10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Amerika e lodhur dhe e mërzitur nga lufta

Më të lexuarat

Kjo është lufta më e gjatë e Amerikës: SHBA së bashku ne vendet e tjera të NATO-s për njëmbëdhjetë vjet luftojnë në Afganistan. Në përvjetorin e 11-të Amerika është e lodhur dhe e mërzitur nga lufta.
Janë pamjet e arkivoleve të mbuluara me flamuj ato që e shqetësojnë ende rreshterin Louis Loftus. Kur në lajmet televizive njoftohet për ushtarët e rinj amerikanë që humbasin jetën në Afganistan. Edhe pse ka një vit që ai është kthyer në shtëpi, ai vuan ende me shokët e tij: “Edhe pse unë jam mirë, jetoj, kam të dyja këmbët. Dhe megjithatë kjo është e tmerrshme!”

Kështu si rreshteri Loftus shumë qytetarë amerikanë bëjnë pyetjen thelbësore: A ia ka vlejtur e tërë kjo? Para pak kohësh në Afganistan humbi jetën ushtari i 2000-të amerikan. Mbi 1000 kanë vdekur vetëm në dy vitet e fundit. Dhe gjithnjë e më shpesh shkaku i vdekjes quhet “green on blue” – “E gjelbra kundër të kaltrës”, siç quhen sulmet e brendshme në zhargonin ushtarak: zemërimi është i madh se pikërisht në mesin e atyre afganëve që Amerika i përgatit me shumë vështirësi për policë dhe forca të sigurisë, fshehen terroristë dhe vrasës.
Dy nga tre amerikanë kërkojnë tërheqjen nga Afganistani
“Unë jam shumë i zemëruar nga këto sulme!”, … ankohet komandanti suprem i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali John Allen, në kanalin televiziv CBS: “Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë shumë për Afganistanin. Por ne nuk jemi të gatshëm që të vritemi!”

Gjithnjë e më shumë amerikanë pyesin: “Pse ushtarët tanë duhet të mësojnë afganët si të punojnë me armë, të cilat ata pastaj i përdorin për të vrarë djemët tanë?” Dy nga tre amerikanë ndërkohë shprehen për një tërheqje më të shpejtë nga Afganistani. Presidenti Obama ka kohë që ka vendosur për strategjinë e tërheqjes nga Afganistani: “Deri në fund të vitit 2014, të gjitha trupat e rregullta do të jenë përsëri në shtëpi”, premton Obama në çdo fjalim të tij në tubimet e fushatës zgjedhore. “Pas dy luftrave, që kushtuan me mijëra jetë dhe triliona dollarë, ka ardhur koha për të ndërtuar vendin tonë.”
Më shumë kritika se sa mirënjohje
Luftërat në Irak dhe Afganistan kanë dëmtuar financiarisht shumë Amerikën: dy luftërat së bashku kanë kushtuar mbi një trilion: që do të thotë 1000 herë nga një miliard dollarë. Nuk është çudi që shumë amerikanë thonë: “Mjaft më!” Veçanërisht kur nga zyrat luksoze të presidentit afgan, Hamid Karzai shpesh mund të dëgjohen më shumë kritika se mirënjohje si për shembull: “Amerika duhet të bëjë më shumë kundër celulave terroriste në Pakistan.” Kështu deklaroi së fundi Karzai për kanalin amerikan CBS: “Në Afganistan është shtuar terrorizmi”, ankohet Karzai për të shtuar se: “Afganistani e ndjen veten të braktisur!”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Paneta i sheh sulmet e brendshme si një shenjë se talibanëve po ju vjen fundi. Në qeverinë e SHBA-së, askush nuk dëshiron të pranojë se eksperimenti “Demokracia në Afganistan” mund të dështojë. Në pyetjen se si do të duket Afganistani në fund të vitit 2014 ur do të jenë tërhequr ushtarët amerikanë, ish-ambasadori amerikan në Kabul, Ryan Crocker dha një përgjigje të thjeshtë: “Një Afganistan që është mjaft i mirë për tu përkujdesur për stabilitetin në një rajon të rrezikshëm.” Kjo tingëllon modeste – pas njëmbëdhjetë vitesh luftë dhe shpenzimeve gjigande./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit