Apel për rritjen e përgjegjshmërisë morale

0
18

Duke marrë shkas, nga ngjarja tepër e dhimbshme e Kavajës, ne si hoxhallarë, i bëjmë apel mbarë shoqërisë shqiptare dhe në veçanti besimtarëve në Zot dhe vlerave dhe parimeve morale që ata besojnë, të reflektojnë mbi moralin me të cilin po rritet brezi i ri i sotëm.

Ne, në vazhdimësi në predikimet tona në xhami, në rrjetet sociale dhe më gjerë, u tërheqim vërejtje njerëzve për imoralitetin në rritje që ka pësuar shoqëria jonë. Por, është për të ardhur keq që duhet të bëhen publike të tilla ngjarje të shëmtuara, që na turpërojnë të gjithëve, për t’iu rikujtuar edhe një herë se ato janë pasojë e shthurjes morale që ka pësuar një pjesë jo e vogël e shoqërisë sonë, e cila në emër të hapjes ndaj prurjeve të reja kulturore, çlirimit nga kufizimet morale të trashëguara, nga tradita jonë fetare e kulturore dhe ndjekja e prirjeve -të pretenduara- të progresit shoqëror, shfaq një shpërfillje të madhe ndaj moralit të traditës sonë, duke e parë atë çuditërisht si pjesë e një prapambetje të trashëguar mesjetare, obskurantizmi apo edhe si pengesë në proceset integruese perëndimore.

Ngjarja alarmante e Kavajës, është vetëm se pasojë e atij helmimi të përditshëm seksual, që brezi i ri përballet çdo moment nga gjuha banale, imazhi seksual, që mediat e ndryshme, filmat, reklamat, muzika, spektaklet, emisionet, rrjetet sociale, faqet e ndryshme të internetit, veshja provokuese, aktivitetet argëtuese, madje ndonjëherë edhe tekstet shkollore që japin mesazhe erotike të parakohshme për të miturit etj. në tërësinë e tyre ushqejnë, nxisin dhe provokojnë pandërprerë instinktin seksual të njerëzve. Nëse të gjithë këta faktorë dhe të tjerë, nuk merren në konsideratë dhe nuk ndryshohet ndaj tyre qasja prindërore, shoqërore, institucionale dhe shtetërore, atëherë raste të tilla edhe nëse nuk bëhen publike në media, për fat të keq kanë për të vazhduar. Sepse ajo që ka bërë vaki në këtë rast mes të miturve të një shkolle, është vetëm se një kopje naive e asaj që ndodh mes një pjesë jo të vogël të të rriturve, me përmasa edhe më të mëdha edhe pse në forma më të moderuara.

Instinkti seksual njerëzor nëse nuk kontrollohet dhe vendoset në suaza të qarta morale, ai është shkatërrimtar për një shoqëri – herët ose vonë- cilado qoftë ajo.

Duke qenë se një pjesë jo e vogël, e biznesit mediak, atij argëtues e më gjerë, janë më tepër të interesuar për përfitime ekonomike sesa për moralin e shoqërisë, del si detyrë emergjente parësore e prindërve të jenë më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm karshi rrezikut të shumëfishtë moral me të cilën përballen fëmijët e tyre kudo, si dhe të edukojnë mbi të gjitha në ndërgjegjen e brezit të ri parime dhe vlera morale të qëndrueshme, mbi bazën e besimit në Zot dhe traditave tona më të mira të trashëguara në këtë drejtim.

Një përgjegjësi e madhe në këtë drejtim bie edhe mbi autoritetet shtetërore të kontrollit, siç është AMA që duhet të ketë një vëmendje më të ndjeshme karshi filtrit etik të prurjeve mediatike, por dhe politikat dhe praktikat arsimore të cilat duhet ta shohin shkollën si një vend edukimi jo vetëm shkencor, por edhe etik e moral.

Urojmë që ngjarje të tilla, të bëra publike ose jo, të mos përsëriten më dhe kjo që ndodhi të shërbej si një sirenë alarmi, për të zgjuar dhe rritur vëmendjen e gjithanshme të pjesës së përgjegjshme të shqiptarëve dhe në veçanti atyre që janë besimtarë.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë