6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Albin Kurti, mes Vetëvendosjes dhe bashkëvendosjes

Më të lexuarat

REDI SHEHU

Më 14 shkurt, në Kosovë nuk u bënë thjesht zgjedhje, atje zanafilloi një epokë e re në politikën moderne kosovare. Epoka e të qenurit vetvetja përmes procesit më masiv të Vetëvendosjes. Kjo ka qenë një kohë kur për Kosovën realisht nuk vetëvendosej, pra, shqiptarët deri tani nuk kanë vetëvendosur për fatet e shtetit të ri kosovar, por kanë qenë pre’ e politikave të politikanëve, të cilët bënë gjënë më të rëndomtë që mund të bëhet, servilizëm ndaj ndërkombëtarëve në këmbim të heshtjes për keqqeverisje dhe korrupsion. Votimi në këto zgjedhje parlamentare, ku Lëvizja “Vetëvendosje” kapi kulmin historik të saj dhe kulmin historik të çdo partie kosovare, duke ia kaluar edhe suksesit të LDK-së së Rugovës në kohën e pasluftës, ishte më shumë se një votim, ishte një rreshtim në krahun e kundërt me atë çka ka ndodhur gjatë gjithë periudhës së Kosovës shtet. Përbën një epokë të re sepse është një fillim i ri ku politikanët e pasluftës tashmë e kanë mbaruar ciklin e tyre për formimin e një Kosove të institucionalizuar, të cilët tashmë zëvendësohen nga politikanët e tipit “Make Kosova Great!”, duke u fokusuar në çështjet e brendshme për të rritur fuqinë kombëtare.

Ka shumë arsye se pse e diela e 14 shkurtit vinte si frymë popullore në kutitë e votimit më shumë sesa një radhë e rëndomtë e një dite normale zgjedhjesh. Arsyeja kryesore, e cila e përshkon këtë referendum, ashtu siç edhe Kurti pëlqen ta quajë, është fryma e përbashkët e pjesëmarrësve në zgjedhje, të cilët sfiduan largësitë dhe kushtet e vështira të motit për të thënë politikisht “Jam edhe unë!”. Një frymë e tillë e përbashkët është parë në tri momente kyçe të historisë së Kosovës. Së pari, në epokën e rezistencës së Ibrahim Rrugovës, më vonë, u pa kjo frymë gjithashtu në ndërtimin e shtetit të ri Kosovar të pasluftës me të gjithë brezin e luftëtarëve që u bënë politikanë, ndërsa fryma e fundit është uragani elektoral në mbështetje të “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit. Në të tri këto stacione historike, thelbi i përbashkët i tyre nuk ka qenë lideri, por kombi. Të tria modelet tërhoqën votën masive në fillimet e tyre sepse ata e identifikuan veten me kombin, me Kosovën dhe me mbrojtjen e saj. Edhe masiviteti i 14 shkurtit më shumë se për Albinin, është për faktin se ky i fundit e ka identifikuar veten me çështjen kombëtare dhe si mbrojtësi më i mirë i tij. Kjo na çon në përfundimin se ndryshimi epokal ditën e zgjedhjeve të fundit ka të bëjë më shume se me çdo gjë tjetër, me mbrojtjen e interesave kombëtare në raport me Serbinë, dhe pse jo, me të gjithë ata faktorë ndërkombëtarë që do të donin të bënin lojën e saj.

Përgjysmimi i LDK-së, rënia e përqindjeve të PDK-së dhe AAK-së, “Nisma” e cila nuk arrin të kalojë pragun, janë zhvillime politike të cilat ndodhin në vigjilje të transformimeve të mëdha në ndërgjegjen politike të elektoratit. Janë mesazhe për të treguar se një epokë politike mbaron dhe i lë vendin një tjetre, një establishment i vjetër ikën përmes reformimit dhe një i ri vjen për të ngulitur një model të ri përmes një shprese të re. Është pikërisht këtu te shpresa e re që pritshmëritë e elektoratit dhe e ardhmja e afërt, do të të mund të takohen në një pikë të suksesshme për të garantuar kohëzgjatje, ose përndryshe do të përplasen drejt një humnere theqafëse politike.

Përveç sfidës së madhe që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë me realitetin politik dhe ekonomik kosovar, ata do të duhet të përballen shumë shpejt me realitetin kokëfortë ndërkombëtar, i cili përbën edhe emrin e dytë të shtetit pas atij të quajtur Kosovë. Realitet, i cili në krye të axhendës së vet ka negociatat me Serbinë para çdo lloj politike apo reforme tjetër, me të cilën Kosova do të duhej të përballej. Mirëpo, axhenda e Albin Kurtit nuk parasheh si prioritare negociatat me Serbinë, duke futur në ngërç ende pa filluar marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Në fakt, për hir të së vërtetës, rezultati spektakolar i këtyre zgjedhjeve ishte pikërisht reagim për shkak të ngërçit të parë që ish-Kryeministri Kurti pati me faktorin ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 për të njëjtin prioritet në lidhje me negociatat me Serbinë. Por, ama, tashmë si forcë e parë dhe fituese absolute e këtyre zgjedhjeve, “Vetëvendosjes” i duhet që nga njëra anë të mos zhbëjë koherencën politike dhe kombëtare të saj në raport me të shkuarën dhe, nga ana tjetër, duhet edhe të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për një zgjidhje përfundimtare të marrëdhënieve me Serbinë.

Në zgjedhjet e kaluara, Albin Kurti ndërtoi një aleancë politike me LDK-në nën imazhin e Vjosa Osmanit. Një aleancë mes dy filozofish dhe veprimesh politike, ku nga njëra anë Vetëvendosja ishte esenca dhe ekzistenca e lëvizjes, dhe nga ana tjetër kishim LDK-në, e cila si lajtmotiv politik të vetin kishte bashkëpunimin me ndërkombëtarët për çdo çështje, pra, le të themi, njëfarë “bashkëvendosje”. Ishte e çuditshme se si “Vetëvendosja” bëri aleancë asokohe me “bashkëvendosjen” duke prodhuar një Frankenstein politik, i cili nuk jetoi më shume se 50 ditë. Sot, LDK-ja është goditur rëndshëm elektoralisht dhe kryetari i saj ka dhënë dorëheqjen, duke e çuar këtë parti drejt një reformimi të pashmangshëm për të mbijetuar. Eksperimenti politik për të sjellë në një tryezë të dy axhendat politike të “Vetëvendosjes” dhe LDK-së, dështoi. Sot, zgjedhësit kosovarë shpallën përmes verdiktit të votës se preferojmë më shumë Vetëvendosjen sesa bashkëvendosjen, por, siç e kemi thënë edhe më parë, shqiptarët e Kosovës jetojnë në një kohë kur realisht nuk vetëvendoset dhe sfida e Kryeministrit të ardhshëm është të ndërtuarit pikërisht të një balance perfekte mes aspiratës kombëtare për të vendosur vetë për fatet e kombit dhe dakordësisë me faktorin ndërkombëtar, i cili e sheh krejt ndryshe çështjen.

Të ndodhur në këtë pikë, dyshja Kurti – Osmani duhet së pari të arrijë të ruajë koherencën e aleancës së tyre, në mënyrë që lista Osmani brenda Vetëvendosjes të mos kthehet në një listë të rebeluarish që rrezikojnë maxhorancën e 14 shkurtit. Së dyti, Albin Kurtit i digjet karta e pamundësisë dhe alibisë se fajin e ka tjetri. Tani, ai duhet të mbajë vetë përgjegjësinë e vendimeve politike të së ardhmes. Nëse u bindet ndërkombëtarëve, ai rrezikon piacën e lartë, me të cilën e përkufizoi veten politikisht, nëse nuk i bindet do të duhet t’i drejtohet përsëri elektoratit, por që nuk ka më sigurinë e një rikthimi të bujshëm si ky i kësaj radhe. Nëse gjen një rrugë të mesme mes bindjes dhe Vetëvendosjes, gjë e cila ka shumë gjasa të ndodhë, atëherë kjo do ishte një risi politike e epokës së re, e cila do ishte interesante për t’u parë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit