4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Ankaraja dhe Athina përplasen për 12 miljet. Përse përmenden negociatat me Shqipërinë?

Më të lexuarat

Ankaraja dhe Athina kanë shkëmbyer deklarata të ashpra pasi ish-Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias njoftoi para disa ditësh vendimin për zgjatjen e detit territorial në 12 milje.

Ambasadori i Greqisë në Turqi u thirr të hënën në Ministrinë e Jashtme turke. Në një njoftim të kësaj Ministrie pas takimit, thuhet se “Nuk është e mundur të tolerojmë akte për të cilat nuk ka marrëveshje dypalëshe në detin Egje, ku kemi brigje të përbashkëta”.

“Asambleja Kombëtare në vitin 1995 ka miratuar paralajmërimet e domosdoshme për këtë çështje, që mbeten në fuqi”.

Në vitin 1995, parlamenti turk votoi një rezolutë ku thuhej se çdo veprim i njëanshëm i Greqisë për të shtrirë nga 6 në 12 milje ujërat territoriale, do të shërbente si Casus belli -kazus për luftë.

Përgjigjia nga Athina ishte e menjëhershme.

“Shtrirja e ujërave territoriale përbën një të drejtë të parevokueshme, ligjshme dhe sovrane të Greqisë, sipas të drejtës ndërkombëtare. Greqia ka të drejtën që t’i zgjerojë ujërat e veta territoriale kur dhe si të gjykojë. Interpretime arbitrare të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënimet për dhunë nga ana e Turqisë, ashtu si dhe vënia në diskutim e të drejtave tona sovrane, as e ndryshojnë këtë fakt, por as ndihmojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke.

Ish-Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias, deklaroi të shtunën në prani të kryeministrit Tsipras që po merrte edhe detyrën e shefit të diplomacisë, se Greqia do të fillojë t’i shtrijë gradualisht ujërat e veta territoriale.

Kotzias tha se në fazën e parë do të përfshihet Otonoi dhe gjithë ishujt e vegjël rreth tij, deri në Antikythera, një ishull i vogël në veriperëndim të Kretës.

Në fakt, qëndrimi konstant grek prej më shumë se njëzetë vitesh është që shtrirja e detit territorial do të bëhet përnjëherë, atëherë kur të gjykohet se është momenti.

Deri më tani, ky moment kishte “ngecur” për shkak të mosmarrëveshjeve me Turqinë për detin Egje dhe kërcënimit të Ankarasë se një akt i njëanshëm nga ana e Greqisë do të ishte kazus për luftë.

Partitë opozitare greke e akuzuan qeverinë se duke pranuar shtrirjen graduale, i jep mundësinë Turqisë që të insistojë në qëndrimin e vet se e drejta ndërkombëtare nuk mund të zbatohet plotësisht, pasi aty është një “rast i veçantë”.

Por edhe nisja që nga ishujt Otonoi duket se mund të shkaktojë komplikime në negociatat me Shqipërinë.

“Përbën pikëpyetje nëse shtrirja me 12 milje ndërlidhet në një farë mënyre edhe me negociatat që po zhvillohen ndërmjet Athinës e Tiranës për delimitimin e zonave Ekskluzive Ekonomike”, vë në dukje gazeta “Kathimerini”.

“Nëse po, kjo do të thotë se Greqia dhe Shqipëria praktikisht kanë një nivel minimal perceptimi të përbashkët për pjesën e zonave detyre që u përkasin. Nëse jo, ka shumë gjasë që procesi të përballet me probleme serioze, pasi ende nuk është arritur marrëveshja”, nënvizon gazeta greke.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit