11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Antivehabizmi mediatik në ditë feste

Më të lexuarat

Efekti i festave në shoqëri është afrimi i njerëzve me njëri-tjetrin dhe rritja e solidaritetit të tyre. Në çdo festë, njerëzit urojnë njëri-tjetrin, bëjnë vizita, gosti, rituale, homazhe, përkujtime dhe të gjithë marrin pjesë në gëzimin e atij që feston, edhe nëse vetë nuk festojnë. Por ka një festë që përveç kortezisë së politikës, shoqërohet gjithnjë me demonstrim distance prej aktorësh të shumtë në opinionin publik. Bajrami është ndoshta e vetmja festë ku, në mënyrë të përsëritur, organizma, institucione, media, por edhe përfaqësues të shtetit nuk harrojnë të kujtojnë rrezikshmërinë potenciale të individëve që bartin fenë muslimane. Mund ta ndeshësh këtë edhe nëpërmjet një kërkimi pak më të të hollë midis rrjeshtave të urimeve, por edhe në mënyrë eksplicite, në kronika lajmesh apo aktivitetesh publike.

Thuajse të gjitha mediat në Shqipëri, jo vetëm që nuk respektojnë barazinë në vëmendjen dhe hapësirën që u kushtojnë festave fetare, por shumë prej tyre nuk harrojnë asnjëherë të gjejnë mundësi për ta prishur atmosferën. Prej vitesh tashmë, as TVSH-ja nuk e vendos më strishën e urimit nën logon e vet në cep të ekranit. Gjithashtu, megjithë pritshmërinë e publikut, thuajse asnjë transmetim nuk ofrohet për këtë rast, përveç kronikave të lajmeve mbi ceremoninë e faljes dhe vizitave të politikanëve. Nga ana tjetër lajmet shoqërohen përgjithësisht me kronika festimesh nga vendet më të varfëra dhe më problematike të botës muslimane si psh. Afganistani, Pakistani, Egjipti, Siria, Palestina etj., ku pamjet të krijojnë atmosferën e hirtë të varfërisë, shoqëruar këto edhe me kronika viktimash që nuk mungojnë asnjëherë në një botë me mbi 1 miiard muslimanë. Të gjitha këto nuk jepen gjatë pashkëve dhe krishtlindjeve, ndonëse të tilla mund të gjesh sa tëduash tek të krishterët e botës së tretë.

Terrorizmi on line

E njëjta gjë ndodh edhe në Kosovë dhe madje këtu gjuha bëhet shpesh edhe më provokative, megjithë faktin se pesha e popullsisë muslimane është shumë herë më e madhe. Pa u tharë mirë boja e urimeve, Gazeta Ekspres e gjeti të përshtatshme të ringrejë për të qindtën herë rrezikun vehabist në një artikull me titull “Hoxa që po e sfidon Shtetin e Kosovës”. Që të nesërmen e festës gazeta u kujtua për një raport të hartuar disa vite më parë nga Policisë e Kosovës, sipas të cilit, në tërë territorin e vendit, ushtrojnë veprimtarinë e tyre shumë vehabistë radikalë që kërcënojnë rendin dhe sigurinë. Në bindjet e tyre ata shkojnë deri aty sa që “edhe mund ta vrasin një musliman tjetër që nuk i takon sektit të tyre”. Raporti prej tre faqesh nuk identifikon organizata dhe persona konkretë si vehabistë, por, sipas gazetës, flet hapur për rrezikun në rritje nga përhapja e kësaj rryme.

Megjithëse lexuesit mbesin pa emra dhe pa ditur të identifikojnë se kush janë këta kriminelë që qenkan shpërndarë kudo e po ua zënë në grykë drekën e Bajramit, gazeta na siguron se kjo mund të vërtetohet kollaj nëpërmjet youtube-it dhe facebook-ut, në ligjëratat e vulgare të disa hoxhallarëve periferikë si Mazllam Mazllami apo Enes Goga, që fuqia e internetit u krijon mundësinë e komunikimit në distancë për të krijuar fshatin e tyre kibernetik në një komunitet virtual të grumbulluar nga kushedi ç’cepa të botës. Në këto ligjërata, hoxhallarët virtualë jepkan përgjigje mbi pyetje të tilla si psh: a i lejohet një çifti të sapomartuar të ecë rrugëve kapur për dore, apo, a është haram me pi coca-cola. Këtyre u shtohet edhe rasti i hoxhes nga Elbasani Kastriot Duka, i shpallur non grata si përhapës të ideve ekstremiste, i cili, duke sfiduar shtetin, qenka kthyer përsëri në Kosovë duke predikuar se korrupsioni n kt vend është shenjë e shkatërrimit që do të vijë për shkak se kan zgjedhur për president një grua.

Terrori i Gazetës Express

Nuk kam ndërmend të ndalem e të trajtoj këtu problemet e ligjëratave dhe fetvave si këto që jepen pa doganë nëpër minbere realë e virtualë në trevat shqiptare, pasi tema të tilla, janë trajtuar nga autorë të ndryshëm në këtë faqe. Ajo çfarë duket shumë herë më i rrezikshëm, është përdorimi që i bëhet këtyre fenomeneve për të krijuar terror tek lexuesit, e akoma më keq, për të krijuar shije të keqe për një prej feve të mëdha të shqiptarëve, duke mbjellë farën e urrejtjes fetare në një vend kaq vunerabël si Kosova.

Në rradhë të parë, ngatërresa dhe atashimi që gazeta i bën terrorizmit me fanatizmin tregon mungesë koherence logjike, me pasoja të drejtpërdrejta mbi njerëz konkretë, të cilët fillojnë dhe shihen me pa të drejtë si kriminelë nga komuniteti i tyre. Duhet kuptuar se jo çdo fanatik apo ndjekës i interpretimeve literale është potencial për të qenë kriminel. Është e papërgjegjshme të akuzosh publikisht në këtë mënyrë njerëz konkretë, vetëm për shkak të papajtueshmërisë me interpretimet e tyre fetare.

Nga ana tjetër, mediatizimi i rrezikut terrorist nuk bën gjë tjetër vetëm se realizon atë që terrorisët duan, nëse ka të tillë në Kosovë. Terrorizmi ka për qëllim të frikësojë njerëzit dhe të bëhet i dukshëm e i aksesueshëm për publikun. Pikërisht këtë po bën në këtë rast gazeta Express, duke i dhënë vëmendje një fenomeni të padukshëm në publik. Përveç kësaj, me këto spekulime gazeta po mbjell realisht frikë tek lexuesit, duke terrorizuar opinionin për rreziqe hipotetike të pavërtetuara. Media ka një efet të madh në krijimin e realiteteve shoqërore që nuk do të ekzistoin pa të. Duke ekspozuar esktremizmin, ajo nuk bën gjë tjetër vetëm se e faktorizon atë brenda bashkësisë muslimane, duke dëmtuar njëkohësisht shumicën dërrmuese të muslimanëve, që paraqesin modelet normale të Islamit tradicional.

Dhe në fund, duke folur kaq shumë për ekstremizmin, shumë njerëz e atashojnë atë me vetë islamin dhe kjo krijon urrejtje fetare dhe polarizime shkatërruese për çdo shoqëri. Frytet e këtij diskursi, i shohim tek një pjesë e madhe blogjesh shqiptare, kryesisht katolikocentrike anti-islame, që gazeta Express nuk interesohet t’i sjellë në vëmendje. Faqe të të tilla si Zemra Shqiptare, Revista Drini, etj., nëpërmjet një ligjërimi, jo pak të artikuluar dhe tejet ekstremist e radikal, po i fryjnë me të gjithë mushkëritë e tyre zjarrit të urrejtjes fetare në Shqipëri e Kosovë, duke e plehëruar mirë truallin e ekstremizmit anti-musliman, për të krijuar krijuar një klimë të skajshme përçarjeje fetare. Të gjitha këto janë rreziqe shumë herë më të mëdha sesa rastet sporadike e periferike që evidenton gazeta dhe ato duhen vënë në vëmendje, jo vetëm për efektet negative në shoqëri, por edhe për antikushtetutshmërinë dhe racizmin që paraqesin, duke kërcënuar ekuilibrat shoqërorë.

Një organ shtypi serioz, duhet të jetë i kujdesshëm ndaj efektit publik që krijon përndryshe ai mund të prodhojë krisje që mund ti kushtojnë rëndë shoqërisë. Me apo pa dashje, mediat shqiptare, në përgjithësi po i ndihmojnë polarizimeve të tilla, dhe ky është një fenomen mjaft shqetësues për të ardhmen e kësaj shoqërie./e-zani

Anton Cara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit