AKSIDENTET NË KOMUNIKACION, SHKAKTARI MË I MADH I VDEKJEVE NË KOSOVË

0
69

Kosova duhet të bëjë hapa të përshpejtuar, të rris kapacitetet institucionale dhe profesionale, në mënyrë që të ketë një gjendje më të mirë të sigurisë në komunikacionin rrugor, sepse gjendja e tanishme nuk është një gjendje me të cilën duhet të pajtohemi dhe të mos bëhet përpjekje për ta ndryshuar.

Kështu u tha të martën në takimin e Këshillit të Sigurisë në Komunikacionin Rrugor, ku u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë në komunikacionin rrugor, çështje kjo shumë e rëndësishme për sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota tha se takimet e Këshillit janë shumë të rëndësishme, edhe për faktin se diskutohen çështjet aktuale të sigurisë në rrugë, si dhe për marrjen e masave, të cilat janë obligim ligjor për një siguri më të madhe në komunikacion. Ai tha se duhet të ndërmerren disa veprime, të cilat janë obligim dhe kriter i rëndësishëm për integrim në Unionin Evropian. Sipas Mujotës Kosova ka shumë për të bërë, në mënyrë që qytetari i Kosovës, të jetë maksimalisht i mbrojtur dhe të ketë një siguri më të madhe në komunikacion.

Megjithatë Mujota pohoi se aksidentet në komunikacionin rrugor, janë shkaktari numër një i vdekjeve në Kosovë edhe më tutje, dhe se nga këto aksidente kosto e buxhetit të vendit është mjaftë e lartë. Ai tha se sipas disa të dhënave të krahasueshme dhe të përafruara me studime të ndryshme ndërkombëtare, kostoja e aksidenteve rrugore sillet diku prej 1 deri në 3 për qind e të ardhurave për kokë banori të një vendi.

“Në Kosovë që nga viti 2002 deri në vitin 2011, si pasojë e aksidenteve në komunikacionin rrugor, kanë vdekur 1430 persona dhe janë lënduar 10 mijë e 254 persona, sipas të dhënave statistikore. Problemi është më i madh që nga viti 2002, kur këta numra, përkatësisht kjo shifër e aksidenteve ka pasur një rritje, një tendencë të rritjes, ndërsa fatbardhësisht viteve të fundit ka një tendencë të rënies. Mirëpo akoma shkalla e fatkeqësive dhe humbja e jetëve të njerëzve është mjaftë e lartë. Andaj ne duke u përballur me këtë numër të lartë të aksidenteve në komunikacion, është e nevojshme që të gjithë të kemi një koordinim dhe bashkëpunim sa më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse, sepse problemi i aksidenteve paraqet një problem që përfshin fushat të ndryshme, resor të ndryshëm”, tha ai.

Mujota më tej pohoi se përkundër disa përmirësimeve të bëra, të dhënat tregojnë se gjendja në të cilën jemi, është gjendje e cila kërkon një angazhim më të madh, të të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe një mobilizim maksimal, në mënyrë që të evitohet humbja e jetës së njerëzve.

“Kosova duhet të bëjë hapa të përshpejtuar, të rris kapacitetet institucionale në rend të parë, profesionale dhe përgjegjësitë tjera legale, në mënyrë që të ketë një gjendje më të mirë në këtë drejtim. Sepse gjendja e tashme, nuk është një gjendje që duhet të pajtohemi ne apo të mos bëjmë përpjekje për ta ndryshuar”, tha Mujota.

Ndërsa drejtori i sekretariatit të këshillit për siguri Jakup Hoti, prezantoi një raport të aksidenteve për vitin 2012, duke bërë një krahasim me vitin 2010, për të parë treguesit për gjendjen aktuale dhe masat që duhet të merren në vazhdimësi. Ai po ashtu pohoi se një trend i rritjes së aksidenteve fatale, vërehet në muajin korrik dhe gusht, kohë kjo ku ka një frekuentim më të madh të bashkatdhetarëve.

“Trendi i aksidenteve fatale, shihet se ka një trend më të rritur për muajin korrik dhe gusht. Gjithsej ky muaj është shumë i frekuentuar nga bashkë atdhetarët tanë dhe është numri shumë më i madh se muajt tjerë”, pohoi ai.

Ndryshe nga të dhënat e sekretariatit për siguri, në vitin 2010 gjithsej ka pasur 17 mijë 987 aksidente në komunikacion. Ndërsa në vitin 2011 numri i aksidenteve ka qenë më i lartë e që është 18 mijë 888 aksidente. Po ashtu në vitin 2010, kanë qenë 155 aksidente me fatalitet, ndërsa në këto aksidente fatale kanë vdekur 172 persona. Në vitin 2011 numri i aksidenteve fatale, ka qenë më i vogël e që është 128 dhe numri i të vdekurve është ulur në 155. Këmbësorë të përfshirë në aksidente, e të cilët kanë humbur jetën në vitin 2010 janë 59 dhe këmbësorë të lënduar janë 1051. Ndërsa për vitin 2011, ka një numër më të vogël të këmbësorëve të vdekur, e që janë 44, ndërsa të lënduar janë 1029 këmbësorë./kosovapress/kohaislame