17.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Aleanca e selefive në Egjipt dhe politika

Më të lexuarat

Në Egjipt është themeluar një parti e re selefite. Partitë e këtij spektri nuk janë gjithmonë në unanimitet, por ato vazhdojnë të kenë influencë të madhe.
Emad Abdel Ghaffur bëri të ditur në fillim të vitit në Kajro se do të hapë një kapitull të ri. Ish-kryetari i partisë egjiptiane Al-Nour (“Drita”) duket se është ngopur me luftërat brendapartiake, me të cilat është përballur muajt e fundit. Grindjet më të mëdha janë zhvilluar rreth rolit të klerikëve fetarë në marrjen e vendimeve politike. Ghaffuri si njeri pragmatik vendosi të japë dorëheqjen. Në vend të partisë Al-Nour ai e ka themeluar partinë Al-Watan (“Vendlindja”), në të cilët deri tani ka mbledhur 100 anëtarë.

Më shumë parti selefite
Në këtë mënyrë u zgjerua spektri i partive selefite në Egjipt. Krahas partisë “Drita”, partisë shumë më të vogël “Autentike” dhe “Partisë për Ndërtim dhe Zhvillim”, zgjedhësit egjiptianë tani kanë në dispozicion edhe partinë “Vendlindja”. Ndërkohë që edhe ultrakonservatori i angazhuar në televizion Hasem Abu Ismail, ka bërë të ditur se do të themelojë një parti të re. “Të dy këto parti duan të luftojnë së bashku për vlerat selefite”, pohon profesori Günter Meyer.
Një impuls politik nga partitë e reja pret edhe Hamadi El-Aouni, hulumtues në Universitetin e Lirë të Berlinit. Por një parti e re politike me orientim salafist nuk do ta ndryshojë skenën politike në Egjipt. “Këtu kemi të bëjmë vetëm me emra të rinj dhe jo me programe”, shpjegon ai. Ndërsa Günter Meyer shton: “Në dallim prej partive laike, të cilat e luftojnë njëra-tjetrën, partitë selefite angazhohen për unitet.”

Influenca dhe (mos) uniteti
Demonstratë e selefive në Kajro për aplikimin e ligjit të sherihatit (9 nëntor 2012)
“Aleanca islamike” nga tri partitë e vjetra selefite ka fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare (ndërkohë të shpallura si të pavlefshme) rreth 25 % të votave. El-Aouni dhe Meyer llogarisin se këto parti do të shënojnë rezultate të mira edhe në zgjedhjet e ardhshme dhe se luftërat e brendshme politike nuk do ta dëmtojnë imazhin e tyre.
Mjerimi ekonomik i vendit i shkon në favor partive selefite, mendon Hamadi El-Aouni. “Selefistët janë në gjendje që t’i mobilizojnë anëtarët dhe simpatizantët e tyre më lehtë”, thotë ai. Egjipti po vuan edhe nga papunësia e lartë, varfëria dhe mungesa e sigurisë.

Politika dhe propaganda
Selefitë janë konsideruar në kohën e presidentit Hosni Mubarak si apolitik. Qysh pas rrëzimit të pushtetmbajtësit gjendja ka ndryshuar rrënjësisht. “Tani muslimanët praktikues kanë ardhur në pushtet”, thotë El-Aouni dhe shton: “Jo vetëm në politikë por edhe ekonomi dhe në administratë. Kjo do të thotë se ata kanë mundësi, të cilat nuk i kanë pasur më parë.”
Selefitë po i shfrytëzojnë këto mundësi. “Ata punojnë me metoda të ndryshme”, thotë El-Aouni. “Ata kanë fetarë që përhapin idetë e tyre, kanale televizive, radio dhe gazeta – pra një varg mjetesh për propagandë efektive. Këtu duhet shtuar se selefitë kanë edhe shumë mbështetje nga vendet e tjera – në radhë të parë nga vendet e Gjirit Persik.” Por selefitë nuk duan që me të vërtetë të hapin një kapitull të ri. Shumica prej tyre kërkon kthimin e kohës së islamizmit të vjetër./dw

Edituar nga kohaislame.com
*Qëndrimet e shprehura në artikull nuk paraqesin medoemos edhe qëndrimet e redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit