11.7 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Albert Enstein (Ajnshtajni)

Më të lexuarat

Albert Ajnshtajn lindi në Ulm të Gjermanisë në vitin 1879, në një familje hebrenjsh. I ati ishte pronar i një fabrike që prodhonte pajisje elektrike, ndërsa e ëma pëlqente librat dhe muzikën. Vetë Ajnshtajni ishte fëmijë i mbyllur, i cili filloi të fliste vonë dhe kishte vështirësi të mësonte për të lexuar.

Kur mbushi pesë vjeç, i ati i dha një busull, që menjëherë i ngjalli djalit një interes të paparë për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i shpjegoi se kjo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës. Ajnshtajni e kishte të vështirë të kuptonte koncepte të tilla në atë moshë.
Në komentet e tij për vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn kujtonte se nuk e kishte me qejf shkollën. Metoda e prerë mësimore, ku nxënësve nuk u lejohej të bënin pyetje e bënte atë të ndjehej si i burgosur.

Por me kalimin e viteve, fizikani i ardhshëm zhvilloi një dashuri të madhe për matematikën. Ai filloi të mësonte logaritmet dhe pjesë të tjera të vështira të matematikës, ndërkohë që moshatarët e tij ende mësonin aritmetikën e thjeshtë.

Albert Ajnshtajn ndoqi më pas Institutin Politeknik në Zyrih të Zvicrës, ku studjoi fizikë dhe matematikë. Pas diplomimit ai punoi për qeverinë zvicerane si inspektor patentash për shpikjet e reja. Gjatë kësaj periudhe ai filloi punën për teoritë e tij të ardhshme shkencore.

Në një nga punimet e tij shkencore ai shpjegon se drita lëviz përmes valëve dhe pjesëzave, një nga elementët e rëndësishëm të teorisë së tij kuantike.

Në një tjetër punim ai flet për pjesëza të vogla që pluskojnë në lëngje apo në trupa të gaztë, e cila mbështet teorinë e përbërjes atomike të materies.

Por teoria më e rëndësishme është ajo e relativitetit, ku Ajnshtajni shpjegon se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Por ai shtoi se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vend-ndodhja e një personi në raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn botoi në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme, dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar Teoria e Relativitetit. Dhjetë vjet më pas ai botoi një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin Teoria e Përgjithshme e Relativitetit, ku përfshin ide themelore që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës. Ajnshtajni thotë se objektet humbasin masë kur emetojnë dritë, pasi drita është një formë energjie.

Në vitin 1921 Ajnshtajni fitoi Çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim çoi në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radios dhe televizionit.

Albert Ajnshtajn punoi si pedagog në Zvicër dhe Gjermani. Ai u largua nga Evropa kur në 1933 erdhi në pushtet Adolf Hitleri. Fizikanti u vendos në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi punën e tij shkencore në Institutin për Studime të Avancuara në Princeton, Nju Xhersi.

Megjithë famën e tij, Ajnshtajni ishte një njeri i thjeshtë, i veshur me rroba të vjetra dhe me flokë që dukeshin të pakrehur. Studentët e tij tregojnë se ai kishte aftësinë të ilustronte ide shumë të vështira me figura dhe krahasime që i bënin ato shumë të kuptueshme.

Megjithëse ishte kundër luftës, Ajnshtajni i shkroi presidentit amerikan Franklin Ruzvelt në vitin 1939 për ta nxitur që Shtetet e Bashkuara të prodhonin bombën bërthamore para Gjermanisë. Albert Ajnshtajni vdiq në moshën 76 vjeçare në vitin 1955./za

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit