallte me një fytyrë të ftohtë se Shtetet e Bashkuara kishin politikën parimore të mosndërhyrjes asnjëherë në punët e brendshme të një vendi tjetër”, shkroi Ervand Abrahamian, historian i Iranit pasi skanoi dokumentet e sapopublikuara. “Më pas, ai do të përfshihej në betejë pa iu dridhur qerpiku”.

Abrahamian vë gjithashtu në dukje se edhe pse narrativa konvencionale është se Shtetet e Bashkuara, në kundërshtim me Britaninë, nuk ishin tepër të shqetësuara për naftën e Iranit, duket se zyrtarët amerikanë ishin megjithatë të shqetësuar për pasojat e shembullit të një vendi në Lindjen e Mesme që zgjidhte të merrte në dorë asetet e veta.

“Shembulli i shtetëzimit të suksesshëm mund të ketë efekte të rënda në koncensionet amerikane të naftës në pjesë të tjera të botës”, vë në dukje Ajzenhauer në një debat në qeveri.

Dokumentet tregojnë sesi CIA drejtoi virtualisht çdo hap të largimit të Mossadegh, përfshirë edhe ndihmën e gjeneruar për protestat pro-monarkisë e anti-Mossadegh nëpër rrugë. Në një dokument, Kermit Roosevelt Jr. — zyrtari kryesor i CIA-s që orkestroi grushtin e shtetit, dhe dikush me ndoshta emrin më amerikan të shekullin e 20-të – intrigohej kur ushtria nisi të shtypë kundër-demostratat majtiste nga partia Tudeh, e lidhur me Moskën.

“Pati një shenjë tjetër shumë inkurajuese të dielën në mbrëmje, dhe kjo ishte që Tudeh nisi demostratat … dhe duke vepruar pa marrë urdhër, Ushtria nisi të rrahë ashpërsisht njerëzit, dhe më pas shoqëroi katër kamionë me demostrues të përgjakur të Tudeh, dhe ata nuk kishin asnjë autorizim”, shkruan Ruzvelt. “Ishtë diçka spontane dhe kjo na dha inkurajim të pabesueshëm”. Në atë kohë, Mossadegh kishte kaluar tashmë në azil. Shahu do të rikthehej shpejt dhe më shumë se dy dekada sundimi autokratik do të pasonin në Iran.

Një tjetër pohim nga arkiva e re e publikuar tregon sesi CIA po ashtu iu zotua Ayatollah Abol-Ghasem Kashani, ndoshta figurës më fetare të asaj kohe, heqja e mbështetjes nga i cili, për Mossadegh rezultoi fatale për qeverisjen e tij.

Dokumenti i ri tregon se Kashani, i cili ishte një frymëzim për themeluesin e Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini, mori mbështetje financiare nga amerikanët. Kur shahu zbriti në Iran në gusht të vitit 1953, disa gazeta islamiste ngritën lart grushtin e shtetit që rrëzoi Mossadegh si një “kryengritje e shenjtë”.

Ka shumë ironi që shpalosen këtu. Por, nuk është e qartë nëse administrata aktuale ka ndjeshmëri për ndonjërën prej tyre.

Muajin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u duk të sugjeronte se ndryshimi i regjimit ishte qëllimi i administratës Trump e cila nuk e ka fshehur mospëlqimin me republikën islamike. Në një seancë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit, Tillerson tha se politika amerikane ndaj Iranit do të ishte përballja me përpjekjet e tij “hegjemoni rajonale, për të zhvilluar armë bërthamore” duke punuar për të mbështetur ato elementë brenda Iranit që do të sillnin “tranzicion paqësor të asaj qeverie”.

Referenca ndaj elementëve që punojnë për “tranzicion” bëri që zyrtarët iranianë të kundërpërgjigjen me një reagim zemërak. “Që prej viteve 1950, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të ndërhyjnë në punët e Iranit me strategji të ndryshme, si grusht shteti, ndryshim regjimi dhe ndërhyrje ushtarake”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qassemi.

Edhe pse mund të ketë shumë arsye për të pasur vërejtje ndaj lidershipit teokratik të Iranit, zyrtarët amerikanë luajnë një lojë të rrezikshme e ndoshta edhe të humbur duke shfaqur hapur amnezi historike.

“Gjërat që bëmë ishin të mbuluara”, vë në dukje Ajzenhauer në ditarin e datës 8 tetor 1953. “Nëse ato bëhen të ditura për publikun, ne jo vetëm do të viheshim në siklet në atë rajon, por shanset tona për të bërë diçka të asaj natyre në të ardhmen pothuajse do të zhdukeshin tërësisht”.

Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/

Shpërndaje:

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit