7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Arbnora Fejza Idrizi: Asgjë nuk është e pamundur nëse keni ëndrra dhe i ushqeni ato

Më të lexuarat

Arbnora Fejza Idrizi u bë sensacion medial, sapo u dha lajmi që ajo theu një rekord në ‘Guinnes’. Me origjinë është nga Klina e Ulët e Skenderajit, por ka vite që është e martuar dhe jeton në fshatin Turiçec. As si nënë e tre fëmijëve, ajo nuk i ka ndërprerë aktivitetet e saj në jetën publike.

Autorja e 14 ekspozitave të ndryshme, në disa qytete të Kosovës, në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re, rrëfen për idenë, pasionin dhe punën që e çoi deri te thyerja e një rekordi botëror. Ajo nuk lë pa i përmendur vështirësitë me të cilat është përballur gjatë rrugës, si fjala vjen paragjykimet ndaj saj, meqë mbanë shami dhe është e përkushtuar ndaj fesë.

GER: A mund të tregoni për lexuesit e Gazeta e Re se kush është Arbnora Fejza Idrizi?

Arbnora: Me origjinë jam nga Klina e Ulet e Skenderajt, por ka vite që jam martuar dhe jetoj në Turiçec.

Kam përfunduar studimet në Fakultetin e Edukimit, Dega Parashkollor në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti i parë i studimeve kam filluar të punojë edukatore, ku njëkohësisht isha edhe themeluese e institucionit parashkollor ‘Lulishtja e Dritave’ në Prishtinë, bashkë me Valbona Bytyqin. Aty punova 4 vite pastaj hapa institucionin tim ‘Vogëlushët’ në Mitrovicë, institucion ky, në të cilin isha menaxhere. Mirëpo pas një kohe të shkurtër ndërpreva punën për të vazhduar me diçka më të madhe, duke synuar thyerjen e rekordeve botërore.

Deri më sot kam realizuar gjithsej 14 ekspozita të miat personale në qytete të ndryshme. Po ashtu kam punuar edhe në ‘Radio Drenica’ ku kam udhëhequr emisionin për rolin e gruas! Gjithnjë kam qenë e angazhuar në jetën publike, duke u marrë me shumë aktivitete. Përndryshe jam nënë e tre fëmijëve.

GER: Prej nga ju lindi ideja që ta thyeni një rekord në ‘Guinnes’?

Arbnora: Pasi hapa ekspozitën më të madhe me 125 punime nga arti origami, u shtyva nga motivi që të provoja diçka më të madhe. Punova portretin e Komandantit Legjendar Adem Jashari me copa letre, pa ngjitës! Këtë portret e ekspozova me 28 Nëntor në Sallën e kulturës në Skenderaj. Pasi u vlerësua lart, veçanërisht nga Kryetari i komunës Bekim Jashari, punimi u vendos në muzeun e Jasharajve. Unë u ndjeva mjaft e nderuar nga e gjithë kjo. Kjo ishte një pikë tjetër, nga ku fillova të mendoj se unë mund të bëjë diçka më të madhe, pse jo: të thyej ndonjë rekord botëror. Prandaj për do kohë, hulumtova në faqet e rekordit. Një ditë shkarkova aplikacionet, aplikova dhe ja…

GER: A keni punuar edhe më parë lule të këtij lloji (origami)?

Arbnora: Në studime, në vitin e parë saktësisht, kam pasur një lëndë: Punë Dore. Aty kemi mësuar teknikat e artit origami nga prof. Arife Kurti. Ajo përherë e ka vlerësuar punën time. Ka qenë motivuese që unë mos të ndalem, por të hulumtojë më shumë rreth këtij arti. Gjithnjë kam punuar lule të ndryshme me këtë teknikë.

Edhe tani kam një kanal timin ‘Diella Craft’ në Youtube, ku punojë lloj-lloj punimesh kreative!

GER: Kush ju ka qëndruar pranë, kush ju ka mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe?

Arbnora: Natyrisht familja (e kam fjalën për familjen time të origjinës, por edhe atë që e gjeta te burri). Në veçanti bashkëshorti im Fadil Idrizi, i cili më ka dhënë një mbështetje të pakursyer morale e financiare tash e dhjetë vite. Nëna ime gjithashtu. Ajo është përkujdesur për fëmijët e mi, sa herë që është shfaqur nevoja. Pastaj rrethi, shoqëria, qyteti im Skenderaj… pra nga të gjithë.

GER: Kë e keni falënderuar më së shumti, për këtë arritje të jashtëzakonshme?

Arbnora: Gjatë gjithë kësaj kohe e kam falënderuar Krijuesin tim Allahun që nuk ma humbi mundin. Më dhuroi dhunti, ma dhuroi një talent të tillë dhe njëkohësisht më begatoi me një familje të mrekullueshme. Po ashtu, unë i falënderojë të gjithë ata që më mbështeten në një rrugëtim aspak të lehtë. Sidomos njerëzit që dhanë kontribut shumë të madh në realizimin e këtij projekti, pra stafin tim.

GER: Ju e dini, shoqëria jonë vuan nga paragjykimet dhe keqkuptimet për sa u përket grave me shami, po ju, a hasët në vështirësi, meqë jeni e mbuluar?

Arbnora: Shoqëria jonë ka probleme me vet edukimin. Duhet të them që ajo ka probleme edhe me njohjen e mirëfilltë të islamit. Gjithsesi, unë mendoj se njerëzit janë të keqinformuar, sepse unë nuk paraqes kulturë arabe. Unë thjesht paraqes kulturën shqiptare në të cilën bënë pjesë edhe feja ime – islami. Njerëzit duhet të vetëdijesohen të na pranojnë në shoqëri kështu siç jemi. Nëse kemi një mbulese mbi kokë, truri ynë nuk është i mbuluar!

Është e drejtë e secilit nga ne të vishet ashtu siç dëshiron. Po ashtu nuk duhet të jetë pengesë shamia pasi bota e civilizuar nuk më pyeti se si dukem unë, apo jo?!

Ata nuk më paragjykuan por kërkuan ta dëshmojë me punë se kush jam?

Kam hasur shumë sfida dhe vështirësi të mëdha, por sfidat më kanë dhënë më shume kurajë.

I kam përdorur si mure, ndonëse të ngritura kundër meje!

Asnjëherë nuk më ka brengosur fakti se njerëzit më kanë paragjykuar. Thjesht, unë kam vazhduar, edhe pse shumë herë jam ndier keq.

GER: Për fund, cila do të ishte porosia jote për gratë?

Arbnora: Shpresoj që shoqëria jonë të vetëdijesohet, sepse ne nuk paraqesim kulturë të ndonjë shteti tjetër. Jam shqiptare dhe jam pjesë e kësaj kulture. Veshja ime, ndërkaq, manifeston bindjen time ndaj Atij që më ka krijuar. Krijesa me e bukur është gruaja, këtë e ka dalluar vet Zoti…

Unë kam një mesazh për të gjitha gratë, sidomos ato motra që kanë një synim: Mos të ndalen para një dështimi të vogël, mos të bëhet ai shkak i rrëzimit, e assesi të mos i ndalojnë paragjykimet e atyre që u mungon edukata elementare.

Thjesht, zgjohuni dhe vazhdoni në realizimin e ëndrrave tuaja. Asgjë nuk është e pamundur nëse keni ëndrra që i ushqeni dhe doni t’i ndiqni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit