21.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Analizë – Evropa, turkofobia dhe një e ardhme e rrezikshme

Më të lexuarat

Vendimi i PE-së më 24 nëntor, për të pezulluar negociatat me Turqinë për anëtarësim, duhet të shihet në një kuadër më të gjerë të frikës së gabuar, të paragjykimeve të vjetra dhe të populizmit politik kundër Turqisë dhe turqve…

 

Parlamenti Evropian (PE) mori një vendim skandaloz kundër Turqisë në një kohë kur Evropa po dështon për të adresuar çështjet reale të rritjes së racizmit, ksenofobisë, grupeve antiemigracionit, radikalizmit, tjetërsimit dhe islamofobisë. Me problemet e saj të brendshme, mikronacionalizmat dhe procesin e Brexit-it, Evropa është duke ngushtuar vizionin e saj strategjik dhe duke humbur lidhjen. Vendimi i PE-së më 24 nëntor, për të pezulluar negociatat me Turqinë për anëtarësim, duhet të shihet në një kuadër më të gjerë të frikës së gabuar, të paragjykimeve të vjetra dhe të populizmit politik. Edhe pse ligjërisht jodetyrues, vendimi reflekton klimën politike toksike dhe vizionin e ngushtë strategjik në PE. Kjo situatë ushqehet nga rritja e populizmit politik antiturk në Evropë dhe zbulon paragjykimet e vjetra të Kontinentit të Vjetër ndaj Turqisë dhe turqve. Por kjo është pjesë e një modeli të ri, i cili thotë më shumë për eklipsin e horizontit politik evropian sesa për vetë Turqinë.

Tashmë në Evropë s’ka ditë që dikush të mos provojë shansin e tij në biznesin fitimprurës për të sulmuar Turqinë dhe Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe për të shënuar pikë kundër tyre. Politikanët, gazetarët, komedianët, artistët dhe të tjerët duken kaq të fiksuar me Erdoganin, saqë emri “Erdogan” nuk i referohet më personit që mban postin e presidentit të Republikës së Turqisë, por është kthyer në një farë nocioni të mjegullt, i cili mund të përdoret sa herë që këta njerëz kanë nevojë për një “tjetër” që ta kundërshtojnë, sulmojnë, të shpifin për të apo dhe të ndihen mirë në lidhje me veten e tyre.

Ne e kemi parë këtë turmë, e cila e ka thyer Erdoganin në obsesion, bashkë me fyerjet dhe kritikat e saj për të poshtëruar, duke bërë tellallin e frikës dhe duke shpresuar se provokimet e saj të qëllimshme do të çojnë në një reagim – një lloj reagimi të cilin ata do ta përdornin përsëri për të demonizuar Erdoganin dhe “mbështetësit e tij”, një tjetër term i mjegullt ky që është po kaq i dobishëm dhe multifunksional, saqë mund të përdoret në çdo kohë dhe kudo, kur është e nevojshme. Siç vë në dukje edhe Elif Zehra Kandemir, një grua myslimane turko-gjermane, “Erdogani është shndërruar në një lloj fyerjeje, një projeksion i paragjykimeve të vjetra dhe një armik pavdekshëm, ai është gjithçka, për të cilën nuk ka vend në Evropë”.

Një shembull alarmant për këtë model të ri është numri special i shtatorit i “Der Spiegel”, revistë gjermane që e ka bërë zakon të sulmojë Erdoganin në mënyrë sistematike. Kopertina e revistës ka një fotografi dominuese të Erdoganit, i paraqitur si “mafioz” me syze dielli duke parë sipër Xhamisë Blu, dy minare të së cilës janë shndërruar në raketa. Një pasqyrim i minareve të kthyera në raketa bie mbi xhamin e syzeve të diellit prej mafiozi të Erdoganit, duke nënkuptuar zjarrin, djegien dhe mizorinë. Ndërsa titulli i kopertinës së revistës shpjegon se çfarë i gjithë ky imazh kërkon të përcjellë: Turqia po humbet lirinë e saj.

Shumë domethënës është ajo që revista “Der Spiegel” e ka publikuar këtë kopertinë vetëm dy muaj pas tentativës së dështuar të gulenistëve për grusht shteti. Ndoshta kjo revistë gjermane nuk është e kënaqur me dështimin e grushtit të shtetit. Ndoshta ajo do ta kishte mbështetur nëse grushti i shtetit do të kishte qenë i suksesshëm. Me shumë mundësi do të kishte vendosur në kopertinë një fotografi duke qeshur (apo vallë duke qarë?) të Fethullah Gulenit, si lider i grushtit të shtetit që i riktheu Turqisë lirinë e saj! “Der Spiegel” do ta përgëzonte e pagëzonte grushtin e shtetit si një gjë të mirë për demokracinë dhe do të përdorte gazetarinë e saj gjeniale për të shpjeguar se në të vërtetë nuk ka kontradiktë mes demokracisë dhe puçit ushtarak.

Kjo revistë dhe miqtë e saj anembanë Evropës, që u ka marrë truri erë dhe janë çmendur për shkak të Erdoganit, gjithashtu duhet të jenë në gjendje të shpjegojnë sesi strehimi i terroristëve të PKK-së dhe i mbështetësve të saj në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Evropës i shërben demokracisë dhe luftës kundër terrorizmit. Ata duhet të jenë të aftë të shpjegojnë  gjithashtu pse një tubim antipuçist në Këln u bë një çështje e madhe në mediat gjermane dhe pse disa javë më vonë një tubim i hapur në favor të PKK-së është e lejuar dhe mbuluar nga mediat gjermane pa kurrfarë shqetësimi.

Ata mund të gjejnë disa rrugë magjike për të justifikuar dhe fshehur vrasjet raciste të NSU-së (Ilegaliteti Nacionalsocialist). Ata mund të marrin kënaqësi duke provokuar turqit në Gjermani për të justifikuar sulmet raciste neonaziste të tyre. Ata do të përpiqen të dizajnojnë Hitlerë të rinj imagjinarë në mënyrë që t’u tregojnë botës se nuk janë ata të vetmit djaj përreth. Ata mund të fusin në qarkullim histori të reja gjenocidi që të ndihen vetë më pak fajtorë për tmerret e holokaustit. Ata do të shpikin disa mënyra të çuditshme për të paraqitur integrimin si asimilim të përgjithshëm dhe për të ndarë emigrantët si të mirë(d.m.th, ata që janë si ata) dhe të këqij (d.m.th, ata që preferojnë angazhimin kritik) për t’i bindur që të nënshtrohen. Dhe kështu lista e bezdisur vazhdon.

Ky obsesion me Erdoganin nuk është një gjë e shëndetshme. Ai është tregues i disa çështjeve të mëdha dhe ndoshta i disa problemeve të thella psikologjike. Kjo shtrihet nga ankthi në lidhje me turqit dhe myslimanët, të cilët jetojnë në Evropë, e deri te marrëveshja për emigrantët, që Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nënshkroi me Turqinë. Gjithashtu është një ngushëllim i përshtatshëm edhe për t’u larguar nga çështjet reale, që po afrohen. Ajo normalizon racizmin dhe shtyn diskursin politik qendror në një aks të rrezikshëm të ekstremit të djathtë dhe islamofob.

Raciste dhe islamofobe është gjithashtu kopertina e “Der Spiegel”: Ajo përshkruan minaret si raketa, islamin e identifikon me terrorizmin dhe paraqet Erdoganin si nxitës të një vale të re të terrorizmit fetar, ndoshta kundër qytetërimit evropian. Megjithatë ajo mbetet ende e ngulitur në antisemitizmin e modës së vjetër. Ajo sulmon një grup të veçantë njerëzish duke marrë për bazë përkatësinë e tyre etnike, kulturore dhe besimin fetar. Ajo është si matrushka ruse: Shkon nga provokimi i Erdoganit dhe turkofobia e deri tek islamofobia, ksenofobia dhe racizmi flagrant. Ato janë të gjitha shtresa të ndryshme të së njëjtës mendësie.

Në vend që të sulmojnë Erdoganin dhe kombin trim turk për ndalimin e grushtit të shtetit, Parlamenti Evropian, “Der Spiegel” dhe të ngjashmit e tyre duhet të përkulen para tyre dhe të tregojnë respekt. Ajo që populli turk shpëtoi më 15 korrik nuk ishte vetëm demokracia turke, por demokracia kudo. Ajo që ata mbrojtën nuk ishte vetëm siguria e Turqisë, por edhe siguria e Ballkanit dhe e Evropës. Prandaj në vend që të mbrojnë e inkurajojnë përkrahësit e PKK-së në Evropë, ata duhet të mbajnë një qëndrim të qartë kundër terrorizmit. Në këtë epokë të ndërvarësive, askush nuk është i sigurt për sa kohë që të gjithë nuk janë të sigurt. Evropianët po bëjnë një gabim shumë të madh duke përqafuar të gjithë ata që sulmojnë Turqinë. Humbja e Turqisë nuk do ta bëjë Evropën një vend më të mirë apo më të sigurt.

Fatmirësisht, ka shumë njerëz racionalë dhe të ndjeshëm në Evropë, që refuzojnë të kaplohen nga vala antiTurqi dhe ajo e oportunizmit politik. Ata mbështesin vlerat e demokracisë, e lirisë dhe e shtetit të së drejtës pa diskriminuar kombet e tjera. Ata e shohin rëndësinë e bashkëpunimit për problemet urgjente të botës sonë të globalizuar dhe gjithnjë e më shumë të ndërvarur. Ata nuk kërkojnë të fitojnë pikë politike të lira duke u përfshirë në valën antiemigrante dhe ksenofobe në Evropë. Ata kundërshtojnë idenë pragmatiste se “demokracia është e mirë vetëm kur ajo i shërben interesave tona”. Ata mirëpresin emigracionin si një fakt i botës, në të cilën jetojmë, dhe ballafaqohen me të në një mënyrë politikisht dhe moralisht të përgjegjshme. Ata e vlerësojnë Turqinë si një partner, jo si armik apo si ego të fshehur dhe nuk kanë Kompleksin e Edipit kundër Erdoganit apo Turqisë.

Këta njerëz janë ata që besojnë se Evropa duhet të bëjë më mirë sesa të gjunjëzohet përpara oportunizmit politik dhe përpiqen për të ruajtur rëndësinë e saj për Turqinë dhe botën. Ata ndihen të turpëruar nga reagimi i Evropës ndaj krizës më të madhe në botë të refugjatëve në më shumë se gjysmë shekulli dhe kërkojnë të bëjnë diçka në lidhje me këtë çështje. Ata e mbështesin popullin turk kundër grushtit të shtetit dhe grupeve të tjera terroriste pa u menduar dy herë. Janë të vetëdijshëm se siguria e Turqisë është edhe siguria e Evropës. Kundër të gjitha gjasave, këta njerëz janë ata që mund ta shpëtojnë Evropën nga eklipsi dhe përgjumja e saj aktuale.

 

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit