14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

ARABËT DHE KOSOVA NDJENJA TË TRAZUARA PËR LUFTËN (Rimëkëmbja 1999)

Më të lexuarat

ARABËT DHE KOSOVA NDJENJA TË TRAZUARA PËR LUFTËN

Shënim i “Rimëkëmbjes”: Qëndrimet që mbajnë shtete, popuj apo personalitete të ndryshme ndaj ngjarjeve në Kosovë është e dobishme t’i njohim sa më mirë me qëllim që edhe të dimë se ku i kemi miqtë e vërtetë, deri në çfarë shkalle na ndihmojnë dashamirët dhe ku kemi pasur iluzione. Dihet tashmë nga lexuesit e gazetës tonë se u jemi kundërvënë me vendosmëri një kategorie folësish e
shkruesish në gjuhën shqipe që për vite me radhë kanë bërë sulme të shfrenuara kundër besimit islam në Shqipëri e në botë dhe kanë ngritur flamurin e rreckosur të antiislamizmit, gjoja për të luftuar kundër rrezikut të fondamentalizmit islamik në Shqipëri. Dihet se si kjo kategori propagandistësh në shërbim të
serbofilisë e grekofilisë, luftën çlirimtare në Kosovë janë përpjekur ta paraqesin si terrorizëm islam, i kanë fryrë propagandës se po vijnë terroristë e muxhahidinë islamistë të turbullojnë Ballkanin nëpërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Tani që dihet se si rrodhën punët pas bombardimeve të NATO-s në Serbi, se si dështoi teza se “perëndimi nuk i do shqiptarët meqenëse janë shumica myslimanë” që dihet se Ballkanin po e hedh në flakë fondamentalizmi ortodoks sllavo-grek këta propagandistë kanë zënë ta kthejnë pllagën nga ana tjetër. Ata tani përhapin ankesat “ku janë vullnetarët myslimanë që nuk vinë të luftojnë në Kosovë përkrah shqiptarëve kur rusët po shkojnë të luftojnë përkrah serbëve për hir të ortodoksisë, çfarë po bëjnë vendet islamike, pse kufizohen vetëm në ndihma materiale etj.
Për të gjykuar mbi të dhëna sa më të qarta e objektive po i paraqesim lexuesit një shërim të botuar në revistën e njohur britanike “The Economist” të datave 22-28 maj 1999, ku jepet një analizë e faktorëve të ndryshëm që përcaktojnë qëndrimin e vendeve të zonës ku mbisundon besimi islam)

Ditën që NATO filloi bombardimin e Jugosllavisë, gazetat arabe, sikurse ato amerikane dhe europiane, botonin kryeartikuj me tituj të mëdhenj mbi sulmet ajrore. Por, në shkrimet redaksionale pikëpamjet përgjithësisht ishin shumë të ndryshme. Megjithëse udhëheqësit e NATO-s prisnin lëvdata nga arabët myslimanë meqenëse NATO po mbronte bashkëbesimtarët e tyre myslimanë në Kosovë, ato në
rastet më të shumta treguan mosmiratim për anashkalimin e OKB-së dhe për arbitraritetin në zbatimin e së drejtës. Një komentues i një të përditshmeje arabe nga Londra nxorri përfundimin se “ofensiva e tanishme kundër Serbisë tregon që NATO është e vendosur ta zhveshë bashkësinë ndërkombëtare nga pushteti i saj. Shumë myslimanë në Lindjen e Mesme kanë, sigurisht, simpati për kosovarët. Çdo egjiptian, sirian, jordanez dhe sudanez që në shkollë ka mësuar mirë e mban mend se kanë qenë shqiptarë të kthyer në besimin islam si Pashai i Egjiptit, Muhamed Aliu, që dikur kanë sunduar në vendet e tyre. Në zyrat e shoqërive ajrore, në shkolla, në xhamira, nëpër rrugë, shumë arabë kanë shkundur
mirë xhepat e tyre për të ndihmuar Kosovën. Zonjat e ngarkuara me bizhuteri të një grupi grash në Kuvajt dërguan një aeroplan të ngarkuar me ndihma dhe banorët e varfër të Sidonit në Liban kanë hedhur kartmonedha në qarqafët e shtruar nëpër rrugë nga një grup islamik. Gjysëmhëna e Kuqe, ekuivalentja e myslimane e Kryqit të Kuq, ka ngritur kampe refugjatësh në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Qeveritë veçanërisht në shtetet e pasura të Gjirit po bëjnë gjithashtu punën e tyre në frontin humanitar. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë një gjë për t’u lavdëruar një “kamp me pesë yje” të plotësuar me telefona celularë, me roje dhe me pistën e vet ajrore. Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët është ankuar se ky kamp është shumë lluksoz dhe se ata që janë vendosur të refuzojnë të lëvizin drejt vendeve ku mund të qëndrojnë për një kohë më të gjatë. Dashamirët nga Emiratet këmbëngulin se një mjedis i pastër dhe tre vakte gjellë të ngrohtë në ditë janë gjërat më të pakta që meritojnë kosovarët që kanë parë llahtari me sy.
Por kur vjen fjala për atë që po bën NATO shumë qeveri arabe i bien fyellit në një vrimë tjetër. Nuk është për t’u habitur që vende si Libia dhe Iraku menjëherë dolën në mbështetje të Jugosllavisë, sepse pa dyshim shihnin mundësinë për të pasur një anëtar të ri në klubin e “shteteve të inkriminuara”. Por edhe
midis aleatëve të Perëndimit në rajon vetëm Emiratet kanë pranuar të dërgojnë trupa si paqeruajtës, ndonëse jo si pjesë e një force të udhëhequr nga NATO. Të tjerët si Arabia Saudite, Egjipti kanë mërmëritur konsiderata të përgjithshme për t’i dhënë fund agresionit dhe asgjë më tepër.

Pse ka ngurrim për të duartrokitur veprimet që synojnë të rikthejnë kosovarët në shtëpitë e tyre ? Pjesërisht sepse pas një bombardimi jo shumë efikas të Irakut nga Perëndimi shumë arabë kanë frikë se NATO vetëm do t’i ngatërrojë punët; shumë zyrtarë arabë janë në një mendje me Sadam Hyseinin se “armët që përdor Perëndimi për të trembur botën janë të pafta për t’i ndryshuar gjërat”. Një pjesë kanë frikë se krijohet një precedent që mund të përdoret kundër tyre.

Katër vende arabe Libani, Siria, Sudani dhe Iraku kanë qenë në shenjestër të bombave, predhave dhe raketave amerikane gjatë 20 viteve të fundit. Madje edhe ministri i jashtëm i Izraelit, Ariel Sharon ka shprehur disa shqetësime se mos ndikohen palestinezët e Bregut Perëndimor e të Jeruzalemit. Një pjesë e qeverive të Lindjes së Mesme nuk duan të nxisin më tej zemërimin e atyre qytetarëve të vet kundër asaj që bën NATO në Serbi. Por nga ana tjetër ka pasur protesta në rrugë kundër serbëve si në Liban dhe në territoret palestineze, në dy zona të Lindjes së Mesme ku njerëzit e dinë se ç’do të thotë të jesh i dëbuar nga shtëpia tënde. Në artikujt kryesorë të shtypit në të gjithë zonën ka ankesa se qeveritë arabe po qëndrojnë anash pa bërë gjë. Sipas opinionit të gjerë tragjedia e kosovarëve kërkon që të ndërhyjë NATO ose vendet islamike. Pak arabë i besojnë pretendimit të NATO-s se ajo po vepron e shtyrë nga kujdesi për kosovarët. Disa thonë se NATO po i tregon muskujt e saj vetëm për t’i thënë botës se kush sundon. Të tjerë mendojnë se ajo me bombardimet do të shpejtojë fushatën serbe të spastrimit etnik dhe kështu të shporrë myslimanët nga Europa dhe prandaj sulmet mbi Serbi janë thjesht veprime për të zbutur disi opinionin publik mysliman për një sulm tjetër të rrufeshëm mbi Irakun. Diskutimet për këto
probleme nuk janë të qeta.
I vetmi vend mysliman në rajon ku reagimet kanë qenë relativisht entuziaste është një vend jo arab, Turqia. Turqit që e patën pushtuar Kosovën në shekullin XIV dhe u larguan prej andej në shekullin XX i ndjejnë fort lidhjet e tyre fetare, historike, kulturore me Kosovën. Jo më pak se tre milionë turq, ku
përfshihen shumë politikanë dhe biznesmenë me ndikim janë me prejardhje shqiptare. Nga ana tjetër, Turqia që është anëtare e NATO-s ka vetë një biografi jo aq të pastër për trajtimin e pakicave: armenët e saj vuajtën shumë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pjesa kurde e vendit ka krijuar probleme gjatë
viteve të fundit. Kështu që shumica e gjeneralëve turq janë të lumtur të qëndrojnë përkrah NATO-s, veçanërisht kur Greqia është më pak entuziaste. Turqit kanë vënë avionët e tyre në shërbim të fushatës së bombardimeve dhe bazat e tyre ajrore në dispozicion të NATO-s, duke shpresuar pa dyshim se NATO nga ana e saj do t’i bezdisë më pak për problemet që ka Turqia me kurdët dhe islamikët.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit